DREJTËSI QË BLIHET, DREJTËSI QË VRET

ARTAN MULLAJ

Artan MullajNjë i njohuri im, Bushi, që ndërton pallate, diku pati blerë një copë tokë, për të ndërtuar. Ekskavatorët hapën atje me feçkat e tyre një gropë të madhe për të hedhur betonin e katit përdhes, pastaj u sajuan armaturat e kolonave. Por një ditë u shfaq një person zëngjirur me një skicë në dorë. Ishte Lushi, pronari i truallit ngjitur, që mendonte se ndërtimi i pallatit kishte prekur disa centimetra nga trualli i tij.

Mosmarrëveshja filloi si fillon një rrebesh, me furi dhe me fjalë banale, pas të cilave, siç pritej, asgjë nuk u zgjidh. Pas kakarisjeve vijuan kërcënimet, sharjet me rob shtëpie dhe në fund, kuptuar shyqyr Zotit nga palët se askush s’do mund të dilte i fituar kështu, u mbyll me ndërmjetësinë e disa tipave të fortë, që në kohë fushatash zakonisht ndjekin pas deputetët. Kundrejt shpërblimit, këta të fortët këtej ranë në kontakt me të fortët e palës tjetër, për të rënë dakord që çështja të mos zgjidhej rrugëve, por të zgjidhej në gjykatë. Me një fjalë, nga shiu, në breshër.

Procesin e parë gjyqësor e fitoi Lushi, pronari i truallit ngjitur me zërin e ngjirur. I pati dhënë nën dorë 2000 euro gjykatësit të çështjes, kështu që të njohurit tim biznesmen, që e çoi çështjen në Apel, iu desh t’i paguante gjykatësit tjetër më shumë, 3000 euro. Për të fituar, i duheshin dhënë disa nga këto edhe kryetarit të gjykatës, që zakonisht edhe ky dirigjon proceset gjyqësore nga “poltroni i Zeusit”.

Që atëherë, beteja ligjore mes Bushit dhe Lushit ende vazhdon. Gjykatësit e babëzitur, me kryetarë të babëzitur e të pangopur, që sillen me postet e tyre si me gratë e tyre, vazhdojnë t’ju rrëmbejnë mes zarfesh djersën palëve në gjyq, sa Bushit, aq Lushit. A thua këta nuk i kanë fituar me djersë të vështirë edhe gjak stërmundimesh gjithë jetën, por i kanë mbledhur paratë e tyre si të qenë gjethe në pemë. Palët, Bushi dhe Lushi, janë si në një garë makinash, kush të paguajë më shumë e më parë gjykatësve që janë në shortin e çështjeve të tyre. Gjyqi u kthye mbrapsht nga e para dhe Lushi apeloi Apelin, duke i ofruar, si kumarxhinjtë e nervozuar të kazinove, dyfishin e pagesës së radhës. Fati i tij që gjykatësi i radhës ishte duke dërguar vajzën në shkollë jashtë shtetit dhe dhurata bujare kish ardhur në kohën e duhur. Kështu që pronari i truallit tjetër fitoi apelin e Apelit, çka solli edhe bllokimin e punimeve në pallatin që i njohuri im Bush kish filluar të ndërtonte.

I shqetësuar dhe i pamësuar me avokatë, gjykatës edhe gjykata, i njohuri im biznesmen me emrin e ish-presidentit të Amerikës, mendoi të shtojë vlerën e dhuratës edhe ky, për të përmbysur vendimin e formës së prerë, që s’ishte aq i prerë, sa kohë gërshërët e vendimeve ndodhen e ndërrohen në xhepa gjykatësish të korruptuar. Bushit ju desh të trokiste në një zyrë ku merreshin vendime të forta, në Gjykatën e Lartë apo kushedi ku, për të përmbysur pra vendimin që kishte përmbysur vendimin e dhënë më parë në favor të tij. Dhe gjeti një zyrë! Gjithmonë do të gjesh një zyrë të tillë në Shqipëri, mjafton të kesh një zarf me para, të mbyllur në xhep. Dhe kjo zyrë i dha këtë përgjigje: “Sa të jetë gjykatësja K, në Gjykatën e Lartë, në zyrën dhe në rolin që ka, ky vendim nuk zhbëhet, edhe sikur pallatin e tërë ta dhurosh ku të duash. Por dhurata jote vlen, Bush! Po e mbajmë në një sirtar, që do të hapet pas tre vjetësh, kur gjykatësja K, për shkak se i mbaron mandati, nuk do të jetë më në pozicionin që ka. Dhe kur ajo të mos jetë në atë pozicion, për ty do të ndryshojë ngjyra e qiellit”.

Me dhuratën zarfgrisur lënë në një sirtar, si një faj i ngujuar, njëherësh edhe si një shpresë, dhe me duart në xhepa, i njohuri im biznesmen u kthye i dëshpëruar në shtëpi, ndërsa pas i kumbonin ende fjalët përmbyllëse të zyrës: “Veçse nëse gjykatësja K sëmuret edhe vdes para kohe dhe para se të mbyllë mandatin, aq më mirë!”

Dhe kështu filloi e vazhdon historia e kësaj çështjeje. Prej pesë vitesh punimet në pallat janë ndërprerë. Gjykatësja K, militante e fshehtë e partisë në pushtet, vazhdon të jetë shëndoshë e mirë dhe të presë andej-këtej me gërshërë fatin njerëzor. Megjithëse 50-vjeçare, është shëndoshë e mirë, si shumica e veriorëve që janë rritur faqekuq mes bjeshkëve. Përdor të kuq të ndezur dhe kremra biologjikë, që ia dërgojnë “currier” drejt e nga Parisi. Thuhet se ka përdorur edhe silikon në trup, për të qenë permanente në ambiente, biseda, çështje drejtësie, ku performanca ka një rëndësi të veçantë. Është një gjallesë e pasur dhe e lumtur, madje së fundmi ka blerë edhe një vilë, në emrin e motrës së saj, në Gjirin e Lalëzit. Nuk ka dilema për ekzistencën e kësaj vile, por për vendndodhjen e saj. Disa thonë ndodhet pranë vilës së Ilir Metës, të tjerë pranë vilës së Ardit Gjebresë. Bushi, i njohuri im ndërtues, është në pritje të mbarimit të mandatit të saj, kur do të hapet vonuar sirtari ku do të ringjallet dhurata e harruar, paratë e lëna peng në një zyrë për një zyrtar, për gjykatësin a gjykatësen që do të zëvendësojnë zonjën K me silikon. Është hera e parë që ai përplaset me drejtësinë, gjyqe, gjykata dhe avokatët e vendit të tij, por kjo s’e ka penguar të shijojë lehtësinë e të kuptuarit të gjërave. Mbasi ka dhënë me dorën e bardhë para të pastra në duar të zeza gjyqtarësh, ai ka kuptuar se jeton në një vend ku drejtësia nuk jepet, as falet, thjesht blihet. Ka kuptuar gjithashtu atë tjetrën, që nuk mjafton të paguash gjykatës të korruptuar e bastardë për të fituar një çështje gjykate. Duhet edhe të durosh gjatë. Të bëhesh dru në verë edhe hekur në dimër. Të presësh të mbarojë mandati i një gjykatëseje në menopauzë apo të urosh, të shpresosh si mëkatar, vdekjen e saj natyrale.

***

Ngado të kthesh kokën do shohësh njerëz të dëshpëruar që duhet patjetër të paguajnë në çështje gjyqësore, pavarësisht kanë apo nuk kanë të drejtë. Ata hyjnë e dalin pa fund dyerve të gjykatave tona, ku nuk gjykohet e drejta e njerëzve, por aftësia e tyre për të afruar dhurata që ndihmojnë çështjet e tyre. Kjo gjë njihet kombëtarisht tani. Kohët e fundit kam qenë dëshmitar edhe i një përplasjeje tjetër gjyqësore mes dy ortakëve të tjerë biznesmenë, që vendosën t’i drejtohen drejtësisë për të zgjidhur problemet mes tyre. Ndarja ish e pashmangshme dhe kështu palët iu drejtuan gjykatës. I njëjti skenar. Ortakët, të dy me zarfe në xhepa për t’ua dhënë nën dorë gjakpirësve të çështjeve, hyjnë, dalin, vijnë vërdallë korridoreve për të gjetur ku, në ç’dorë, në ç’sirtar, në ç’babëzi duhet të japin paratë e vështira për të ndihmuar të drejtën e tyre. Nuk ka fare rëndësi kush ka të drejtë e kush jo. Rëndësi ka kush paguan më shumë. Rëndësi ka kush mund t’i afrohet më pranë gjykatësit, që është Zeusi i drejtësive në një vend të tredhur nga shpresa për drejtësi, siç është Shqipëria. Rëndësi ka kush mund ta joshë. Në gjykatat shqiptare, gjykatësi është pronari i së drejtës dhe profeti i drejtësisë. Ai vendos paraprakisht kush do të fitojë çështjen. Seancat gjyqësore, avokatët, prokurorët janë aty një parodi hipokrizie banale, sepse vendimet janë të paracaktuara. Sepse çështjet nuk i udhëheq drejtësia, por i vulos kjo specie, kjo vemje, që kushedi ç’mallkim e ka vënë në krye të një drejtësie që mallkon, shpërdoron, dhe e përsëris, vret. Lëndon edhe vret shpirtra njerëzish të zhgënjyer që në dyert e gjykatave hyjnë në fakt jo aq për t’u gjykuar, por për të mallkuar ata vetë drejtësinë e pështirë që ju shërbehet.

Në garën e tyre për të blerë secili drejtësinë e vet, dy ortakët e dinë se fituesin e shpall GJYKATËSI me rasën e zezë që nuk përfaqëson martirizimin e krishterimit ortodoks. Kriteret e gjykimit të tij janë tjetër gjë. Kjo do të thotë se nuk janë vetëm paratë. Të gjithë njerëzit që shkojnë për të gjetur të drejtën, janë të dënuar të paguajnë. Viktima, përveçse të paguajë, duhet të shkojë më tej. T’i ofrojë gjykatësit diçka që s’munden të tjerët. Të bëjë diferencën. Nëse është femër, edhe ta joshë. Nëse është burrë, ta trazojë në delirin e madhështisë që ofrojnë kolltukët e mallkuar autoritarë të këtij vendi të mallkuar.

Kjo është drejtësia jonë. Shumica e çështjeve gjyqësore vijnë erë neveri. Kundërmojnë atë aromën mbytëse të kafshëve të ngordhura në verë, kur shkon rrugës për Himarë. Pështirosje. Kjo është drejtësia që i ka ofruar këto tetë vjet Sali Berisha shqiptarëve. Drejtësi që është një kufomë e vetvetes. Një vrasëse e drejtësisë dhe e aspiratës së qytetarëve për t’u gjykuar të lirë. Drejtësi perverse që vret, me gjyqtarë perversë dhe një sistem anadollak, llum mes llumit të një regjimi në grahmat e fundit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

15 Comments
  1. Gjergji Anastasi says

    Artan, me ke vene gishtin ne plage me publikimin e mesiperm. Para 2-3 vjetesh kam humbur lokalin tim, i cili ishte i privatizuar nga shteti dhe ma mori nje me tapi fallco, (ku dhe ne gjyq u shkrua ne verbal qe kjo tapi eshte e fallcifikuar dhe u vertetua si e tille) ne seancen e pare e fitova une dhe dy te tjerat i fitoj fallcifikusi. Korrupsioni i Shqiperise eshte i shtrire si nje njolle vaji qe perhapet nga do, jo vetem ne gjykate, (ku me te drejte ti e komenton) por ne te gjitha sapektet burokratike shteterore. Ky lloj korrupsioni qe kemi ne Shqiperi, mund te krahasohet vetem me xhuntat ushtarake ne Afrike….prespektive te bukur po i japim Shqiperise…

  2. shkelzeni says

    bataku dhe poshtersia ne kete vend buron nga gjykatat dhe gjykatesit gjakpirsa e te korruptuar e ketij vendi, kur te thyeje qafen sala, qeveria e re se psri duhet te merret me ta

  3. Dora Ceci says

    Gjykatat jane vendet ku flitet shum per drejtesi dhe ku bahen ma shum padrejtesi.

  4. fatmira says

    haha, te qeshesh a te qash,ironi e holle dhe vrasese,te lumt

  5. gjykatesi says

    eshte e vertete qe sistemi gjyqesor ka probleme z.mullaj por smund te fusni gjithe gjykatesit ne ne thes pasi ka brenda ketij sistemi gjyqtare profeioniste e te ndershem flm

  6. taso prevenda says

    te falenderoj zoti Mullaj per shkrimet e tua brilante

  7. suel says

    edhe ne shendetesi kush paguan me shum trajtohet me mir apo jo ??
    mjafton te shkosh ne nje spital publik ku i shef njerezit kuturu si kosheret qe sja kan iden se ku shkoj dhe a do marojn pun 🙁

  8. Kaonia......Tepelena says

    Mirëpo,edhe shpresat janë të pakta se diçka mund të ndryshojë…më tej,i nderuar Artan!Përderisa ilir meta është përsëri në koalicjonin (hipotetik….)qeverisës të ardhshëm…a ka ndonjë fije shprese që drejtësia të mos blihet por të fitohet falas….vetëm nëpërmjet ligjit..?!Zoti na ndihmoftë…!Shpresa se kjo qeveri aktuale mund të bjerë…(me shumë gjasa…)nuk është detyrimisht edhe shpresa për tu bërë drejtësia e vërtetë në vend…Mjaft që të shohësh Ilir Metën që qeveris,në çdo koalicjon…të jetë…!Je i nderuar,Artan!

  9. arsen says

    Dhe me duket se keni lene pa thene kryesoren: I gjithe ky gjiriz qe nuk mbaron kurre buron dhe dirigjohet nga Sali katundar-mesjetari: Nqse me mbroni krimet qe bej une,vjedhjet dhe vrasjet,mbas kesaj dhe flaken ti vini,me keq se ja kam vene une,ketij ropi dhe ketij kombi,mua do te me keni gjithmone ne krah.

  10. Danton says

    Mendoj qe autori i shkrimit ben nje gabim(ndoshta “lapsus”) kur flet per korruspionin 8(tete) vjecar te Sali Berishes.Une,e ndjej te nevojshme te bej nje saktesim te vockel: qeverisja dy mandateshe e Berishes duhet te ndahet ne ate 4(kater) vjecare Berisha + qeverisjen 4(kater) vjecare Berisha-Meta.

    Po ti besojme zotit Rama dhe analisteve te tij, mandati i dyte qeverises Berisha-Meta eshte kulmimi i korrupsionit me ulerites qe ka njohur ky vend…

    Po t’i besojme z.Rama dhe analisteve te tij,shkaku kryesor i ketij kulmimi korruptiv ishte Ilir Meta dhe LSI-ja e tij te cilesuar ,njeri si djalli me i zi i korrupsionit qeveritar dhe tjetra si pjesa me e korruptuar e qeverise Berisha-Meta(pikerisht per kete z.Rama organizoi edhe demostraten e 21 janarit,ku u vrane 4 shqiptare te pafajshem nga pushteti i dyshes Berisha-Meta dhe ku u rrahen ,pergjaken me qindra te tjere…) .

    Drejtesia,i nderuar Mullaj ,nxori te pafajshem Ilir Meten, ne nje votim unanim,sic thote vete zotni Meta, 5-0 ne favor te tij…

    Tani ,ja u be zoti Rama kryeminister (qe mezi c’e presim) , si do tja bej me kete drejtesi qe nxori te pafajshem djallin me te zi te qeverise Berisha-Meta, me te korruptuarin e saj, te kapur mat me ze dhe figure,dmth Ilir Meten dora veta ?? Apo do t’ua leje ne dore historianeve ,arkeologeve,sic me nje ironi te lezecme dhe qe nuk e kisha pritur nga nje skraparli, e tha vete zoti Meta… ?!

  11. Agron says

    Peshendes autorin,nje analize brilande.

  12. korcari says

    patriot, je njesh

  13. beni says

    gjyqtaret ne shqiperi jane mostra,bastarde,kelyshe te pushtetit.kujtoni tomen e sashenken e gjithe te tjeret me rradhe.mjere ky popull

  14. Pierre Simsia says

    Respekte per ju dhe penen tuaj letrare Artan Mullaj

  15. lani says

    Mos ja futni kot, nuk e ka fajin politika, fajim e kemi vete ne POPULLI SHQIPTAR, ata gjykatesit nga dolen? Jane vellezerit dhe motrat tona. Ata dhe ne se bashku me ta jemi rritur me kete mentalitet te mbaruarit pune. Po kur keni ndonje hall, a nuk shkoni dhe kapni miq apo te njohur ? Dhe ky qe shkruan kete artikull kur ka hall shkon dhe kap njerezit dhe nuk sillet si Gjermani qe i bie drejt. Eshte mentaliteti Ballkanik qe punet i mbaron duke dhene ndonje “dhurate”, duhet te kalojne ndoshta 200 vjet qe te jemi si Gjermania. Mentaliteti do shume kohe e breza qe te ndryshoje, mos i kerkoni gjerat me suste se nuk behen.

Comments are closed.