Shkodra, një “Rio e vogël braziliane”

Karnavalet

karnavalet shkoder 2013E kthyer në një traditë si çdo vit, Shkodra ka festuar dje karnavalet, duke u kthyer në një “Rio të vogël braziliane”, nga krijimi i një atmosfere festive që ka pushtuar të gjithë qytetin. Njerëz të moshave të ndryshme me maska të shumëllojshme në fytyrë janë bërë pjesë e karvanit të gjatë të karnavaleve, i cili ka ecur në rrugët kryesore të qytetit. Sipas organizatorëve, këtë vit, karnavalet kanë pasur një strukturë organizative të veçantë, duke filluar nga ana artistike, deri te veshjet, të cilat kanë qenë të një stili të veçantë. Në fillim, karvani i karnavaleve ka përshkuar qendrën e qytetit me pankarta, ku dënoheshin veset e shoqërisë si korrupsioni, padrejtësitë, vjedhja, prostitucioni etj. Shumë qytetarë kuriozë për të parë maskat dhe veshjet shoqëronin karvanin e karnavaleve në rrugët e qytetit. Oratorët që drejtonin karnavalet u janë drejtuar qytetarëve që të gjithë së bashku të luftojmë dhe denoncojmë veset e shoqërisë. Pjesa më e madhe e aktivitetit të zhvilluar dje është kryer në qendrën e qytetit, ku fëmijë të moshave të ndryshme kanë aktruar me mënyrën e tyre, të veshur dhe me maska, duke krijuar një atmosferë ndryshe në qytet. Festa e karnavaleve është mbyllur me djegien e dordolecit, që simbolizon edhe djegien e të gjitha fenomeneve të këqija të shoqërisë. Festa e karnavaleve festohet çdo vit në Shkodër, si shenjë e një qytetërimi, që e ka traditë ndër vite një aktivitet të tillë kulturor. A. Hoti





Comments are closed.