Rama, zv.president i Internacionales Socialiste

Lideri i opozitës zgjidhet në krye të organizatës pak muaj para zgjedhjeve

Deklarata – “Me krenari për familjen tonë politike, Partinë Socialiste, ju njoftoj për zgjedhjen time zëvendëspresident i Internacionales Socialiste. Kjo zgjedhje është vlerësimi më i lartë për gjithçka kemi bërë në këto vite së bashku. Ju faleminderit të gjithëve. Mbështetjen e gjerë të kandidaturës e solli modernizimi i PS-së, rezistenca jonë opozitare, programi ynë i Rilindjes Shqiptare”

F.Mejdini

ramaEdi Rama, lideri i opozitës shqiptare është zgjedhur dje zv.president i Internacionales Socialiste, që është organizmi botëror që bashkon të gjitha grupimet politike të qendrës së majtë në të gjithë planetin. Vendimi i djeshëm përbën një eveniment politik për Shqipërinë, pasi asnjëherë nuk ka pasur një politikan shqiptar qoftë të majtë, qoftë të djathtë që të jetë në kupolën e organizmave të tilla politike. Zgjedhja e Ramës në krye  të IS përbën dhe të vetmin politikan të Ballkanit Perëndimor në postin e zv.presidentit. Ndërkaq, homolog i liderit të PS është Kryeministri i Rumanisë, vend i cili është anëtar i Bashkimit Europian. Kreu i PS-së e ndau lajmin për këtë zhvillim pozitiv përmes rrjetit social “Twitter”, duke theksuar se ky pozicion i ri e kishte bërë krenar për partinë që drejton prej 7 vjetësh. “Me krenari për familjen tonë politike, Partinë Socialiste, ju njoftoj për zgjedhjen time zëvendëspresident i Internacionales Socialiste. Kjo zgjedhje është vlerësimi më i lartë për gjithçka kemi bërë në këto vite së bashku. Ju faleminderit të gjithëve. Mbështetjen e gjerë të kandidaturës e solli modernizimi i PS-së, rezistenca jonë opozitare, programi ynë i Rilindjes Shqiptare”, deklaroi Rama për të gjithë ndjekësit e tij të rrjetit social. Zgjedhja e Ramës si numri dy i kësaj organizate erdhi në Këshillin IS-së të mbajtur në Cascais të Portugalisë pas kongresit XXIV të kësaj organizate. Eventi u organizua Partia Socialiste portugeze dhe po kështu nga kryetari i Internacionales, ish-kryeministri grek, George Papandreu. Temë kryesore e këtij këshilli ishte ekonomia e eurozonës dhe kontributi i partive europiane socialiste në tejkalimin e kësaj situate. Internacionalja Socialiste është një organizatë mbarëbotërore e cila mbledh bashkë partitë, të cilat i përkasin spektrit socialdemokrat. Kjo organizatë është themeluar që në fund të shekullit të 19-të dhe në vitin 1951 mori emrin Internacionalja Socialiste. Aktualisht, kjo organizatë ka 160 parti anëtare nga më shumë se 100 vende të botës. Shumë parti të cilat bëjnë pjesë në këtë organizatë drejtojnë qeveritë europiane. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate është përfaqësuesi i Kilit, Luis Ayala, dhe qendra e saj është në Londër të Britanisë së Madhe. Internacionalja është shumë e lidhur me grupin parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Kjo organizatë ka pasur në drejtimin e saj emra të njohur politikanësh europianë si lideri i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Perëndimore, Erich Ollenhauer, dhe po kështu ish- kancelari gjerman, Willy Brandt. Ish-kryeministri i Francës, Pierre Mauroy, ka qenë gjithashtu president i IS-së. António Manuel de Oliveira Guterre, ish-kryeministri i Portugalisë ka mbajtur përpara Papandreut postin e Presidentit të kësaj organizate. Zgjedhja e Ramës si zëvendëspresident i Internacionales duket se është një mesazh i fortë mbështetjeje që organizata i jep kreut të opozitës shqiptare, i cili është në kërkim të mandatit të tij të parë si Kryeministër i vendit. Marrëdhëniet e PS-së me Internacionalen kanë qenë të afërta që në fillim të viteve 1990 dhe në mënyrë të shpeshtë përfaqësuesit e kësaj organizate kanë mbajtur qëndrime mbështetëse ndaj socialistëve shqiptarë. Nga ana tjetër, lideri i PS-së, Edi Rama, mësohet se ka ngritur në aktivitetin e socialistëve europianë dhe kërkesën për një monitorim sa më të afërt të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend, nisur dhe nga eksperiencat e hidhura të socialistëve në proceset e fundit zgjedhore në Shqipëri.









Comments are closed.