BSH ul për të gjashtën herë normën bazë të interesit, në 3.75%

Vendimi

Fullani: Investimet janë të ulëta si pasojë e pasigurisë për të ardhmen

Banka e ShqiperiseBanka e Shqipërisë ka ulur dje normën bazë të interesit në nivelin minimal historik prej 3.75 për qind, nga 4 për qind që është aktualisht, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës drejtuar nga guvernatori Ardian Fullani. Kjo është ulja e gjashtë radhazi dhe synon lehtësim të mëtejshëm për sistemin bankar, i cili vijon të mbajë të shtrënguar kredinë. Vendimi vjen në një kohë që kreditimi i ekonomisë ka qenë në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.

Politikat e ndjekura nga Banka Qendrore nuk është se kanë gjetur zbatim te bankat, ose më saktë nuk kanë ndikuar në uljen e interesave, por Fullani bën me faj bankat mëma të Europës.





“Në gjysmën e parë të vitit, tregu primar vendas u përball me ndryshime strukturore, të rrjedhura nga zbatimi i masave shtrënguese të reja nga autoritetet mbikëqyrëse europiane. Ky zhvillim ndikoi në ruajtjen e normave relativisht të larta të yield-eve, pavarësisht kahut lehtësues të politikës monetare dhe rënies së normave afatshkurtra të interesit në tregun e parasë”, thotë guvernatori.

Sipas tij, kërkesa e dobët për mallra e shërbime ka reduktuar aftësinë e bizneseve për diktimin e çmimeve të produkteve finale dhe ka ndikuar në ruajtjen në nivele të ulëta të marzheve të fitimit. Nga ana tjetër, rritja e ulët e çmimeve në tregjet botërore dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit kanë ndihmuar në kontrollin e çmimeve të mallrave të importit”, u shpreh Fullani, pas mbledhjes. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.7 për qind në tremujorin e tretë dhe pritjet e BSH-së janë për ritme të ngjashme rritjeje edhe në tremujorin e katërt të vitit 2012. Rritja ekonomike është mbështetur nga sektori i shërbimeve, nga sektori i industrisë dhe nga sektori i bujqësisë, ndërkohë që aktiviteti në sektorin e ndërtimit vijon të tkurret, thotë guvernatori. Të dhënat indirekte të disponuara tregojnë për një përmirësim të konsumit në tremujorin e tretë të vitit, por investimet private vijojnë të mbeten të ulëta si pasojë e shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit dhe pasigurisë për të ardhmen dhe kushteve më të shtrënguara të financimit.

A.K.

 





Comments are closed.