Bashkim Zeneli: Radikalizmi në diplomaci na mban larg nga integrimi

Intervista

“Të thuhet e vërteta për marrëdhëniet me Greqinë”

Berisha ne VloreDiplomati dhe politikani i njohur, Bashkim Zeneli, i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare t’i rikthehet menjëherë realizmit dhe konstruktivitetit në marrëdhëniet me fqinjët, pasi radikalizmi na mban larg nga integrimi euroatlantik. Në një intervistë për “Shqip”, ish-ambasadori shqiptar në Gjermani dhe Greqi, aktualisht anëtar i Këshillit Politik të PS-së, analizon zhvillimet e fundit…

Z. ambasador, duket se kohët e fundit ka një tensionim të marrëdhënieve në rajon dhe acarime midis fqinjësh. Shqipëria i ka të acaruara marrëdhëniet me Greqinë, Serbinë, Maqedoninë etj. Sipas jush, çfarë po ndodh, pse është kjo situatë në rajon?

Bashkim Zeneli
Bashkim Zeneli

Natyrisht, ka probleme në marrëdhëniet midis fqinjëve dhe kohët e fundit, ato janë më të shtuara. Disa janë të njohura, disa lindin kur u fryhet koncepteve nacionaliste, shoviniste, kur krijohen tensione të panevojshme. Megjithatë, unë nuk mendoj që këto zhvillime duhet t’i shohim bardhezi, apo të kapemi pas ngjarjeve të veçanta, shpeshherë dhe të izoluara, dhe nga këto të arrijmë në përfundime të ngushta. Është fakt se Shqipëria është vlerësuar nga aleatët ndërkombëtarë për një politikë konstruktive në rajon, për stabilitetin e tij, fqinjësinë e mirë dhe përpjekjet për të ecur së bashku në integrimin euroatlantik. Por kohët e fundit, në qëndrimet politike e diplomatike të qeverisë shqiptare, në lidhje me fqinjët, ka sa shfaqje dhe retorika nacionaliste, por aq edhe amatorizëm në mënyrë të veçantë të diplomacisë shqiptare, në inkonsekuencat kohore për të njëjtin problem. Por edhe te fqinjët tanë në raportet me njëri-tjetrin vihen re qëndrime shoviniste, provokative dhe agresive. Natyrisht këto janë shqetësuese për zhvillimet në rajon, për perspektivën e Ballkanit Perëndimor, por edhe në marrëdhëniet dypalëshe. SHBA dhe Bashkimi Europian kanë treguar një vëmendje të madhe dhe i kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme proceseve integruese të rajonit tonë. Dhe natyrisht që progres ka, por ka edhe ngecje, madje edhe kthime mbrapa herë pas here. Me gjithë aspiratën për integrimin euroatlantik, sot po del më shumë në pah se vendet e rajonit janë disi të sforcuara në këtë proces, për shkak të prirjeve nacionaliste, tensioneve të brendshme etnike, përplasjeve fetare etj. Është shumë e dëmshme që me historitë e vjetra të së kaluarës, që rajonin tonë e kanë lënë kaq mbrapa dhe e kanë bërë problematik, të artikulohen edhe në ditët e sotme teza nacionaliste, shoviniste, retorika folkloriste apo edhe mesazhe shqetësuese e kërcënuese. Më duket se është e nevojshme edhe nga Shqipëria zyrtare, por edhe nga vendet e rajonit në përgjithësi të ketë më shumë vetëpërmbajtje e prirje të qëndrueshme europianiste. Të gjitha hijet e konflikteve apo sherreve të vjetra e të reja vonojnë, shtyjnë proceset integruese. Natyrisht nuk dua ta shoh me pesimizëm perspektivën, por edhe nuk mund të mos vlerësohet fakti se në procesin integrues, këto zhvillime janë shumë të ndjeshme. Radikalizimi i politikës me teza të tilla në Shqipëri nuk i shërben marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe është një kthim mbrapa në atë që jemi vlerësuar më shumë se çdo gjë. Kjo ka bërë që edhe marrëdhënieve dypalëshe apo marrëdhënieve në përgjithësi në rajon t’u mungojë dimensioni njerëzor, që ka e duhet të ketë vlera të pazëvendësueshme në relacionet midis popujve. Për historinë 2500-vjeçare ka afro dy dekada që janë të ngrira marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë, ku si pasojë është “ndaluar” anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE. Në kulmin e vëmendjes dhe të angazhimit të SHBA-së edhe BE-së për normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë edhe Kosovës për dialog, Serbia miraton në Parlament rezolutën për Kosovën që padyshim krijon probleme, aq më tepër që neglizhon standardet euroatlantike ku Serbia synon të aderojë. Menjëherë pas kësaj, kemi veprimin antishqiptar dhe provokativ të heqjes së memorialit të luftëtarëve të lirisë në Preshevë. Por kemi dhe tensionime ndëretnike në Maqedoni, ku brenda një periudhe të shkurtër kanë detyruar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Duhet thënë se veprimi i paralajmëruar i Serbisë dhe heqja e lapidarit në Presheve është një akt antishqiptar dhe provokativ, aq më tepër kur kësaj i shtohen edhe deklaratat që shqiptarët e rënë për liri krahasohen me terroristët e “Al Kaedës”. Duket se Serbia e ka të vështirë me klasën politike që ka, udhëheqjen që ka, të shkëputet nga e kaluara. Por zgjidhja nuk është as radikalizmi i qëndrimeve e as acarimi i marrëdhënieve të fqinjësisë…

Këtyre tensioneve me fqinjët i shtohet edhe një problem tjetër në marrëdhëniet e acaruara me Greqinë. Gjithçka duket se mori një nivel më të lartë, pas deklaratës së Kryeministrit Berisha në Vlorë, nëntorin e shkuar. Cili është mendimi juaj?

Unë mendoj se përkeqësimi i marrëdhënieve me Greqinë nuk ka filluar me deklaratën e Berishës në Vlorë. Marrëdhëniet mes dy vendeve, prej afro 8 vitesh, herë më shumë e herë më pak kanë njohur ulje, përkeqësim, ftohje. Kjo është për të ardhur keq. Ka kohë madje që ata janë kthyer në problematike. Nuk kemi shkëmbime e vizita në nivel të lartë, nuk kemi prej kohësh nënshkrim marrëveshjesh, nuk kemi frymë mirëbesimi dhe mirëkuptimi, problemet, qoftë të vjetra qofte të reja, janë akumuluar dhe po bëhen pengesë për të ecur përpara. Marrëdhëniet natyrisht janë acaruar më tej pas hedhjes poshtë të marrëveshjes së kufirit detar nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2009. Dhe mbi tre vjet, diplomacia ka heshtur për këtë marrëveshje, i ka lënë gjërat të shtyhen e të rrjedhin në kohë, me një mungesë përgjegjësie, por edhe me një hallakatje të hapave juridikë apo diplomatikë. Tani vijmë edhe te deklaratat e Berishës të cilat janë të papranueshme e shqetësuese. Ato kanë hasur në reagimin e menjëhershëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë, e aleatëve tanë, në mënyrë të veçantë të SHBA-së, madje në mënyrë të përsëritur. Diplomacia jonë, apo politika në përgjithësi, ka heshtur kur duhet të fliste, dhe ka folur më shumë sesa duhej, kur duhet të tregonte kujdes, vetëpërmbajtje dhe shikim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të këtyre marrëdhënieve. Por e njëjta gjuhë nga qarqe apo forca politike të caktuara është trashur edhe në fqinjin tonë jugor. Gjuhës nacionaliste apo neofashiste të tyre nuk duhet t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Dhe kjo nuk është dobësi. Ky është guxim dhe qartësi për t’i parë çështjet në frymë europianiste. Me Greqinë duhet të jemi miq të mirë dhe fqinjë të mirë. Pavarësisht nga problemet që ka sot Greqia, ajo është vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së. Ne nuk mund të mos i jemi mirënjohëse Greqisë për angazhimin dhe mbështetjen, në proceset integruese të Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave. Nuk mund të mos i jemi mirënjohës, për çfarë ka bërë populli grek dhe qeveritë e vendit për afro 800 mijë shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi. Me gjithë problemet që ata kanë, jam i bindur se nuk e mbështesin këtë tensionim të marrëdhënieve dhe duan që si fqinjë të shkojmë sa më mirë. Minoriteti grek në Shqipëri dhe qytetarët shqiptarë në Greqi, janë një urë e fuqishme jo vetëm bashkëpunimi por edhe të afrimit midis popujve tanë. Natyrisht që kemi probleme, të vjetra e të reja, por ato zgjidhen jo me radikalizim të marrëdhënieve por me mirëkuptim dhe dialog, me dialog të përhershëm e të vazhdueshëm. Politika, në mënyrë të veçantë ajo parlamentare me vepra dhe jo me fjalë duhet të tregojë solidaritet që Greqia të kalojë këtë situatë të vështirë, siç edhe ka nisur ta tejkalojë.

Z. ambasador, në tetor të vitit të kaluar, ministri i Jashtëm Panariti vizitoi Athinën. Ai ngriti problemin çam, të kufirit detar, ligjit të luftës, etj. A mos vallë këto marrëdhënie u përkeqësuan më tej nga densiteti i ngritjes së problemeve të pazgjidhura nga shefi i diplomacisë shqiptare?

Jo, nuk e besoj këtë. Megjithatë, do të shtoja se problemet e mprehta nuk ngrihen pas një heshtje të gjatë, aq më tepër nuk ngrihen në front, kur midis të dy vendeve, mirëkuptimi dhe mirëbesimi është i ulët. Megjithatë u bë mirë që u ngritën, kjo ishte e domosdoshme, por është vetëm njëra anë e medaljes. Ajo që është e rëndësishme është sa u arrit mirëkuptimi për këto probleme të ngritura apo ku janë kundërshtitë e palës greke. Unë vlerësoj faktin që pas kthimit nga Greqia, ministri i Jashtëm ka qenë aktiv në media për këtë vizitë. Por nga ana tjetër, opinioni nuk ka mësuar se çfarë pranoi dhe çfarë nuk pranoi pala greke në problemet e ngritura. Kjo nuk është thënë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi nuk ka të bëjë thjesht me transparencën, por me përgjegjësinë dhe me përgjegjshmërinë, për t’i thënë opinionit të dy zërat, të dy qëndrimet. Kjo është alfa e diplomacisë, ndryshe krijohen përfytyrime të njëanshme. Nëse kënaqemi me atë që “unë t’i thashë të gjitha ç’kam për të thënë” e nuk shikojmë se si do të zgjidhen problemet që kemi, kjo nuk ka asnjë vlerë. Tri-katër ditë më parë ne mësuam nga zv.ministri i Jashtëm grek, kur ai foli në Parlament dhe lidhur me Marrëveshjen e Ujërave se “për ne, marrëveshja është e vlefshme dhe pala shqiptare të zgjidhë problemet e saj të brendshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”. Pra, për ne nuk ka marrëveshje pas vendimit të Kushtetueses, ndërsa për Greqinë është e vlefshme marrëveshja e nënshkruar. Atëherë ç’do të bëhet, për çfarë u fol? U ra apo nuk u ra dakord për negociata të reja apo për marrëveshje të reja? Në vazhdim, zv.ministri i Jashtëm grek, në Parlament për problemin çam tha se kush ka probleme legale lidhur me pronat, të drejtohet pranë organeve të drejtësisë. Ndërsa pak kohë më parë, problemin çam do ta çojmë në OKB, SHBA dhe BE. Pas kësaj, Kryeministri Berisha, lidhur me rezolutën e PDIU-së për çështjen çame tha: “Asgjë nuk mund të bëhet nën presion dhe se ne do ta shqyrtojmë atë në kuadër të traktatit të miqësisë që kemi me Greqinë. Por ky traktat nuk flet për çështjen çame. Pra duket se në disa qëndrime politike apo diplomatike ka edhe hallakatje, inkonsekuencë edhe mungesë profesionalizmi. Sapo u përkujtua në Berlin 50-vjetori i Traktatit Franko-Gjerman, niveli i marrëdhënieve të dy vendeve është shembullor, që është pasqyrë e përmirësimit të marrëdhënieve edhe pas 150-200 vitesh luftë. Në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë, duhet të kemi parasysh se gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm, Athina do të ketë dhe Presidencën e radhës së BE-së, ndaj më shumë se kurrë ne duhet t’i zgjidhim problemet që kemi e të krijojnë mirëbesimin dhe vullnetin reciprok, nga ku buron dhe vullneti për të ecur bashkë përpara drejt së ardhmes euroatlantike.

Z. Zeneli, kohët e fundit kemi hapur edhe ne disa zhvillime të palës greke, që kanë të bëjnë me kthimet në kufi për shkak të toponimeve greke në pasaportat shqiptare. Si e gjykoni këtë veprim?

Nuk mund t’i përgjigjem plotësisht kësaj pyetje, sepse është një problem që ka dalë kohët e fundit. Por absolutisht nuk mund të pranohen veprime të tilla në Shqipëri, për shkak të toponimeve. Kjo nuk është aspak njerëzore dhe përkeqëson besimin midis popujve. Me një vullnet të mirë të palëve, kjo çështje duhet të ishte zgjidhur. Di që para dy-tre muajsh ka qenë një delegacion i MPJ-së për këtë çështje. Por asgjë nuk është bërë publike se çfarë është thënë dhe si do të zgjidhet. Opinioni duhet informuar.

Intervistoi: Ylli Pata

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.