Spikeri manjak dhunoi për pesë dekada

Jimmy Savile

Qindra viktima, shumica fëmijë, u abuzuan seksualisht nga folësi i BBC

Jimmi SavileFëmijë të shumtë, njëri prej të cilëve ishte vetëm 8 vjeç, u dhunuan seksualisht nga ish-spikeri i BBC, Jimmy Savile, bën të ditur një raport i detajuar që përmbledh 50 vjet akuza dhe që u publikua dje.

Policia e Londrës raportoi se dhunimet kishin ndodhur në mbi 214 raste, përfshirë 34 përdhunime. Prokuroria kërkoi ndjesë për faktin se kishte humbur mundësinë për të përndjekur ligjërisht Savile më 2009, kur ai ishte ende gjallë. Policia tha se dëshmitë e viktimave dhanë “një panoramë rrëqethëse abuzimi seksual të përsëritur në pafundësi dhe të pandëshkuar”.

Ish-prezantuesi i BBC vdiq në moshën 84-vjeçare në tetor 2011, një vit para se të publikoheshin akuzat për dhunimet seksuale të tij. Zbulimi i disa rasteve të abuzimit me fëmijë nga Savile bëri që qindra viktima të bëjnë publike vuajtjet e tyre. Ato qenë sulmuar në mjediset e BBC dhe në shumë institucione të tjera, përfshirë shumë spitale.

BBC tha se ndihej “e tmerruar” nga fakti se disa nga krimet ishin kryer në mjediset e saj dhe i kërkoi viktimave të krimeve “ndjesë të sinqertë”.

Savile kreu krime seksuale në 13 spitale dhe 14 shkolla. Viktima më e re e tij, ishte një djalë tetëvjeçar. Akuza e parë daton më 1955 ndërsa e fundit, më 2009, pak kohë para se të vdiste. Gjithsej 450 njerëz bënë denoncime për abuzime seksuale nga Savile, nga të cilët, 73 për qind ishin të rinj nën 18 vjeç në kohën kur ranë viktimë.

Nuk ka prova të qarta nëse ai ka vepruar në një rrjet pedofilie, megjithëse hetimet për këtë çështje vijojnë. Sekretari për Shëndetësinë tha se dëshironte të sigurohej se kjo gjë nuk do të përsëritet më.

Savile duket se arriti t’i shpëtojë ndëshkimit për krimet e veta pjesërisht për shkak se krimet seksuale ndaj të miturve ishin ende një koncept i panjohur ligjor në dekadat e para të aktivitetit të tij, ndërsa fama e mbrojti nga përndjekjet më vonë.

Dhunimet seksuale fillonin nga ngacmimet dhe puthjet dhe përfundonin me marrëdhënie seksuale. Pronat e Savile, por ndoshta edhe BBC, priten të vihen para përgjegjësisë civile nga avokatët e viktimave.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.