Celebrimet në rënie, fëmijët në rritje

Në dhjetor 2011, vetëm 51 për qind e amerikanëve në moshë qenë të martuar dhe 28 për qind nuk qenë martuar kurrë. Në vitet ’60, të martuarit qenë 72 për qind, ndërsa beqarët e përhershëm vetëm 15 për qind

Lindjet e fëmijëve jashtë martese (dhe normat e divorcit) janë shumë më të ulëta, ndërsa përqindjet e të martuarve janë shumë më të larta mes të pasurve dhe të mirarsimuarve

Stephanie Coontz, profesoreshë në Universitetin Shtetëror Evergreen dhe një kritike mbi promovimin e martesave, argumenton se varfëria është një shkak dhe jo një pasojë e normave të ulëta të martesës

Martesat në Amerikë

The Economist

Martesat ne AmerikeDisa dhjetëra çifte të reja kaluan një mbrëmje të ftohtë të hëne në një sallë konferencash në Oklahoma Siti, duke iu përgjigjur pyetjeve hileqare mbi marrëdhëniet e tyre, të tilla si: kujt i ngjan më shumë partneri i tyre: Simpsons apo familjes Addams? Pyetje të tilla të lehta në fakt kishin një synim serioz: synimi që t’i shtynte çiftet të mendonin për njëri-tjetrin dhe të përmirësonin aftësinë e tyre për të komunikuar.

Çiftet qenë të gjithë prindër të rinj ose që prisnin fëmijë dhe asnjëri prej tyre nuk qe martuar. Po merrnin pjesë në një program që synon të nxisë banorët të ndërtojnë dhe ruajnë një martesë të shëndetshme. Që nga viti 1999, organizata Iniciativa e Oklahomës për Martesën (OMI) ka ndihmuar më shumë se 315 mijë njerëz. Është e para organizatë jetëgjatë dhe e madhe e këtij lloji. Megjithatë, udhëheqësi i seminarit, Boston Snowden, e bën të ditur që në fillim: “Ne nuk po përpiqemi t’u bëjmë ju të martoheni. Thjesht po përpiqemi t’ju tregojmë se ka shumë studime që tregojnë për të mirat e martesës dhe kjo është çfarë duam të theksojmë”.

Siç bëhet e qartë nga gjuha e kujdesshme prej tij, politika e promovimit të martesave është shumë e vështirë. Disa reagojnë keq thjesht ndaj frazës “promovimi i martesës”, një frazë që për disa konsiderohet si një akuzë ndaj mëkatarëve dhe si një thirrje që të heqin dorë nga mëkati e të hyjnë në kishë.

Një nga anëtarët e bordit të OMI, një punonjës i shkencave shoqërore nga një shtet demokratësh, thotë se “promovimi i martesës në vetvete shkakton zemërim nga individët me prirje të majta, të cilët e shohin atë ngushtësisht të lidhur me administratën e [George W.] Bush”.

Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore i Bush me të vërtetë lëshoi një iniciativë për martesa të shëndetshme, e cila financoi shumë aktivitete të ndryshme që synonin nxitjen e martesës. Por promovimi i martesave në shkallë federale është në fakt një fenomen më i vjetër se kaq: më 1996 ligji për reformën e mirëqenies sociale, që u firmos nga Bill Clinton, një demokrat, por që qe gjerësisht vepër e kongresit republikan të kohës, e cilësonte martesën “si një institucion thelbësor për një shoqëri të suksesshme që promovon interesat e fëmijëve”, dhe shtonte se “parandalimi i shtatzënive jashtë martese dhe reduktimi i lindjeve jashtë martese”, përbëjnë “interes shumë të rëndësishëm të qeverisë”.

Republikanët nuk janë të vetëm në vlerësimin e martesës. Një vrojtim i organizuar nga Pew në vitin 2010 tregoi se 61 për qind e të rriturve që nuk kanë qenë kurrë të martuar, dëshironin të martoheshin; vetëm 12 për qind qenë të bindur për të kundërtën. Një sondazh mes të rinjve në shkollë të mesme në vitin 2006 tregoi se 81 për qind e tyre besonin se do të martoheshin dhe se 90 për qind atyre që dëshironin martesë, dëshironin gjithashtu që të vijonin jetën me një person të vetëm.

Spektakle televizive të tilla si “Martesa ime e duhur” apo “Thuaji po fustanit” u bënë menjëherë shumë popullor.

Megjithatë, deri në dhjetor 2011, vetëm 51 për qind e amerikanëve në moshë qenë të martuar dhe 28 për qind nuk qenë martuar kurrë. Në vitet ’60, të martuarit qenë 72 për qind, ndërsa beqarët e përhershëm vetëm 15 për qind.

Mosha mesatare e martesës së parë tashmë është në nivelin e vet më të lartë në histori (gjë që bën që rënia e numrit të martesave të duket më e shpejtë nga sa është me të vërtetë: shumë thjesht sa po e vonojnë martesën në vend që ta harrojnë atë tërësisht).

Megjithatë, rënia e fortë e martesave në raport me popullsinë, nuk është gjithkund njësok: martesat janë të më shumta dhe fëmijët jashtë martese e divorcet janë më të ulëta mes amerikanëve më të pasur dhe me nivel arsimor më të lartë. Një shumicë e lehtë e të bardhëve (55 për qind) janë të martuar ndërsa mes hispanikëve, të martuar janë 48 për qind dhe mes zezakëve, vetëm 31 për qind. Shumica e amerikanëve të të tri racave qenë të martuar në vitet 1960.

Rënie të tilla dhe vonesa të martesave kanë ndodhur në shumicën e vendeve të pasura, por Andrew Cherlin, një sociolog në universitetin Johns Hopkins, i cili studion politikat publike dhe ato të familjes, beson se në Amerikë “nuk gjendet e njëjta tendencë e marrëdhënieve të gjata jashtë martese siç gjendet në Skandinavi, Francë apo Britani… Në SHBA martesa është se si ne krijojmë një familje të qëndrueshme”. Ose së paku kështu qe dikur.

Nëse martesa prek vetëm dy njerëzit që vendosin të martohen apo të mos martohen, do të qe më e lehtë të injorohej rënia e përqindjes së të martuarve. Por bashkë me të pamartuarit vijnë edhe fëmijët jashtë martese. Në vitin 2010, 40.8 për qind e të gjitha lindjeve erdhën nga nënat e pamartuara. Mes hispanikëve shifra qe 53 për qind dhe mes afroamerikanëve, 73 për qind. Më 1965, Daniel Patrick Moynihan, i cili më vonë u bë senator demokrat nga Nju Jorku, bëri thirrje për një ndërhyrje emergjente federale për të ndihmuar në “krijimin e një familjeje të qëndrueshme mes afro-amerikanëve” dhe e justifikoi këtë thirrje pjesërisht duke argumentuar për numrin e lartë të fëmijëve jashtë martese, në atë kohë, “vetëm” 23.6 për qind e të gjitha lindjeve, ose gjysma e asaj që është sot.

Bashkë me lindjet jashtë martese erdhën edhe shtëpitë me një prind, ku më 2011 jetuan 35 për qind e të gjithë fëmijëve amerikanë. Fëmijët që jetojnë në shtëpi të tilla kanë ecuri shumë më të keqe sesa fëmijët e rritur nga prindër të martuar në shumë aspekte, si në arsim, ashtu edhe në çështje emocionale, nga krimet e adoleshentëve te braktisja e shkollës. Norma e varfërisë mes familjeve me një prind dhe familjeve të drejtuara nga një grua, është pesë herë më e lartë sesa ajo e familjeve me dy prindër të martuar.

Gati 71 për qind e të gjitha familjeve të varfra nuk kanë prindër të martuar. Dhe fëmijët e rritur në varfëri kanë tendencën të mbeten edhe vetë të varfër.

Lindjet e fëmijëve jashtë martese (dhe normat e divorcit) janë shumë më të ulëta, ndërsa përqindjet e të martuarve janë shumë më të larta mes të pasurve dhe të mirëarsimuarve. Nuk ka pse të habitemi pra se shumë mbështesin promovimin e martesës jo për arsye morale apo kulturore, por edhe arsyet ekonomike janë një faktor i rëndësishëm. Martesa së paku parandalon thellimin më të madh të pabarazisë.

Por për shumë, gjithsesi kjo mënyrë argumentimi është si të vendosësh karrocën para kalit.

Stephanie Coontz, profesoreshë në Universitetin Shtetëror Evergreen dhe një kritike mbi promovimin e martesave, argumenton se varfëria është një shkak dhe jo një pasojë e normave të ulëta të martesës. Shumë kritikë argumentojnë se qeveria duhet të punojë për pagesa dhe vende pune më të mira dhe të sigurojë akses te shërbimet e planifikimit familjar për të mbajtur shtatzënitë e padëshiruara të ulëta, në vend që të promovojë martesën si një rrugë drejt suksesit ekonomik.

Kritikët shajnë gjithashtu edhe ecurinë e programeve qeveritare. Një studim i kujdesshëm 36-mujor i një organizate të financuar nga qeveria federale për promovimin e martesës, në tetë qytete zbuloi se programet nuk kishin efekte në cilësinë e marrëdhënieve në çift dhe se programet nuk kishin ndihmuar shumë në bindjen e çifteve për të qëndruar bashkë dhe për t’u martuar. OMI, më e madhja nga tetë programet e studiuara, qe një përjashtim. Aty u zbuluan efekte të konsiderueshme pozitive për çiftet me të ardhura të ulëta, pra grupimi me më pak gjasa për martesë dhe fëmijët e të cilëve vuajnë efektet më të këqija të mos-martesës. Në tërësi, 49 për qind e çifteve që morën pjesë në programin e OMI qëndruan bashkë. Numri i ndarjeve besohet se është pakësuar ndjeshëm nga ky program.

Por dilema vijon për shumicën e amerikanëve. Martesë apo jo, fëmijë apo jo.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.