“Eagle 5” rikthehet nga Afganistani, 45 ushtarët ende pa tërhequr rrogat

Publikimi i lajmit të mospagesës së 45 ushtarakëve ka irrituar së tepërmi drejtuesit e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes

Starova – Më 5 dhjetor 2012, kur po diskutohej buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, zv.ministri Starova e pranoi faktin e mospagesës

Shuma totale – Në total, shteti shqiptar u detyrohet 45 ushtarakëve shumën prej 72 900 000 lekësh

Ministria, presione ushtarakëve për nxjerrjen e lajmit për mospagesën





12 mijë lekë – Pagesa ditore për ushtarakët me mision në Afganistan është 12 mijë lekë në ditë

6 muaj – “Eagle 5” ka qëndruar me mision në Herat për 6 muaj gjithsej. Ato kanë qenë gjithsej 45 ushtarë

1 muaj – Ministria e Mbrojtjes i ka paguar vetëm një muaj e 20 ditë të 45 ushtarët e “Eagle 5”

BLEDAR HOTI

ushtaret shqiptare ne afganistanKontingjenti i ushtarëve “Eagle 5” do të kthehet në Shqipëri pa marrë ende pagesën e plotë të kryerjes së detyrës së tyre me mision në Kandahar të Afganistanit. Pas gjashtë muajsh të misionit të tyre në zonën operacionale Spin Boldak, Kandahar, Afganistan, në bashkëpunim me forcat amerikane, 45 trupat shqiptare pritet të kthehen në atdhe të demoralizuar, pasi shteti shqiptar u detyrohet atyre për mosdhënien e pagave. Pas interesimit të gazetës “Shqip”, mësohet se këto trupa ende nuk kanë marrë pagat e tyre. Nga shteti janë paguar vetëm për një muaj dhe 20 ditë, ndërsa kanë mbetur pezull pagat e rreth 5 muajve. Më 8 janar 2013 kanë mbyllur zyrtarisht misionin e tyre dhe se pritet të kthehen së shpejti në atdhe. Një muaj më parë, shqetësimi për mosdhënien e pagesës u ngrit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë nga ana e deputetit të PS-së, Piro Lutaj. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arian Starova, i pranishëm në këtë mbledhje, e pranoi faktin e mospagesës së ushtarakëve tanë në Kandahar. “Është e vërtetë, ka vonesa në pagesa, unë jam informuar, por të jeni të sigurt që të gjithë ushtarakët do të paguhen”, theksoi Starova në mbledhjen e komisionit të 4 dhjetorit, kur diskutohej buxheti i ministrisë së Mbrojtjes. Gazeta “Shqip” ka mësuar se bërja publike e faktit të mospagesës së 45 ushtarakëve nuk është përtypur mirë nga drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes. Drejtues të togave të gjelbra mësohet se kanë kritikuar ashpër ushtarakët që kanë ngritur zërat e tyre për moshedhjen e parave në llogaritë bankare. Sipas udhëzimit të Këshillit të Ministrave, parashikohen disa kategori pagesash për ushtarakët që shkojnë me misione në komandën e NATO-s.

Udhëzimi i qeverisë

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave “Për caktimin e shpërblimit ditor për ushtarakët shqiptarë të dërguar në Afganistan, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit” ka disa mënyra pagese për trupat ushtarake. Nga 60 dollarë amerikanë që ishte parashikuar, për nivelin e parë të rrezikshmërisë që nga viti 2010 ato përfitojnë 12 mijë lekë të reja. Ndërsa ushtarakët që janë në nivelin e dytë të rrezikshmërisë përfitojnë 9 mijë lekë në ditë. Të 45 trupat ushtarake të “Eagle 5” përfshihen në kategorinë e parë të rrezikshmërisë, pra përfitojnë shumën e 12 mijë lekëve në ditë. Duke përfshirë tatimet, ato marrin neto 10.8 mijë lekë. Në total shteti shqiptar u detyrohet 45 ushtarakëve shumën prej 72 900 000 lekësh. Trupat “Eagle 5” (Shqiponja 5) u vlerësuan së tepërmi për misionin e kryer. Uebsajti zyrtar i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë një reportazh me pjesëtarët e njësitit shqiptar ALBSOF, të cilët shërbejnë si pjesë e Task-Forcës që udhëhiqet nga forcat amerikane në provincën e Kandaharit në Afganistan. “Më mirë të vdesim për diçka, sesa të jetojmë për asgjë”, është motoja e njësitit, e cila ka përcaktuar jetën e ushtarëve të saj përgjatë të gjitha luftimeve dhe operacioneve të shumta paqeruajtëse. ALBSOF është i kualifikuar në luftën kundër terrorizmit dhe në taktika të sigurisë së personelit. “Duhet të jeni të trajnuar mirë dhe psikologjikisht e fizikisht të përgatitur… Duhet ta dini kur duhet përdorur arma, kur penda dhe kur duhet të jesh njeri. Duhet përdorur mendja para forcës”, thotë rreshteri i njësitit. Pjesëtarët e ALBSOF-it kanë luftuar dhe janë trajnuar së bashku me forcat turke dhe amerikane. Ata vazhdojnë shërbimin si pjesë e Task-Forcës që udhëhiqet nga forcat amerikane në provincën e Kandaharit. Sipas nënkolonelit David Soika, komandant i Batalionit të Pestë, Regjimenti i 20 i Këmbësorisë, ekziston një lidhje mes dy forcave dhe pothuajse një miqësi e menjëhershme. Për Soikën, njohuria që ka ALBSOF-i për zonën në kombinim me aftësitë që zakonisht nuk përfitohen në këmbësori apo kalorësi, ka ndihmuar ushtarët për të mësuar dhe kuptuar çështjet unike me të cilat përballet kjo zonë.

 

 

Rrotacioni

Sot niset drejt Afganistanit kontingjenti “Eagle 6”

Ministria e Mbrojtjes njofton se sot do të realizohet nisja e trupave ushtarake të trupave paqeruajtëse “Eagle 6” drejt Afganistanit. Këto trupa do të zëvendësojnë kontingjentin “Eagle 5”. “Sot, në mjediset e Batalionit Komando dhe të Batalionit të Forcave Speciale në Zall-Herr, do të zhvillohet ceremonia për përcjelljen e Kontingjentit të 12 Paqeruajtës në Herat dhe Kontingjentit Paqeruajtës “Eagle-6” me mision në Kandahar të Afganistanit. Në përcjelljen e trupave paqeruajtëse do të marrë pjesë ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, si dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pas një jave pritet të kthehet në atdhe kontingjenti i “Eagle 5”.





Comments are closed.