Kufiri detar, Greqia gati ta çojë në OKB

Fqinjët jugorë kanë mosmarrëveshje edhe me Turqinë dhe Libinë për ndarjen e zonës ekskluzive ekonomike

Qeveria greke po analizon në mënyrë serioze mundësinë për të deklaruar brenda muajve të parë të këtij viti pranë Kombeve të Bashkuara, koordinatat e saj gjeografike për sa i përket Zonës Ekskluzive Ekonomike greke, ose e thënë ndryshe kufijtë detarë të saj.

Lajmin e publikon gazeta “To Vima”, sipas së cilës kryeministri Samaras e ka mbështetur një veprim të tillë, pas bisedimeve të njëpasnjëshme me partnerët e tij politikë në qeveri në muajt e fundit. Madje në tryezën e këtyre bisedimeve për këtë çështje që Athina e konsideron tepër të rëndësishme dhe jetike është hedhur edhe ideja e shpalljes në mënyrë të njëanshme të koordinatave të shelfit kontinental grek.

Por është konkluduar se ky veprim nuk do të fitojë aktualisht terren, pasi mund të shkaktojë episod të nxehtë me Turqinë, duke shkatërruar arritjet e deritanishme për këtë çështje, si dhe të sjellë reagime të mëdha nga vendet e tjera fqinje, që janë kundër shpalljes në mënyrë të njëanshme të këtyre koordinatave.

Në nxitimin e Athinës, rol shumë të madh kanë luajtur edhe zhvillimet e fundit pas kërkimeve në zonat e detit Jon, si dhe në jug të Kretës për burime nafte dhe gazi natyror. Raporte të ndryshme të kompanive ndërkombëtare të kërkimeve të rezervave natyrore në det parashikojnë se depozitat e naftës dhe të gazit natyror në këto zona, vlerësohen në shumën kolosale prej 1.3 trilionë eurosh për dekadën e ardhshme, e thënë ndryshe, gati katër herë më shumë se borxhi grek.

Çështjen e përcaktimit të kufijve detarë e ka marrë Departamenti Hidrografik i Marinës, i cili e ka përfunduar këtë proces dhe tashmë është në bisedime me drejtoritë përkatëse të Ministrisë së Jashtme në lidhje me trajtimin juridik të kësaj nisme dhe depozitimin e saj në Drejtorinë e Çështjeve Oqeanike dhe të së Drejtës Ndërkombëtare për Detin në OKB.

Siç dihet, Greqia ka nënshkruar një pakt me Shqipërinë në vitin 2009 për kufijtë detarë, i cili më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe ende nuk është proceduar në një nivel të ri bisedimesh. Nga ana tjetër, Athina ka shtatë vjet që po negocion me Egjiptin, pa arritur në një marrëveshje të saktë për kufijtë detarë, me Turqinë bisedimet gjithnjë janë të ndërvarura nga tensionet midis dy vendeve, ndërsa edhe negociatat me Libinë janë në një fazë tranzicioni për arsye të zhvillimeve politike në këtë vend.

Aleksandër Marku









4 Comments
  1. Bajram Doka says

    Me zhurmen per vendosjen ne menyre te njeaneshme te kufijeve detare, Greqia mendon te teheqe vemendjen e opinionit qe populli i saj te harrojne masat e dhimbshme ekonomike qe do te perballet ne te ardhemen.Keshtu vemedje e grekeve tani zhvendoset ne “forcen ” qe shteti grek “cfaq” per ndryshim kufijsh per te harruar katrahuren ekonomike qe e ka perfshire popullin e ngrate Grek.

  2. Kerpaci says

    Greqia le te beje c’te doje. Puna eshte cdo beje per ta kundershtuar ky vend i pjerdhur me kriminelet qe jane gati te shesin cdo gje. Po nuk u var Berisha s’ka qetsi jo per Shqiperine, por as per Ballkanin .

  3. Dulaku.pr says

    Me zhurme APO pa zhurme, na Pelqen APO sna Pelqen sikurse shkau, poashtu edhe greku vendosin , bejne fakte ne teren e jo ca fjale e Politik ne tweter APO Facebook!
    Ky esht dallimi ndermjjet armiqve tane grekosllav dhe maskarrenjve o Ton ali asllani / shqiptare!
    Shqipersise i duhet nje Elite e re e paflliqur dhe jo e pjekur ne komunizem e tash e Kalbur dhe infektuse!
    Dulaku pr

  4. Dtf says

    Lexova nje lajm mbi nje plan fitimprures te Rusise per ndertimin e nje pipeline gazi natyror qe kalon mes per mes Ballkanit (Shqiperia nuk perfshihet) dhe madje permes detit te Greqise. Pritet qe mbaroje ne vitin 2015 dhe furnizon krejtsisht Europen duke e bere te varur ekonomikisht nga gazi natyror rus. Ndoshta Greqia perfiton nga ky plan dhe prandaj ka lindur ose rilindur kjo grindja per kufinjte detare.

Comments are closed.