Paratë, ende nuk duken te Tirana bardheblutë bojkotojnë stërvitjen

Tagani dhe Tafaj do të takohen sot me futbollistët, ndërsa premtojne se rrogat do të shlyhen deri të dielën

Paratë, ende nuk duken te Tirana bardheblutë bojkotojnë stërvitjen

Lojtarët kërkojnë takim urgjent me drejtuesit për të sqaruar situatën

Altin Manallari

Kriza financiare vazhdon të japë probleme tek Tirana në prag të mbylljes së vitit kalendarik 2012. Ishte premtuar se gjatë kësaj jave do të shlyheshin të paktën disa rroga të prapambetura, ajo e tetorit të vitit 2011 dhe ajo e tetorit të këtij. Por deri dje në mbrëmje, asgjë nuk ka ndryshuar. Kjo ka revoltuar futbollistët, të cilëve pak nga pak po u soset durimi. Lojtarët bardheblu kanë bojkotuar stërvitjen e parashikuar për dje, në formë proteste për rrogat e pashlyera. Ata janë grumbulluar të gjithë në ambientet e klubit në “Skënder Halili”, por kanë vendosur të mos zbresin në fushë. Sikurse është bërë e ditur nga vetë përfaqësuesit e grupit të lojtarëve, ata kërkojnë takim urgjent me drejtuesit e klubit, administratorin Salih Tagani dhe trajnerin Alban Tafaj, për të sqaruar situatën. Klubi kishte premtuar që javën tjetër se paratë do të shlyheshin gjatë kësaj jave, por deri më tani, paratë nuk duken. Që të mbyllet java, mbetet dita e sotme dhe e diela. Pas protestës, drejtuesit e 24-herë kampionëve kanë bërë të ditur se takimi me futbollistët do të bëhet sot. Ata vazhdojnë të theksojnë se deri të dielën, paratë e premtuara do të likuidohen. Por nuk kanë dhënë sërish një ditë fikse, pasi ende nuk kanë marrë paratë e premtuara nga sponsori anonim. Arka e Tiranës është e “boshatisur”, çka rrjedhimisht mban peng të gjithë klubin. Një situatë e zymtë, ndoshta nga më të errëtat e viteve të fundit te bardheblutë. Edhe një vit më parë, pikërisht në këtë kohë, kryeqytetasit vuanin të njëjtin problem. Madje, u desh ndërhyrja e kryebashkiakut Lulzim Basha, që situata të normalizohej dhe ekipi të paguhej rregullisht. Sikundër është përmendur, pagat mujore për këtë skuadër shkojnë përafërsisht 75 milionë lekë të vjetra, duke qenë se lojtari më i paguar merr 6 mijë euro, kurse paga minimale varion te 1 mijë euro. Mirëpo mund të ketë edhe ulje-ngritje, në varësi të minutazhit që ka çdo lojtar. Po ashtu, klubi Tirana mbetet jashtë vëmendjes së kreybashkiakut Lulzim Basha, i cili nuk e ka zhvilluar takimin e parashikuar me administratorin Tagani dhe trajnerin Tafaj. Qytetari numër një i kryeqytetit, dje ka asistuar nga afër ndeshjet finale të minifutbollit mes shkollave të mesme të Tiranës, duke laureuar me “diploma” vlerësuese fituesit. Në krah të tij kanë qenë edhe dy anëtarët e bordit drejtues të Tiranës, Sulejman Mema dhe Indrit Fortuzi, ky i fundit kryetar minibashkie në kryeqytet. Nuk mungonin as ish-futbollistët Afrim Tole, Florian Riza, Krenar Alimehmeti dhe Sajmir Patushi. Sikurse duket, drejtuesit e Tiranës kanë gjetur kohë për këtë aktivitet, edhe pse situata në ekipin 24-herë kampion të vendit është e nderë, me probleme të mëdha financiare dhe rrezik për eksod lojtarësh në merkaton e janarit.

 

Kryebashkiaku – Klubi Tirana, i cili po kalon një krizë të vështirë financiare, ka mbetur edhe jashtë vëmendjes së kryebashkiakut Lulzim Basha, i cili po e shtyn pafund takimin me administratorin Tagani, ku pritet t’i jepet zgjidhje përfundimtare situatës kaotike

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.