Lajme sportive shkurt

Incidenti

Napoli, grabitet në rrugë Valon Behrami

Lojtari zviceran me origjinë shqiptare, Valon Behrami, i cili aktivizohet në radhët e Napolit, është bërë viktimë e një vjedhjeje. Të enjten në darkë, mesfushori ndodhej në rrugën “Riviera di Chiaia” në Napoli, kur ndodhi ngjarja. Futbollisti ishte në makinën e tij, kur dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës, kanë arritur t’i marrin nga dora orën e markës “Hublot”. Personat e armatosur janë larguar me shpejtësi me një motor. Më pas Behrami ka denoncuar vjedhjen në Komisariatin San Ferdinando. Kjo ngjarje i shtohet listës së futbollistëve të Napolit dhe bashkëshorteve të tyre, që janë bërë viktima të kriminalitetit: në 2011 iu grabit ora gruas së Edison Kavanit, më pas prokurorit të tij Klaudio Aneluçi iu mor ora dhe portofoli. Viktimë ka qenë edhe gruaja e mesfushorit Marek Hamsik dhe motra e Garganos, ish-lojtar i Napolit.

Ngjarja – Futbollisti me origjinë shqiptare ishte në makinën e tij, kur dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës, kanë arritur t’i marrin nga dora orën e markës “Hublot”

 

Kosovë

Xhaka: Ndeshja me Shqipërinë, e veçantë

Gjatë vizitës së ditëve të fundit në Kosovë, Granit Xhaka, futbollisti me origjinë shqiptare por i natyralizuar në zviceran, ka folur edhe për ndeshjen e luajtur Zvicër-Shqipëri, që përfundoi me rezultatin 2-0. Ai theksoi edhe një herë se sfida ndaj Shqipërisë ishte lojë e vështirë dhe e veçantë për të. “Ishte ndeshje e vështirë për ne shqiptarët, por më është dashur që të kryej detyrën, dhe e kryem duke fituar 2-0. Shqipëria ka një ekip të mirë”, tha Xhakaj. Këtë deklaratë lojtari e bëri gjatë vizitës dje në klubin e futbollit Prishtina në kryeqytetin e Kosovës, ku ishte i shoqëruar nga kryetari Remzi Ejupi, nënkryetari Ahmet Kurtolli dhe trajneri Afrim Tovërlani. Lojtari i Borusia Monchengladbach është shprehur i lumtur që ndodhet në kryeqytetin e Kosovës. “Ndihem i lumtur që jam këtu, dhe dy javët e pushimit do t’i kaloj këtu në Kosovë”, ka thënë Xhaka.

Deklarata – “Ishte ndeshje e vështirë për ne shqiptarët, por na është dashur që të kryejmë detyrën dhe e kryem duke fituar 2-0. Shqipëria ka një ekip të mirë”

 

 

Kritika

Ylli holandez i Barcelonës u sugjeron rivalët të përjetshëm: Kopjoni menaxhimin e Barcelonës

Krujf sulmon sërish: Reali vuan për faj të Murinjos

Johan Krujf, futbollisti legjendar i Barcelonës dhe kombëtares holandeze, vazhdon të thumbojë në distancë Realin e Madridit dhe trajnerin e tij, Zhoze Murinjo. Sipas ikonës së katalanasve tekniku portugez i madrilenëve është duke paguar qasjen e tij ndaj punës, shumë i zhurmshëm e me të bërtitura. Kampionët spanjollë në fuqi kanë qenë duke luftuar për të rigjetur formën e tyre optimale në javët e fundit, ndërsa ylli i futbollit holandez mendon se “Los Blancos” do të bënin mirë të adaptonin qasjen e katalanasve në rekrutimin e lojtarëve dhe në qetësinë që i karakterizon në punën si klub. “Sjellja negative e Murinjos gjithmonë do të ketë pasojat e saj. Ai mendon se mënyra e tij e të stërviturit është më e drejta, por nëse arsyeton me qetësi, duke pasur për bazë rezultatet e fundit, rezulton se kjo është e gabuar, – tha Krujf. – Unë nuk jam i befasuar nga ajo që po ndodh në Madrid. Kështu ndodh gjithmonë kur filozofia juaj e punës mbështetet vetëm në një drejtim: nënshkrimi me lojtarë të mëdhenj, që nuk vijnë nga ekipet zinxhir të klubit. Lojtarët e ardhur nga vende të ndryshme të botës do të kenë vetëm një lidhje shpirtërore me klubin, që quhet ndryshe kontratë. Kjo nënkupton se e kanë mendjen te paratë që do të marrin, nuk e ndiejnë klubin si pjesë të zemrës së tyre. Transferimet mund të sjellin lojtarë të mirë, por kurrë për një kohë të gjatë. Klubet duhet të mbështeten e të bazohen te sistemi i tyre i të rinjve”. Në fund Krujf ka theksuar se është i bindur që mungesa e Tito Vilanovës nuk do të ndikojë në vijimësinë pozitive të Barcelonës.

 

Pragndeshja

Alegri elozhe Romës: Mes më të fortëve

Tekniku i Milanit është gati për supersfidën e “Olimpikos”, ku ekipi i tij do të përballet me Romën e Zdenek Zeman. Masimiliano Allegri foli me elozhe për kolegun e tij, teksa karikoi skuadrën për këtë ndeshje. “Duhet të luajmë një ndeshje perfekte në çdo aspekt. Zeman është thuajse më i miri në organizimin e lojtarëve dhe një nga të paktët në qarkullim që i ka dhënë përparësi lojës në mbrojtje. Do të jetë një ndeshje e vështirë, duhet të bëjmë më të mirën dhe nuk duhet të gabojmë nga ana taktike. Roma kur zhvillon një lojë ofensive bëhet shumë e rrezikshme dhe është e vështirë ta mundësh. Është taktikisht një nga skuadrat më të forta në kampionat”, përfundoi Alegri.

 

Mosmarrëveshjet

Shnajder largohet në janar nga Interi

Mesfushori i Interit, Uesley Shnajder, do të largohet nga klubi gjatë periudhës së transferimeve në muajin janar. Këtë e ka njoftuar gruaja e tij, Yolanthe. Ylli holandez prej disa muajsh nuk është aktivizuar në radhët e zikaltërve, pavarësisht se është rikuperuar nga një dëmtim i pësuar më herët gjatë këtij sezoni. Palët nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës së tij dhe Shnajder pritet të braktisë gjigantin milanez në janar. Kjo, sipas deklaratave të gruas së tij Yolanthe, e cila u shpreh për mediat italiane të premten: “Jemi në procesin e largimit nga Milano, gjithçka pritet të sqarohet në ditët e para të janarit”

 

Vendimi

UEFA pezullon Malagan për borxhet e shumta

E kishte paralajmëruar dhe më në fund UEFA ka reaguar me dorë të hekurt, duke mos treguar aspak mëshirë. Organi më i lartë i futbollit në Kontinentin e Vjetër bëri të ditur se ekipi i Malagas është përjashtuar për vitin e ardhshëm nga kompeticionet europiane. Spanjollët nuk ia kanë dalë mbanë të përmbushin kërkesat financiare dhe borxhet e klubit janë të shumta. Malaga sezonin e kaluar u rendit në vendin e katërt dhe këtë vit është në fazën e 1/8 të Champions League. Gjithsesi andaluzianët gjatë verës kanë pasur probleme financiare dhe tashmë duhet të përballen me sanksionet e UEFA-s. Deri në mars të 2013-s, klubi duhet të ketë vërtetuar që i ka shlyer të gjitha borxhet. Nuk i kanë shpëtuar dot ndëshkimit as ekipet kroate Hajduk e Osijek apo rumunët e Rapidin dhe Dinamon e Bukuresht.

 

Presidenti i FIGC

Abete: Seria A të rikthehet me 18 skuadra

Në një intervistë të dhënë për “La Nazione”, presidenti i FIGC Xhankarlo Abete ka folur për dëshirën e tij për të rikandiduar, vendim i marrë falë konsensusit që lidhet me emrin e tij. Abete kërkon të përmirësojë skuadrat e të rinjve dhe të rikualifikojë teknikët e rinj. Lidhur me çështjen delikate të Napolit, Abete shprehet: “Nuk ishte e mundur të prisje më shumë, Palazzi punonte për këtë çështje që nga qershori”. Presidenti i la derën hapur Farinës, duke thënë se, nëse do dëshironte të kthehej në Itali, një vend në federatë do ta këtë gjithmonë. Abete deklaroi se do të dëshironte që Seria A të rikthehej në formatin me 18 skuadra. Për sa i përket kombëtares së Prandelit, Abete nuk ka dyshime: “Jemi të gatshëm të përballemi me çdo skuadër në Kampionatin Botëror në Brazil 2014”.

 

Çështja

Zbulohet goditja e rëndë që qeveria e futbollit botëror i dha Kosovës në vendimin e miratuar nga KE

FIFA, Kosovës: Para se të luani miqësore, pyesni Serbinë!

FIFA i ka dhënë një goditje të rëndë Kosovës. Kjo është ajo që pason vendimin e marrë nga Komiteti Ekzekutiv i qeverisë botërore të futbollit në mbledhjen e vet që mbajti para pak ditëve në Tokio. Ky institucion ka vendosur që Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në çdo rast që do të duhet të organizojë ndeshje të kombëtareve të saj të të rinjve, femrave apo edhe klubeve, fillimisht do të duhet të vërë në dijeni Serbinë. Po ashtu, këto ndeshje ekipet kosovare duhet t’i luajnë pa simbole shtetërore. Kështu shkruhej dje në portalin online të gazetës kosovare “Express”. Sipas burimit të kësaj gazete, tani pritet konfirmimi edhe nga vetë FFK-ja. Institucioni i futbollit kosovar do të duhet të shpjegojë edhe disa detaje të tjera, për të cilat tashmë është njoftuar nga FIFA. Burimi në fjalë pohon se FFK-ja menjëherë i është kundërpërgjigjur FIFA-s, duke e refuzuar këtë vendim të saj. Pas moslejimit nga FIFA që Kosova të luante miqësore me Përfaqësuesen A, padyshim kjo është një goditje shumë më e madhe që organizata ia jep jo vetëm futbollit kosovar, por shtetit në përgjithësi. Në fakt, ky lajm ishte publikuar që prej disa ditësh në mediat serbe, ku e ka cituar kryetari i Federatës së Serbisë, Karaxhiç. Por kjo dukej e pabesueshme për kosovarët, aq sa sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, kishte deklaruar se “Serbia kurrë nuk do të pyetet për Kosovën, aq më pak për futboll”.

 

Dhurata

Një italian i rikthen Shqipërisë medaljen e Ballkaniadës 1946

Trofeu i vetëm i rëndësishëm, i fituar nga Shqipëria në arenën ndërkombëtare të futbollit, është titulli Kampion i Ballkanit në vitin 1946, ku përfaqësuesja kuqezi, e drejtuar nga ish-trajneri serb Broçiç, arriti të triumfonte në përballjet me fqinjët e gadishullit tonë. Por për ironi të fatit, Federata Shqiptare e Futbollit nuk zotëronte deri dje, jo vetëm trofeun, por as edhe medalje apo diplomën e këtij kompeticioni. Kjo e fundit i është shtuar pikërisht dje muzeut të institucionit më të lartë të futbollit në vend. Aldo Terrusi, nipi i portierit Xhakomo Pozeli, i cili edhe pse me nënshtetësi italiane mbronte portën e Shqipërisë, i ka dhuruar FSHF-së një nga dokumentet e asaj kohe, kur daja e tij u shpall dhe kampion i Ballkanit me kuqezinjtë.  Ndërkohë, vetë trofeu i fituar në atë kohë, që është i pari dhe i vetmi i përfaqësueses sonë në rang ndërkombëtar, nuk ekziston në zyrat e Federatës. Burime pranë këtij institucioni pohuan se po punohet për riprodhimin e kësaj kupe.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.