Lajme sportive shkurt

Kampionati shqiptar

Shpallja do të bëhet sot në mbrëmjen gala të FSHF-së, ku do të shpërndahen edhe disa çmime të tjera

Orges Shehi, favorit për “Lojtari më i mirë i 2012”

Orges Shehi është kandidati favorit për të marrë çmimin e “Lojtarit më të mirë të vitit 2012” për kampionatin shqiptar të futbollit. Gjithçka pritet të zyrtarizohet sot nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), që është edhe organizatorja e votimit. Ashtu siç është bërë traditë prej shumë vitesh, institucioni më i lartë i futbollit do të bëjë sot një mbyllje zyrtare të vitin kalendarik me një mbrëmje gala. Kjo mbrëmje festive është parashikuar të mbahet në orët e para të mbrëmjes së sotme në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Të pranishëm do të jenë drejtues të klubeve, të ftuar të shumtë nga fusha e futbollit në vend, mediat sportive. Ky është një ritual që Federata Shqiptare e Futbollit, ashtu sikurse edhe homologet e nëpër botë kërkon të mbyllë sa më mirë vitin kalendarik 2012. Do të jetë pikërisht mbrëmja gala rasti ku futbolli do të njohë edhe “Topin e Artë 2012”. Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, burime të besueshme në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë lënë të kuptohet se fituesi më i mundshëm është Orges Shehi, portieri i Skënderbeut, kampionit në fuqi të vendit dhe dominuesit të pandalshëm të fazës së parë të sezonit të ri në Kategorinë Superiore. Gardiani 35-vjeçar i portës së “Ujqërve të Dëborës” konsiderohet si një nga pikat më të forta në ecurinë e suksesshme të kësaj skuadre në edicionet e fundit. Ai është vlerësuar jo rrallëherë si portieri më i mirë i kampionatit shqiptar. Sot nuk priten surpriza, gjithsesi zyrtarizimi është ai që i vë vulën lojtarit që do të marrë këtë çmim. Votimi është organizuar nga FSHF dhe për emrin e fituesit janë marrë parasysh votat e trajnerëve dhe kapitenëve të skuadrave shqiptare. Sot do të ndahen edhe disa çmime të tjera. Loro Boriçi, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit tonë, pritet të shpallet nderi i futbollit shqiptar. Në këtë mbrëmje gala, do të shpërndahen tri çmime me titullin “Legjenda të Futbollit Shqiptar” si dhe pesë pllakata “Mirënjohjeje”.

 

 

Barcelona

Operohet Tito Vilanova, mjekët janë optimistë

Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët shprehen optimistë, megjithëse janë të rezervuar në detaje, ndërsa mediat flasin se trajnerit do t’i duhen të paktën 6 javë për t’u rikuperuar plotësisht. Ndërkohë, jo vetëm Barcelona, por e gjithë bota e futbollit ka shprehur mbështetjen për Vilanovën, i cili vuan për herë të dytë këtë sëmundje të rëndë. Drejtuesit e klubit janë rezervuar të flasin për të ardhmen e trajnerit, ndërsa skuadra ka vijuar normalisht stërvitjen nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Zhordi Roura.

 

Europa League

Cana kundër Xhakës, Bala luan ndaj Çelsit

Krahas shortit të 1/8 finale të Ligës së Kampioneve, të enjten në Nion të Zvicrës janë zbardhur edhe çiftet e turit të 1/16-ve në Europa League. Spikat përballja mes Lacios dhe Mynshengldbahut, dy skuadra ku aktivizohen lojtarë shqiptarë. Konkretisht, Lorik Cana, kapiteni i kombëtares kuqezi për italianët dhe Granit Xhaka, kosovari i kombëtares zvicerane për gjermanët e Bundesligës. Skuadra tjetër me emër, që zhgënjeu në Ligën e Kampionëve, Çelsi, do të ndeshet me Spartën e Pragës, ku aktivizohet shqiptari Bekim Bala.

 

Merkato

Mazrekaj, tratativa e vetme zyrtare e Tiranës

Mesfushori sulmues i Prishtinës, Mentor Mazrekaj, është afër kalimit te skuadra më e madhe shqiptare, Tirana, i cili vazhdon të jetë e bllokuar në merkato edhe për shkak të krizës financiare. Lajmin e kanë bërë të ditur burime të besueshme pranë klubit Tirana, por e ka konfirmuar edhe vetë lojtari. “Më kanë telefonuar zyrtarë të Tiranës, të cilët janë shumë të interesuar për shërbimet e mia. Kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për t’u arritur marrëveshja. Një ndër arsyet që më shtyn të nënshkruaj me Tiranën, është fakti se nëpërmjet këtij klubi mund të transferohem diku në Europë”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.