Lajme sportive shkurt

Renditja e FIFA-s

Barazimi me Kamerunin ndikoi në përmirësimin e Kombëtares në klasifikim

Shqipëria e 63-ta, ngjit 4 vende në muajin e fundit, 14 në 2012-n

Shqipëria bën sërish hapa përpara në renditjen e përmuajshme të FIFA-s për kombëtaret e të gjitha vendeve të botës. Pikërisht në momentin kur kampionati shqiptar i futbollit është vënë nën akuzë si më i korruptuari në botë, është përfaqësuesja ajo që po jep imazhin e kundërt, atë të një ekipi që po përmirësohet ndeshje pas ndeshjeje. Këtë e ka konfirmuar edhe renditja botërore e FIFA-s e publikuar dje, ku Kombëtarja kuqezi klasifikohet në vendin e 63-të. Skuadra e Shqipërisë fiton kështu 4 vende në krahasim me një muaj më parë dhe kjo falë barazimit 0-0 ndaj Kamerunit, kombëtare të cilën e kemi tani vetëm 2 vende para nesh. Skuadra e drejtuar nga Xhani De Biazi ka pasur një ecuri të mirë në eliminatoret e Botërorit Brazil 2012, duke përfituar edhe nga fakti se 3 nga 4 ndeshjet e deritanishme i ka luajtur në shtëpi. Ky është pozicioni më i mirë i skuadrës shqiptare për vitin 2012, ndërsa në janar ishte në vendin e 77-të. Natyrisht, ende jemi larg nga rekordi, pozicioni i 50-të në botë që patëm në maj të vitit 2011. Për rivalët e grupit në eliminatoret e botëror ka pasur përgjithësisht përparim. Zvicra është e 12-a, Norvegjia e 24-ta, Sllovenia e 49-ta, Islanda e 90-ta, ndërsa vetëm Qipro ka humbur 5 vende dhe është tani e 132-ta. Në krye të renditjes botërore ndodhet si gjithnjë kohët e fundit Spanja, e ndjekur nga Gjermania dhe pastaj Argjentina, Italia, Kolumbia e Anglia. Ndërkaq, Brazili është një katastrofë e vërtetë, duke humbur 5 vende dhe duke zbritur në pozicionin e 18-të. Një ndër klasifikimet më negative të brazilianëve ndër vite.

 

Renditja e FIFA-s

1. Spanja 1606 pikë

2. Gjermania 1437

3. Argjentina 1290

4. Italia 1165

5. Kolumbia 1164

6. Anglia 1151

7. Portugalia 1144

8. Holanda 1124

9. Rusia 1070

10. Kroacia 1064

———————–

63. Shqipëria 518

 

 

Spanjë

Tekniku katalanas do t’i nënshtrohet operacionit ditën e sotme

Tronditet Barcelona, trajnerit Vilanova i rishfaqet kanceri

Pas një lajmi të mirë për rinovimin e kontratave me Mesin, Ksavin dhe Pujol, vjen një lajm shumë i keq për Barcelonën. Tito Vilanovës, trajnerit të katalanasve, i është rikthyer sëmundja e kancerit. Lajmin e jep gazeta barceloniste “El Mundo Deportivo”, ndërsa shqetësimi është i madh lidhur me të ardhmen e Vilanovës në stolin “blaugrana”. Presidenti Sandro Rosel kishte parashikuar një dalje para mediave përpara festës së Krishtlindjeve, ndërsa skuadra vazhdon përgatitjet për ndeshjen e fundit të këtij viti, atë në fushën e Vajadolidit në kampionat. Tito Vilanova do të operohet menjëherë nga një grup i specializuar mjekësh. Ndërhyrja do të bëhet sot dhe sipas “El Mundo Deportivos”, ky operacion do të bëhet në repartin e traumatologjisë në spitalin “Val d’Hebron” të Barcelonës. Vilanova u sëmur fillimisht me kancer në vitin 2011, por ia doli të fitonte betejën për jetë a vdekje, ndërsa skuadra e drejtuar në atë kohë nga Pep Guardiola, fitoi thuajse gjithçka, përfshi edhe titullin kampion në Spanjë dhe Champions League. Katalanasit patën një tjetër përvojë tronditëse me sëmundjen e kancerit që goditi mbrojtësin francez, Erik Abidal dhe pikërisht atij iu dedikua Champions-i i fituar në “Uembli” ndaj Mançester Junajtid, duke qenë ai kapiteni për atë moment. Mbetet në pikëpyetje nëse Vilanova do të vazhdojë të drejtojë skuadrën që mori në dorëzim pas dorëheqjes së Guardiolës, ndërsa Bacelona ka theksuar: “Nuk kërkojmë trajner tjetër”.

Vilanova  – Trajneri i Barcelonës në një seancë stërvitore

 

 

UEFA

Reali shpreson Shalken. Barcelona, tmerri i të gjithëve

Champions League, ankth para hedhjes së shortit të sotëm

Gjigandët e futbollit europian sot do të jenë të mbërthyer nga ankthi në pritje për të mësuar se cili do të jetë kundërshtari i tyre në turin me eliminim direkt. Shorti është programuar për sot në selinë e konfederatës së futbollit europian, në Nion të Zvicrës dhe është parashikuar të nisë në orën 11.30. Formula e shortit të Champions League do të shikojë fituesit e grupeve të sfidojnë skuadrat që u klasifikuan të dytat. Do të jenë pikërisht këta të fundit që do ta luajnë ndeshjen e parë në shtëpi. Por në këtë fazë nuk mund të kryqëzohen skuadrat e kualifikuara nga i njëjti grup apo edhe klube të të njëjtit shtet. Është shumë e mundur të kemi përplasje gjigantësh. Kjo për vetë faktin se dy skuadrat e njohura, Reali i Madridit dhe Milani janë të pozicionuara në vazon e dytë. Reali e ka të garantuar shmangien e Barcelonës dhe Malagës, por është shumë e mundur një sfidë me njërën  nga PSG, Borusia Dortmund, Bajern Mynih dhe Mançester Junajtid. I njëjti diskutim vlen për Milanin, i cili nga ana e tij, ka shmangur Juventusin, por situata ndërlikohet kur kujtojmë se përballë mund të ketë Barcelonën e frikshme të Lionel Mesit. Si Milani ashtu edhe Reali do të ishin me shumë fat nëse përballë do të kishin gjermanët e Shalkes, të cilët e kualifikuan si skuadra e fituese e grupit të saj, duke lënë prapa Arsenalin. Megjithatë do të duhet të presim se cilat do të jenë çiftet që do të dalin nga tërheqja e goglave.

Shorti – Foto nga hedhja e shortit të Champions në vitin 2012

 

 

Zvicër

“Il Mattino” ia jep Sadikut “Topin e Artë”

Për redaksinë e gazetës “Il Mattino”, Armando Sadiku është “Topi i Artë 2012” i futbollit të Zvicrës “italiane”. Kjo ka qenë një mënyrë vlerësimi për sulmuesin shqiptar të Luganos, i cili ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në vitin kalendarik që po mbyllet. “Nga shkurti e më pas, duke veshur në fillim bluzën e Lokarnos e më pas atë të Luganos, ka shënuar 20 gola: 9 me skuadrën e parë dhe 11 me të dytën. Bomber race, zbulim në dy vitet e fundit. Një rënie e lehtë nga shtatori i 2012-s, megjithatë është më i mirë”, shkruante dje “Il Mattino”.

 

Kupa e Italisë

Cana eliminon Bogdanin me një autogol të pafat

Një autogol i pafat i Lorik Canës në portën e Lacios është zhvlerësuar më pas me kualifikimin falë ruletës së penalltive, ku skuadra e mesfushori kuqezi eliminoi Sienën e Erjon Bogdanit. Sulmuesi shtatlartë e nisi ndeshjen si titullar, por në 55 minutat në fushë nuk la shenjë. Menjëherë pas zëvendësimit të Bogdanit, ka ardhur autogoli i Canës, pas gjuajtjes së shokut të skuadrës, Ciani, e cila iu përplas në trup dhe përfundoi në rrjetë. Më pas vetë Ciani barazoi 1-1 dhe kualifikimi i lacialëve u vendos vetëm pas gjuajtjes së penalltive.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.