Lajme sportive shkurt

Botërori 2015 për femra

Shqipëria debutuese njeh kundërshtarët

Shqipëria dhe Mali i Zi, skuadra debutuese, kanë njohur dje kundërshtarët në turin eliminator të Botërorit 2015 të femrave. Shorti është hedhur në Nion të Zvicrës. Shqipëria është bërë pjesë për herë të parë në një kompeticion kaq të madh për femra. Ajo është përfshirë në grupin 1, ku do të bëjnë pjesë Malta, Luksemburgu dhe Letonia. Ndërkohë që në grupin 2 do të bëjnë pjesë Mali i Zi, Gjeorgjia, Ishujt Faroe dhe Lituania. Vendi mikpritës i ndeshjeve të grupit 1, ku bën pjesë edhe Shqipëria do të jetë Malta. Të dy mini-turnetë do të luhen nga 4 deri më 9 prill të 2013 dhe vetëm dy vendet e para të çdo grupi do t’i bashkohen 38 kombëtareve me koeficientin më të mirë në fazën në grupe, që do të zhvillohet më 16 prill. Do të formohen 7 grupe me 6 skuadra, ato të cilat do të sfidojnë njëra-tjetrën në ndeshje vajtje-ardhje nga 20/21 gushti deri më 17 shtator të vitit 2014.

Grupi 1 – Sipas shortit të hedhur dje në Nion të Zvicrës, kombëtarja e femrave të Shqipërisë është përfshirë në grupin 1, ku do të bëjnë pjesë Malta, Luksemburgu dhe Letonia

 

 

Oferta

Polonia, destinacioni i Sebino Plakut

E ardhmja e Sebino Plakut me shumë gjasa do të jetë kampionati polak i futbollit, pasi për të nga shfaqur një interes serioz skuadra Slask Vroklav, që drejtohet nga Stanislav Levi, ish-trajneri i Skënderbeut. Sulmuesi 25-vjeçar, ka bërë të ditur dje se dy klubet janë në bisedime për arritjen e një marrëveshjeje, por ai vetë nuk di shumë detaje. Plaku pret të bisedojë edhe me presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj, menjëherë pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë me Kastriotin, që është e fundit për këtë vit kalendarik. “Është e vërtetë që për mua ka pasur kontakte nga skuadra polake, Slask Vroklav. Për momentin jam në pritje të zhvillimeve, pasi të dy klubet po zhvillojnë tratativa. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet me një marrëveshje që do t’i kënaqë të dy klubet”. Gjasat janë që të dy klubet do të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët, prandaj që nga ky moment, Plaku mund të konsiderohet i larguar nga Skënderbeu.

Kontaktet – Dy klubet janë në tratativa serioze gjatë ditëve të fundit dhe shumë shpejt pritet një marrëveshje, e cila do të mund të zyrtarizojë kalimin e tij te Slask Vroklav

 

 

Merkato

Bardhezinjtë, disi të tërhequr. Konte: “Nuk blejmë, sepse nuk kemi mjete për t’i paguar”

Juventus-Milan, “luftë” në merkato për Drogba

Në “vallen dyshe” mes Juventusit dhe Drogbasë ndërhyn Milani. Sipas mediave italiane, kuqezinjtë po planifikojnë shitjen e Patos (ofertë prej 15 mln eurosh nga Korinthians) dhe me paratë e siguruara heqja e pagës së Drogbasë për dy sezone. Ajo që është e sigurt është se njëri mes Patos dhe Robinjos konsiderohet i tepërt për sulmin dhe financat e Milanit, ndaj njëri prej tyre do ta lërë skuadrën në merkaton e janarit. Por mund të ndodhë që të largohen që të dy dhe për të mbushur vakumin, ndoshta për të kërkuar edhe diçka më shumë në objektivat sezonalë repartit pritet t’i bashkohet Drogba. Nëse futet në garën për shërbimet e tij, Milani mund të shihet i favorizuar ndaj Juventusit. Bardhezinjtë nuk duan të ofrojnë më shumë se 3.5 milionë euro plus bonuset për lojtarin dhe as një kontratë deri në 2015 ashtu sikundër pretendon ai. Ndërkohë, lëvizja surprizë, një ndër 4 “top player”-at, që presidenti Berluskoni premtoi në darkën gala të 113-vjetorit të themelimit të skuadrës mund të jetë edhe Mario Balotelli. Megjithatë, për të mbërritur te sulmuesi duhet të thyhet barriera prej 37 mln eurosh e vendosur nga Mançester Siti, ndërsa një operacion më i thjeshtëzuar në planin financiar për të siguruar SuperMarion mund të mbërrijë në muajt e verës. Po dje ka reaguar edhe Juventusi, i cili në një farë mënyre është tërhequr nga gara për Drogbanë. Trajneri i bardhezinjve, Antonio Konte, ka hedhur poshtë zërat e mediave se klubi i tij ka arritur marrëveshje për transferimin e sulmuesit të Bregut të Fildishtë,.

“Nuk do të sjellim lojtarë të rinj, sepse nuk kemi mjete për t’i paguar”, theksoi tekniku i Juventusit.

 

Itali

Skandali i basteve, penalizohet Napoli

Viktima e radhës në skandalin e basteve të paligjshme në Itali është skuadra e Napolit, futbollistë dhe ish-futbollistë të kësaj skuadre. Skuadra napolitane ndëshkohet me -2 pikë në renditjen e Serisë A, ndërsa në 6 muajt e ardhshëm do t’i duhet të bëjë edhe me mungesën e Paolo Kanavaros, i pezulluar për përfshirje në bastet e paligjshme. Po gjashtë muaj u dënua edhe futbollisti Grava, ndërsa më i rëndë ishte dënimi për ish-portierin e napolitanëve, Xhanelon, që pezullohet me 3 vite e 3 muaj larg fushave të futbollit. Portieri dhe dy futbollistët napolitanë kanë qenë nismëtarët e fiksimit të takimit Sampdoria-Napoli 1-0 të 2009-2010.

 

Barcelona

Mesi, Ksavi e Pujol rinovojnë kontratat

Lionel Mesi, Ksavi Hernandez dhe Karles Pujol kanë tashmë zyrtarisht një kontratë të re në xhep me Barcelonën. Pas disa javësh bisedimesh, katalanasit kanë gjetur marrëveshjen me tre yjet e tyre, duke konfirmuar besimin ndaj tre prej shtyllave të skuadrës, që do të vazhdojnë dhe për disa vjet të dëfrejnë tifozët blaugrana. Lajmi është bërë zyrtar dhe në faqen online të klubit të Barcelonës. Sigurisht që kontrata më e rëndësishme është ajo me Lionel Mesin, e cila përfundonte në vitin 2016, por që tashmë është rinovuar deri në 2018 për 15 milionë euro në sezon, duke e bërë atë futbollistin e dytë më të paguar të globit, pas Samuel Etos të Anzhit.

 

Seria A

Peskara nis tratativa zyrtare për Bogdanin

Nëse dëshiron të shpëtojë nga rënia, Peskara duhet të ndërhyjë në merkato. Në veçanti ky klub është përqendruar te sulmi, pika e dobët e kësaj faze të parë. Deri tani Peskara ka shënuar vetëm  13 gola në Serinë A, që nënkupton sulmin më të keq në Itali. Sipas asaj që ka bërë të ditur “Calcionews24.com” futbollisti i preferuar për t’u afruar në merkaton e dimrit është sulmuesi shqiptar i Sienës, Erjon Bogdani, i datëlindjes 1977. Me trajnerin Serse Kozmi në pankinën e skuadrës ku ka milituar deri tani futbollisti kuqezi, shtatlarti shqiptar nuk ka gjetur shumë hapësirë për t’u aktivizuar. Prandaj mendohet se ai do të mund të pranojë pa shumë hezitim ofertën e Peskarës, e cila mendohet se i garanton një vend titullari në formacion. Për momentin do të duhet të presim takimet e ardhshme në ditët në vazhdim. Edhe pse nuk është përjashtuar që Bogdani të fitojë më shumë rëndësi në radhët e klubit aktual, Sienës, pas ardhjes së trajnerit Iakini.

 

Paris Sain Germain

Sheikh Saud Al-Thani: Dua Ronaldon e Murinjon

Pronari i klubit të PSG-së, Sheikh Saud Bin Abdulrahman Al-Thani pranon se dyshja e Real Madridit, Zhoze Murinjo dhe Kristiano Ronaldo janë në radarin e tyre. Sheikh Saud Al-Thani, ka thënë se PSG dëshiron të sjellë më të mirët në Paris dhe kjo përfshinë edhe trajnerin e Real Madridit, Murinjo dhe ish-yllin e Mançester Junajtid, Ronaldo. Bosi i klubit nga “Parku i Princave”, thotë se duhet bërë investime të duhura në kohën e duhur. Sipas tij, PSG është një nga klubet më të mira në botë. “Në sport duhet të jeni të motivuar dhe të kërkoni më të mirën për klubin. Duhet të bëni investimet e duhura në kohën e duhur”, tha ai për “Canal Football Club” gjatë diskutimit për dyshen portugeze. “Është e sigurt që Paris Saint Germain është një prej klubeve më të mira në botë. Që nga dita e parë, qëllimi ynë ka qenë të fitojmë Ligën e Kampionëve”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.