Kombëtarja, Dallku “kërcënon” me largim

“Nëse nuk luaj, mund të tërhiqem. Nuk ia vlen të vij nga Ukraina për 10 minuta lojë”

Altin Manallari

Vjen polemika e parë për zgjedhjet e trajnerit Xhani de Biazi në kombëtare. Bëhet fjalë për Armend Dallku, mbrojtësin e Vorskla Poltavës, i cili nuk e përtyp dot qëndrimin në stol dhe kërcënon me largimin e tij, nëse në të ardhmen e afërt nuk do të mund të gjejë më shumë hapësirë në formacionin e parë. Dallku ka debutuar në përfaqësuese në vitin 2005 në ndeshjen kundër Ukrainës dhe deri tani numëron 60 ndeshje të zhvilluara dhe një gol të shënuar. Pas 8 vitesh të suksesshme si kuqezi, ku ka qenë një titullar i padiskutueshëm, në ndeshjet e fundit nën drejtimin e trajnerit italian, Dallku ka provuar shijen e hidhur të stolit. Reagimi i tij nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur më shumë si në formën e një kërcënimi. “Vendi i titullarit te kombëtarja nuk është i sigurt për asnjë futbollist, deklaroi vetë Dallku për gazetën ‘Express’. Në Kombëtare luajnë ata që janë të gatshëm dhe zgjedhjen e bën trajneri. Unë gjithmonë e kam dhënë kontributin dhe jam munduar në maksimum të jap gjithçka. Mirëpo, vjen një kohë, vjen një moment, kur njeriu pak a shumë dëshpërohet, vijnë edhe problemet e tjera dhe nuk mund ta japësh maksimumin. Shpresoj që të vazhdoj ta jap kontributin tim, por nëse nuk luaj, shumë shpejt mund të tërhiqem nga Kombëtarja. Nëse nuk luan, nuk ia vlen të udhëtosh nga Ukraina për 10 minuta lojë ose fare”, nënvizoi ish-mbrojtësi i Kosovës së Vushtrrisë, Prishtinës dhe Elbasanit në prononcimin e tij. Më pas 29-vjeçari nga Kosova ka sqaruar se për këtë do të duhet të presë e të shohë se si do të rrjedhin ngjarjet në ndeshjet e ardhshme të përfaqësueses për të marrë më pas vendimin e duhur. “Do të pres edhe pak e më pas do të vendos, shprehet Dallku. Nëse nuk luaj me kombëtaren, ndoshta do të ishte më mirë të përqendrohem vetëm tek ekipi im. T’ia lëmë kohës”. Ishte pikërisht ky kontestimi i parë që vjen nga brenda grupit të futbollistëve, për përzgjedhjet e formacionit titullar nga ana e trajnerit Xhani de Biazi. Dallku gjithashtu ka sqaruar edhe të ardhmen e tij për sa i përket klubit ku militon, meqë jemi në prag të merkatos së dimrit. Kontrata e tij skadon pas një viti. Ai ka theksuar se nuk e shikon veten larg Vorskla Poltavës, madje nuk e përjashton edhe të vazhdojë jetën në Ukrainë, pasi të ketë mbyllur karrierën si futbollist. “Tetë vjet nuk janë pak, jam i lidhur ngushtë me Vorsklan. Kemi filluar bisedimet me klubin për një kontratë të re 2-3-vjeçare, varet sa do të më përshtatet. Besoj se në pranverë do të zbardhet gjithçka. Kam oferta të tjera, por nuk ia vlen për asnjë çmim ta ndërroj Vorsklan, pasi e kam gjetur veten këtu dhe jemi rehat me familjen. Mendoj se do të luaj këtu deri në fund të karrierës”, përfundoi Armend Dallku.

 

Palermo

Ujkani humbet besimin, mund ta shesë te Kievo

Portieri Samir Ujkani vazhdon të mos bindë ambientin palermitan dhe sipas mediave italiane, kjo gjë ka bërë që ai të përflitet në listën e largimeve të mundshme nga klubi sicilian gjatë merkatos së dimrit. Gafa e tij e fundit në radhë kohore, në bashkëpunim me Munoz (nuk arrti të zotëronte topin edhe për shkak të përplasjes me lojtarin në fjalë), i dhuroi Udinezes barazimin në minutën e 90 të ndeshjes së të shtunës në Serinë A. Sikurse ka bërë të ditur portali “Calciomercato.it”, drejtuesit e Palermos janë shumë të interesuar për afrimin e Stefano Sorrentinos nga Kievo. Por klubi veronez nuk duket shumë i hapur për një shkëmbim të numrave një me sicilianët. Gjithsesi duhet pritur për të mësuar më shumë rreth këtij shkëmbimi. Ndërkohë, Ujkani është përzgjedhur mes të dështuarve të javës së 17 të Serisë A.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

2 Comments
  1. Kuq e zi says

    Ik o Dallku, alla shqiptarce nuk behen keto pune. Ai tjetri vjen nga USA e nuk luan, ti pertoke te vish nga Ukraina. Kombetarja te dha shtyse ne karriere, nuk eshte se ke luaj dhe aq perfekt, shume gabime ke bere. Ule koken dhe shroju punes. Po nuk erdhe kemi te tjere.

  2. Sabah Domnori (Dudas) says

    Mos u nis me subjektivizem or palle se ai tjetri nuk po luan as ne stol dhe ku ne nje kampionat poshte mesatares sic eshte ne SHBA ndersa Dallku eshte mbrojtes dhe une nuk shikoj asgje te keqe ne prononcimin e tij . Per krahun e tij ai eshte nje lojtar i shkelqyer dhe mos ja fut pordhes si ” revoshatat e Salihit” Dhe te fundit qe kam or trap po te them seriozisht se jam shkodran 100% por nuk vlersoj si ti!

Comments are closed.