Lajme sportive shkurt

Reagimi

Por ka edhe ankesa: “Kombëtarja A është përjashtuar pa një arsye të qartë”

“Vendimi i Komitetit Ekzekutiv së FIFA-s është i rëndësishëm, sepse njeh rolin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në futbollin ndërkombëtar”

“Kërkesa për pranim në FIFA është një hap logjik, duke marrë parasysh se shumica e vendeve të OKB-së (97), e kanë njohur Kosovën”

Shtohet oreksi i Kosovës, Vokrri: Do të aplikojmë për pranim në FIFA

Edhe pse ishte një kënaqësi përgjysmë, vendimi i FIFA-s në Kosovë është pritur si një lëvizje historike për futbollin vendas, i cili përjashto Kombëtaren A, me të gjitha kombëtaret e tjera, do të ketë mundësinë të luajë takime miqësore ndërkombëtare me pjesën tjetër të botës. Madje edhe klubet e saj e kanë të njëjtën mundësi të ndeshen me homologët e tyre. Menjëherë pas vendimit të organit më të lartë të futbollit në botë për të lejuar zhvillimin e ndeshjeve miqësore të përfaqësuesve të të rinjve, të femrave dhe klubet kosovare, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ka paralajmëruar se pala kosovare nuk do të ndalet me kaq, duke kërkuar anëtarësim të plotë në FIFA. “Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s është i rëndësishëm, sepse njeh rolin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në futbollin ndërkombëtar. Vendimi nga ana tjetër është pikëllues, sepse përjashton përfaqësuesen kryesore, pa një arsye të qartë. Ne do të bëjmë më të mirën për të mirën e lojtarëve dhe ekipeve tona”, ka thënë Vokrri për agjencinë prestigjioze të lajmeve në botë, “Reuters”. “FFK-ja do ta prezantojë kërkesën për t’iu bashkuar FIFA-s dhe ky është një hap logjik, duke e marrë parasysh se shumica e vendeve të Kombeve të Bashkuara, 97 prej tyre, e kanë njohur Kosovën”, ka shtuar kreu i FFK-së. FIFA e kishte lejuar Kosovën të zhvillojë ndeshje miqësore në maj të këtij viti, por pas kundërshtimit të fuqishëm të Serbisë dhe presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, e ka ndërruar vendimin, duke bërë modifikimin, i cili lë jashtë kombëtaren e të rriturve të Kosovës. Në shtator, kapiteni i Shqipërisë, Lorik Cana dhe përfaqësuesit zviceranë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami iu bashkuan disa futbollistëve kosovarë, duke dërguar një peticion në FIFA, nga e cila kërkonin që shtëpia e futbollit botëror të hapë dyert për futbollin kosovar. Reagime pozitive ka pasur edhe nga disa futbollistë të njohur kosovarë, të cilët për momentin luajnë për kombëtare të tjera, por në rast të pranimit të Kosovës, me shumë gjasa do të zgjedhin të luajnë në ekipin e shtetit të tyre.

 

Botërori i Klubeve

Dështon Çelsi, Korinthians është kampion

Korinthians rikthen trofeun e Botërorit të klubeve në Amerikën e Jugut pas shumë viteve. Kampionët e Kopa Libertadores arritën të mposhtnin Çelsin e Rafa Benitez, duke triumfuar në finalen e Yakohamas 1-0 me golin e të përhershmit Guerrero në minutën e 69 të takimit. Ndeshja nisi me vrull nga të dyja skuadrat, por dalëngadalë kampionët e Europës morën frenat e lojës duke rrezikuar disa herë me Fernando Torres e Juan Mata, por pa arritur të prekin rrjetën kundërshtare. Kur takimi dukej se kishte marrë rrjedhën drejt shtesës, Guerrero shtangu blutë e Londrës me golin e tij, duke i dhuruar skuadrës Kupën e dytë të Botës pas asaj të vitit 2000.

 

Seria A

Juventusi i frikshëm, fiton edhe Milani

Juventusi shkatërron me rezultatin 3-0 Atalantën me një lojë impresionuese. Me këtë fitore, bardhezinjtë shkëputen në +7 pikë nga ndjekësi më i afërt, Interi, i cili humbi 1-0 të shtunën në mbrëmje në fushën e Lacios. Vuçiniç hapi serinë e golave që në minutën e 2-të, ndërsa llogaritë u mbyllën në pjesën e parë me Pirlon në 14’ e Markizio 27’. Vijon të ngjitet Milani në renditje dhe suksesi i radhës vjen ndaj Peskaras 4-1. Miqtë, në fakt, shënojnë tri herë, por dy ishin autogola me Abruskato e Xhonathas, ndërsa për kuqezinjtë shënuan Noçerino dhe El Shaaraui (14 gola në 17 ndeshje. Roma mundet 1-0 në fushën e Kievos.

 

Palermo

Shtypi italian kryqëzon Ujkanin për një gafë

Mediat italiane, sidomos ato siciliane, e shikojnë si fajtor për humbjen e dy pikëve në barazimin 1-1 në Udineze-Palermo. “Ujkani shkatërron fitoren”, “Ujkani, dhuratë Di Natales për Krishtlindje” ose “Ujkani, gafë e pafalshme”, ishin disa nga titujt e përdorur dje nga shtypi italian. Vlerësimi për portierin shqiptar ishte ndër më të ulët, nota 4: “Zhvilloi një ndeshje të mirë, duke shpëtuar skuadrën e tij në shumë raste. Por më pas kapitullon në minutën e 90-të, kur pas një përplasje me Munoz, humbet topin nga duart dhe për Di Natalen është një lojë fëmijësh që ta shtyjë në rrjetë. Mund të kishte merituar një votë më të lartë, por gabimi i tij shkaktoi barazimin e të zotëve të shtëpisë dhe bëri që Palermo të humbasë 2 pikë të rëndësishme”.

 

 

Francë

Benzema, futbollisti më i mirë i vitit 2012

Sulmuesi i Realit të Madridit, 24-vjeçari Karim Benzema, e ka mbrojtur çmimin e futbollistit më të mirë francez edhe këtë vit në zgjedhjen e bërë nga revista e njohur “France Football”.

Benzema fitoi me një epërsi të ngushtë ndaj sulmuesit të Bajernit të Mynihut, Frank Riberi, pasi rezultati i votimeve ishte 109-101. Rezultati demonstron qartë rivalitetin mes dy lojtarëve më të njohur të kombëtares aktuale të “Gjelave”. Shumë prapa tyre mbeti portieri i Totenhemit, Hugo Loris. Në zgjedhjen për trajnerin më të mirë, fitoi trajneri i skuadrës kampione, Monpelie, Rene Zhirar. Ai koleksionoi 95 vota, dy herë më shumë se trajneri i Bordosë, Francis Zhillot.

 

Çmimi

Reali e shet Ronaldon vetëm për 200 mln euro

E ardhmja e Kristiano Ronaldos duket gjithnjë e më larg Real Madridit. Sipas “AS”, tashmë klubi mbretëror është dakord për shitjen e yllit të skuadrës së saj. Asi portugez në këtë sezon të La Ligas nuk po kalon periudhë të mirë në klubin madrilen, duke shprehur shpeshherë pakënaqësitë tek “Los Blancos”, kështu që largimi i tij nga “Bernabeu” mund të ndodhë në verën që vjen. “AS” njofton se krerët e Real Madridit i kanë vendosur çmimin ish-yllit të Mançester Junajtid. Klubi që dëshiron të marrë Ronaldon, duhet të paguajë as më pak e as më shumë se 200 milionë euro për talentin e kombëtares portugeze. Mançester Siti dhe PSG janë dy klubet që dëshirojnë për momentin të blejnë CR7-n.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.