Flamurtari fiton me përmbysje në Durrës

Bylis nuk gabon as kundër Laçit, tani kryeson me 6 pikë Grupin B

Altin Manallari

Të dielën u ngjit në skenë Grupi B për të luajtur ndeshjet e dyta të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, ku triumfuan Flamurtari dhe Bylisi, përkatësisht kundrejt Teutës në Durrës dhe Laçit në Ballsh. Debuton me sukses në stolin vlonjat Ernest Gjoka, ndërkohë që kuqezinjtë dëshmuan se kanë pasur forca e potenciale brenda tyre, por ndoshta kanë pritur largimin e spanjollit Rubio për t’u shfaqur të plotë. Por në “Niko Dovana” vlonjatët provuan dizavantazhin e dy golave brenda 30 minutave, por që më pas u përmbys nga grinta e kuqezinjve miq. Me mungesat e Veliut dhe Lenës, Flamurtari i kapitenit Memelli ka fituar me përmbysje në shtëpinë e Teutës në Durrës. Në fushë janë rikthyer edhe portieri Koliqi dhe mesfushori Zeqiri, ndërkohë që trajneri i ri, Ernest Gjoka, kishte bërë një konfigurim të ri të skuadrës me Pezon qendërmbrojtës dhe Vukçeviç në mesfushë. Që në minutat e para, durrsakët shfaqen rrezikshëm me gjuajtjet e Veliut, i cili në minutën e 14 zhbllokon rezultatin me një eurogol. Teuta këmbënguli edhe pas shënimit të golit të parë dhe duke përfituar nga çorientimi i vlonjatëve gjeti në minutën e 31-të golin e dytë me Eminhazeri (zëvendësuesin e Daniel Xhafës së pezulluar nga Disiplina). Mancaku, pasi rikuperon një top në mesfushë, ecën disa hapa përpara dhe lëshon tokazi një asist për kosovarin, që i shpëton mbrojtjes kundërshtare, e vendosur keq, shmang edhe daljen e Koliqit dhe shënon. Pas këtij goli duket se vendasit e menduan ndeshjen më të lehtë se sa duhej dhe kjo u kushtoi shtrenjtë. Vlonjatët rigjejnë veten dhe dominojnë mesfushën dhe rikthejnë baraspeshën në rezultat. Fillimisht është Muzaka që asiston Memellin, me këtë të fundit që nuk gabon përballë Rizvanit, duke ngushtuar rezultatin në 2-1, për të ardhur në fund të pjesës së parë, kur kombinimi i bukur Souza-Muzaka finalizohet nga anësori në kuadratin e vendësve. Ky ishte goli i barazimit 2-2. Në pjesën e dytë, në minutën e 57, Memelli, në një pozicion diagonal arrin të gjejë edhe golin e fitores. Një fitore e madhe e Flamurtarit në një ndeshje interesante që i rikthen vlonjatët në luftën për kualifikim, ndërkohë që e ndërlikon sigurimin e një bilete për Teutën në ndeshjet e mbetura në grup. Nuk fal Bylisi në fushën e tij, ndërsa trajneri Shensoji konfirmohet i suksesshëm. Në katër ndeshje në krye të Bylisit, ai regjistron po kaq fitore, dy në kampionat dhe dy në Kupë. Mallakastriotët kanë mundur Laçin, me rezultatin 2-1, me gola të shënuar nga Shoshi dhe Meto, ndërsa për kurbinasit ka realizuar Marashi. Tri pikë të tjera në llogarinë e ballshiotëve, që konfirmohen si kokë e Grupit B, pas dy çerekfinaleve të para, duke bërë një hap të madh drejt gjysmëfinaleve. Ndërsa të shtunën janë luajtur dy ndeshjet e Grupit A, ku Skënderbeu mposhti me rezultatin 4-2 Kukësin në Korçë në një fushë të mbuluar nga dëbora, ndërsa Kastrioti e kishte thuajse si “formalitet” ndeshjen e radhës me Shkumbinin, të cilin e mundi po me rezultatin 4-2.

 

 

Kupa e Shqipërisë

Çerekfinalet

 

DJE

Grupi B

Bylis-Laçi 2-1

Shoshi 30′, Meto 69′ / Marashi 74′

Teuta-Flamurtari     2-3

Veliaj 14′, Eminhazeri 31′ / Memelli 37′, 57′, Muzaka 42′

 

Klasifikimi

Skuadrat   N    P

Bylis 2    6

Laçi 2    3

Flamurtari 2    3

Teuta 2    0

 

 

TË SHTUNËN

Grupi A

Kastrioti-Shkumbini  4-2

Gocaj 6′, Tanushi 19′, Karapici 53′, Caca 80′ / A.Magani 62′, Gjata 73′ (11-m)

Skënderbeu-Kukësi    4-2

Arapi 9′, Pejiç 28′, 58′, Shkëmbi 75′ / Hoxha 27′, Popoviç 80′

 

Klasifikimi

Skuadrat   N    P

Skënderbeu 2    6

Kastrioti  2    3

Kukësi     2    3

Shkumbini  2    0

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.