Berisha: Do shqyrtojmë rezolutën çamë, por nuk dua presion. Edi Rama flet si grek

Kryeministri Sali Berisha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë kryeministrore është përgjigjur interesit të tyre mbi disa nga çështjet aktuale që kanë ngjallur jo pak debate. Berisha ka sqaruar qëndrimin e tij për kritikat e ditëve të fundit për retorikën nacionaliste, rezolutën për çështjen çame, kreun e ri të Prokurorisë, refuzimin e statusit, duke mos kursyer kritikat për kundërshtarët e tij politikë dhe ish-kryeprokuroren Ina Rama.

Rezoluta çame

deklaroi në një konferencë për shtyp se rezoluta për çështjen çame do shqyrtohet nga Kuvendi, por nuk pranon presione për miratimin e saj. Ai deklaroi se çështjen çame, e ka ngritur për herë të parë në janar të vitit 1991, gjatë takimit me kryeministri i Greqisë, Micotaqis. “Në një periudhë të caktuar pretendohej se çamët ishin kolaboracionistë. Kjo ishte një akuzë monstruoze, e cila u bë vetëm e vetëm për të justifikuar spastrimin etnik nga Zerva. Ai i spastroi nga trojet e tyre shtetërore. Ndërkohë që ata ishin luftëtarët më të shquar me partizanët këtu e në Greqi. Vlerësoj qëndrimin e gjykatës që i hodhi poshtë këto si shpifje. Pra, nuk ka asnjë problem territorial mes dy vendeve. Ka një Traktat Miqësie që njeh kufijtë respektivë. Traktati përbën një bazë të shkëlqyer për të zgjidhur problemet. Aleati im ka paraqitur një rezolutë. Edhe po të mos ishte paraqitur, rezoluta do shqyrtohej, nuk ka diskutim. Parlamenti ka komisione, do shqyrtojë dhe do të vlerësojë rezolutën mbi bazën e këtyre qëndrimeve të mazhorancës ndaj kësaj çështje. Pa ndonjë formë presioni nga askush, ne në parlament shqyrtojmë çdo dokument të paraqitur”,- u shpreh Berisha.

Retorika nacionaliste

I pyetur për qëndrimet e tij nacionaliste dhe kritikat e fundit të Amerikës dhe Brukselit, Berisha deklaroi se nuk ka asgjë të re në këto qëndrime, janë thjesht ripërtëritje e deklaratave të mëparshme. “Nuk komentoj deklarata ambasadorësh, por ajo që thoni ju janë të pavërteta të mëdha. Deklaratat e mia kanë qenë e janë në tërësinë e tyre një ripërsëritje e qëndrimeve të mia. Absolutisht. Në vitin 1992 do gjesh qëndrimin e sotëm për shtetësinë në dekret. Aty thotë se shtetësia shqiptare do u njihet të gjithë qytetarëve me origjinë shqiptare kudo që ndodhen. Ky problem është parashikuar edhe në preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë. Kush është hipokrit me Kushtetutën, është hipokrit me veten e tij”,- tha Berisha.

Kreu i qeverisë deklaroi se nuk do ndalet në dhënien e shtetësisë për çdo shqiptar, duke sqaruar se kjo nuk do prishë ekuilibrat e demografisë. Berisha ka akuzuar kreun e opozitës, Edi Rama, se flet si grek. “Ideja se kjo masë do të prishë ekuilibrat demografikë dhe krahinorë, është ide e prapambetur sa vetë krahinorizmi. Ato që vërshuan nga të gjitha trojet etnike shqiptare për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë dhanë mesazhin e qartë se kanë dalë mbi krahinorizmat. Ato që kanë frika nga vota, ju them se nuk do të ndodhë para zgjedhjeve. Nuk duhet të mendojë askush se problemi i votës do e ndalë procesin. Ishte vetëm një moment, që dëgjoja përfaqësuesit e Cipras që të flisnin si Edi Rama në Parlament. Kushtetuta e Shqipërisë ka përcaktimet e qarta”, tha Berisha.

Statusi

I pyetur për refuzimin për herë të tretë të statusit të vendit kandidat për në BE, Berisha ka fajësuar sërish kreun e opozitës Edi Rama. Sipas Berishës, kreu i PS-së u përpoq të lidhte çështjen e statusit me zgjedhjet. Sipas kryeministrit 3 institucionet e rëndësishme të BE-së janë shprehur pro Shqipërisë, por për këtë duhet miratimi me konsensus së tre kushteve që PS refuzon.

“BE funksionon mbi bazën e institucioneve. Institucionet vendimmarrëse të BE, janë KE, KiE, PE. Në ligjin e ri Parlamenti ka marrë fuqi shumë më të mëdha se sa kishte më parë. Komisioni Evropian nëpërmjet përfaqësuesit të tij më të rëndësishëm, Stefan Fyle ka deklaruar që Shqipëria meriton statusin me kusht që të votojë tre ligjet. Ka kërkuar të votohen tre ligjet në mënyrë që të bëhet rekomandimi përfundimtar pozitiv. Ligjet nuk i votoi Rama. Raporti shkoi në Këshillin e Evropës. Rama kishte shpresë që Këshilli do e lidhte statusin me zgjedhjet, por prapë është shumë i dobët në analizë politike. Me zgjedhjet u lidh diçka, negociata jo statusi. Pasi dështoi në këto pretendime Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Evropian mbajtën të njëjtin qëndrim. Kam dëgjuar drejtues socialist që thonë se PE nuk ka rëndësi, jo e kanë gabim. Të tre institucionet e BE kanë të njëjtin qëndrim, votoni ligjet, merrni statusin”, theksoi Berisha.

Madje kryeministri deklaroi se edhe mediat nuk thonë të vërtetën në lidhje me statusin. “Është në etikën profesionale të mediave që të thonë të vërtetën,” tha Berisha.

 

Prokurori i Përgjithshëm

Berisha shprehu vlerësim tek puna që do të bëjë Adriatik Llalla në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Ai tha se Nishani do e përkrahë luftën ndaj korrupsionit, ndërsa sulmoi sërish ish- presidentin Bamir Topi dhe ish- nënkryetarin e KLD, Kreshnik Spahiu se qëndronin pas gjykatësit Neritan Tabaku. “Unë kam besimin më të madh se Prokuroria e Përgjithshme ka vajza e djem të ndershëm e të përkushtuar për të bërë ligjin. Sikundër ka pasur e ka tregtarë dosjesh, të cilët kanë kryer krimin e shëmtuar të rrënimit të hetimit. Çdo shitje dosjesh është rrënim hetimesh. Kam besim të plotë që prokuroria do të funksionojë bazuar në ligj dhe zoti Llalla, që në institucionin e verifikimit të pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve dha një kontribut të pamohueshëm. Kam besim se do përdorë të njëjtat kritere. Kam besim të madh dhe koha e ka faktuar e do faktojë se presidenti Nishani do të mbështesë fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe se do ketë vetëm inkurajime, çka është e rëndësishme. Se kur kërcënon prokurorin e task-forcës se do grabisësh 500 mijë metër tokë dhe ai jep dorëheqjen, kjo është fatkeqësi kombëtare,” tha Berisha, duke shtuar madje se Ina Rama është larguar me disa ditë vonesë dhe e akuzoi për rrjedhje informacioni gjatë kohës që ajo drejtonte organin e akuzës. Berisha u shpreh se nuk tërheq asnjë akuzë dhe deklaratë të bërë në adresë të saj pas ngjarjeve të 21 Janarit 2010.

Akuzat e PS

I pyetur për akuzat më të fundit të PS në lidhje me pasurinë e vajzës së tij, Berisha është përgjigjur shkurt duke thënë se: ““Unë falenderoj se bënë publike një deklaratë publike se bashku me të ardhurat e tatueshme të njerëzve të mi, që e kanë bërë vit për vit, vetëm një gjë kam, shumë shpejt do merren arsyet pse e bëjnë, kjo pastaj do jetë më ndryshe. Ato po flasin, keni dëgjuar reagim, jo. Sepse aty ka një institucion, është gjithçka e dokumentuar. Se çfarë fshihet pas klithmave shpejt do merret vesh”.

Taksat e biznesit të vogël

“Premtimi i kryetarit të PS për heqjen e taksës së biznesit të vogël është premtimi i një politikani unik në Europë dhe në botë, ku thotë se borxhi do të mbahet nga Banka e Shtetit dhe do llogaritet si prodhim i brendshëm bruto. Kushdo mund të binte për tokë së qeshuri kur dëgjon diçka të tillë. Dy ditë më parë thoshte se ne socialistët do sjellim rritjen nëpërmjet punësimit, kjo është skema tipike e socializmit, e cila kaloi në të gjithë rrathët e varfërisë njerëzore”, ka thënë Berisha në lidhje me deklaratat e PS-së për heqjen të taksës së biznesit të vogël. Kreu i mazhorancës ka akuzuar më tej kryesocialistin Rama se dështoi në objektivat e tij në krye të bashkisë së Tiranës. “Ai përcaktoi punësimin si objektiv të Bashkisë, punësoi të gjithë 99-shat ku ishin dhe ku s’ishin. Sot shqiptarët kanë rrugë të asfaltuara, ai rriti punësimin duke rrënuar qytetin. Nga kjo që ai thotë që Banka e shtetit ta llogarisë borxhin publik si përqindje të xhidipisë mund të presësh cdo lloj deklarate nonsens. Ai e shoqëron këtë me taksën progresive, ajo është taksa famëkeqe që e instaloi për herë të parë në Shqipëri daja i tij në 1946. Biznesi ka pasur dhe ka tek kjo qeveri mikun dhe mbështetësin më të fuqishëm, bizneset janë rritur mbi 2.5 herë. Ka disa vështirësi të pabesueshme në matematikë, vazhdon të thotë ende ka 1 milionë shqiptarë të papunë, bën pushim një muaj dhe i kthehet prapë. Por qeveria ia kompensoi me bojërat, e leu qytetin mirë e mirë, por s’bëri gjë tjetër dhe iku”, tha Berisha.

CEZ

Berisha ka fajësuar CEZ për probleme me menaxhimin, ç’ka ka shkaktuar mungesën e dritave.  “Duhet të pranojmë një fakt tjetër se koha e vitit të kaluar ka qenë më e vështira për ne, për qeverinë, se nga marsi i vitit të mëparshëm në vitin që kaloi importi i energjisë ka qenë 1 miliardë vetëm e vetëm që të mos u mungojë energjia. Dhe i garantoj qytetarët shqiptarë që nëse u ka munguar energjia kjo erdhi nga ÇEZ që nuk arriti të menaxhojë. Kemi mbrojtur qytetarin për mosrritje çmimi ne në të gjitha rastet jemi përpjekur që ky të mos ishte një falimentim. Dhe ky nuk ka ndodhur. Përsëri e garantoj se ne jemi njerëz dhe ekipet tona janë serioze dhe do funksionojë në bazë të ligjit. Ka qenë gabim fatal i tij CEZ, duke ndërprerë ujin. Këtu shkel çdo lloj standardi të një vendi të lirë. Shpresoj dhe uroj që drejtuesit të venë para përgjegjësisë ata që bënë një ndërprerje të tillë. Është e vërtetë që kishte një borxh 40 milionë por dhe ishte dhe një borxh më i madh ndaj institucioneve shtetërore. Ndaj CEZ duhet ta shqyrtojë këtë akt”, ka thënë Berisha.

17 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

3 Comments
  1. Sali Bollati-Paramithioti says

    Kur berisha me 1994 vizitoi Konispolin, deklaroi se i ati i kishte thene se ka Çameri. Ne rast se mban vehten per burr malesie, le te mos flasi se cfare paska biseduar ne hotel dajti; por kur i ndjeri G.Pashko arriti ne Janine me 1991- e mohoi Ceshtjen Came( se bashku me te ndjerin Abas Dojaka-Kryetar i SHPA ÇAMERIA dhe z.Halili vrapuam deri ne Sarande ku bna vertetuan fjalet e Pashkos). Ne qershor 1994, Parlamenti unanimisht edeklaroi 27 Qershorin 1944-DITA E GENOCIDIT GREK NDAJ SHQIPTAREVE TE CAMERISE. Por ne ne prill te 2004 kur do te votohej ne Parlamentin Shqiptar Rezoluta Came, Berisha bashke me Topallin dhe Mustafajin , dolen nga salla kur votohej.Dhe Rezoluta Came humbi me vetem dy vota qe munguan??!
    SOT SEJCILI DEPUTET DO TA TREGOI VEHTEN ME VOTEN E TIJE NE SE ESHTE SHQIPTAR ose grek!

  2. Kerpaci says

    Rama me Idrizin flasin si grek, ti flet edhe me keq, si serb. Lumi qe e mori ate popull e ate vend!

  3. patrioti says

    Te votoni ne baze te te vertetave historike dhe mos u presiononi nga ata qe vetem me presione dhe intriga duan te arijne qellimet e tyre. Shiperia do te roje ne fqinjesi te mire me ballkanin dhe jo te ndryshoje kufinjte.

Comments are closed.