Berisha në Samitin e PPE: Rama ngriti murin e bllokimit të integrimit, shqiptarët do e shembin

Pas punimeve të Samitit të zgjeruar të Partive Popullore Europiane, i cili u zhvillua në Bruksel, në një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha deklaroi se tre ligjet e vendosura si kusht nga KE në mënyrë që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i sipas kryeministrit është duke bërë një kalkulim të gabuar, pasi mendon se  duke bllokuar statusin, dëmton qeverinë. Ai theksoi se shqiptarët e kanë fuqinë dhe potencialin ta shembin murin e ngritur nga lideri i PS.

“Siç dihet, për Shqipërinë Komisioni Europian ka bërë një raport pozitiv, por ka përcaktuar votimin e tri ligjeve si një detyrim, në mënyrë që t’i bëjë rekomandimin përfundimtar Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i cili beson se duke bllokuar statusin për shqiptarët dëmton qeverinë dhe do të thosha ai bën një kalkulim shumë, shumë të gabuar. E vërteta është se shqiptarët kanë të gjithë fuqinë dhe potencialin për të shembur çdo mur. Ashtu siç rrëzuan murin e bashkisë, siç rrëzuan murin e Berlinit dhe e festuan, tani do të rrëzojnë edhe murin bllokimit, të zotit Rama. Por ky është një realitet dhe, natyrisht, unë pata një diskutim për këtë. Mora sigurinë se Partia Popullore Europiane do të shqyrtojë në mënyrë të veçantë këtë situatë të krijuar nga ky bllokim absurd i një njeriu që e bën atë për interesa të karriges së tij të pushtetit”, – ka theksuar kryeministri.

Sipas Berishës, rajoni i Ballkanit përshkohet nga një albanofobi e skajshme, e cila mundet vetëm të dëmtojë situatën e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon.

“Natyrisht, në ekspozenë time bëra një paraqitje më të gjerë të zhvillimeve në Shqipëri. Në takimet që pata me kolegët e mi, unë i njoha ata me të gjitha zhvillimet, me situatën në rajon, e cila me gjithë përparimin e njohur sërish vuan nga albanofobia, një faktor ky i dëmshëm për bashkëpunimin dhe klimën bashkëpunuese në rajon. Albanofobia është një qëndrim që i ka rrënjët në padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj shqiptarëve dhe më pas përpjekja për t’i legjitimuar këto padrejtësi në forma nga më të ndryshmet. Edhe një herë theksoj se Partia Demokratike mbetet tërësisht e vendosur në projektin e saj: Të bashkohemi me njëri–tjetrin, të bashkohemi me Europën. Kjo është përgjigjja më e shkëlqyer që merr albanofobia në rajonin tonë”, – ka deklaruar Berisha, që nga Samiti i PPE, në Bruksel.

13 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.