Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Aktualiteti

Kukës, mbi 1400 invalidë mbeten dy muaj pa pension

E njëjta situatë shfaqet edhe në Elbasan, Durrës dhe Shkodër

Në vendin tonë përllogariten rreth 50 mijë invalidë të punës, po shumica e tyre ka mbetur nën qiell të hapur, pasi nuk po përfitojnë pensionet. Çdo ditë, nga bashki apo komuna të ndryshme të vendit vijnë raportime se ka shumë vonesa për pagesat e pensioneve, ku shumë prej këtyre invalidëve janë kryefamiljarë dhe nuk kanë të ardhura të tjera. Apeli i fundit vjen nga Kukësi. Pikërisht në muajin që të gjithë po përgatiten për festat e fundvitit, mbi 1400 invalidë të punës mësohet se kanë rreth tre muaj pa marrë pensionet.

Sipas të dhënave, më shumë se 1400 persona me aftësi të kufizuara, në të gjithë Qarkun e Kukësit, janë të papunë dhe nuk trajtohem me ndihmë ekonomike. Kryetari i shoqatës së invalidëve të punës, Mustaf Lugja thotë se edhe në spitale dhe qendra shëndetësore, invalidët detyrohen të paguajnë. Kjo situatë ka krijuar mjaft probleme ekonomike e sociale te kjo kategori personash, si dhe familjet e tyre, pasi 90 për qind e invalidëve janë kryefamiljarë. “Në Qarkun e Kukësit nuk punësohet asnjë invalid. Ligji e ka që në çdo 10 persona të punësuar, një duhet të jetë invalid, por kjo nuk zbatohet. Edhe të drejtat e përfituara për udhëtimet me mjetet e transportit nuk zbatohen për rrethin e Kukësit, Hasit dhe Tropojës. Arsyeja është sepse nuk ekziston autobus i bashkisë në rrethin tonë dhe në qarkun tonë”, thotë Lugja. Në Qarkun e Kukësit, numri i personave me aftësi të kufizuara vjen duke u rritur vit pas viti e po ashtu edhe invalidëve të punës. Shkaqet kryesore të këtij fenomeni janë aksidentet në punë, lindjet me probleme shëndetësore dhe shumë të tjera. Vetëm te fëmijët numërohen më shumë se 792 persona me aftësi të kufizuara, ndërkohë që te të rriturit numri arrin në 2220 persona. Veç një ditë më parë, alarmin për mospagesat e pensioneve të invalidëve e dha edhe Komuna Bërdicë në Shkodër. Kryetari i komunës tha se pa asnjë lloj justifikimi është bllokuar fondi i akorduar për ndihmën ekonomike për invalidët, që jepet nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. Fondi për muajin nëntor-dhjetor, pasi është kaluar në thesar, është tërhequr mbrapsht dhe 387 invalidë në këtë komunë aktualisht janë pa ndihmë ekonomike.

I njëjti problem qëndron edhe me Elbasanin, apo me rrethe të tjera. Rreth njëzet ditë më parë, Shoqata e Invalidëve të Elbasanit organizoi një protestë, për shkak të mosshpërndarjes së pensioneve të invaliditetit prej disa muajsh. Të shoqëruar edhe nga familjarët, grupet e personave me aftësi të kufizuara bënë thirrje për reagim të menjëhershëm të qeverisë dhe Ministrisë së Financave, për të zgjidhur situatën e krijuar. Protestuesit shpjeguan se kjo protestë është produkt i një nevoje njerëzore, pasi prej një kohe të gjatë edhe pagesën modeste të invaliditetit nuk po e përfitojnë dot, për arsye që ende nuk dihen. Sipas dëshmive të invalidëve nga rrethe të ndryshme, kjo ndihmë ekonomike nuk u jepet pa asnjë lloj shpjegimi, edhe pse pothuajse përditë ata interesohen pranë zyrave postare në komunat ku jetojnë. Red. Akt.

 

Kërkesa

Invalidët kërkuan rritje për ndihmën ekonomike

Në kongresin e pestë të Shoqatës së Invalidëve të Punës, kryetari i saj, Abdulla Omuri, pati shpjeguar se invalidët e plotë kanë të ardhura mujore rreth 16 907 lekë në muaj, invalidët e pjesshëm rreth 9503 lekë në muaj dhe invalidë të ish-kooperativave bujqësore rreth 9160 lekë në muaj. Por sipas tij, shpenzimet e tyre mujore të detyrueshme janë rreth 42,030 lekë në muaj. Sipas invalidëve, pensionet e tyre kanë mbetur shumë mbrapa dhe janë përjashtuar si nga rritjet në vitin 2006, ashtu dhe nga rillogaritja e të gjithë pensioneve nga viti 1994 deri në 2005. Ndaj, ata kërkuan që të mos diskriminohen nga ana ekonomike dhe të rritet ndihma financiare ndaj tyre.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore