Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Konventa për testamentet, hapet procesi për pronat e shqiptarëve në Greqi

Kuvendi

Nis shqyrtimi i draftit nga komisionet. Përfitojnë dhe emigrantët, të shpërndarë në disa shtete të BE-së

Cilët përfitojnë - Komunitetet shqiptare në: Itali, Greqi, Francë, Mbretëri e Bashkuar dhe Irlanda e Veriut, Austri, Belgjikë, Gjermani, Mali i Zi, Spanjë, Serbi, Maqedoni, Turqi janë përfitues nga kjo Konventë

1 milion - Në Shqipëri llogariten mbi 1 milion emigrantë, pjesa më e madhe ka krijuar familje dhe kanë pasuri të paluajtshme. Me konventën, ata mund t’ia trashëgojnë familjarëve të tyre

BLEDAR HOTI

Konventa “Për konfliktet e ligjeve në lidhje me formën e disponimeve testamentare” do t’u japë mundësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë për njohjen e pronësisë dhe dhënien e trashëgimisë ndaj pasardhësve të tyre. Në Kuvendin e Shqipërisë po shqyrtohet projektligji i miratuar nga qeveria, i firmosur nga ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, për futjen e Shqipërisë në këtë konventë, që do të zgjidhë konfliktet që kanë shqiptarët me pronësisë në vendet ku ata jetojnë apo punojnë. Drafti i siguruar nga gazeta “Shqip” përcakton se cilët mund të përfitojnë nga konventa ndërkombëtare e Hagës, e cila prek të gjithë ata shqiptarë që jetojnë si emigrantë, por edhe ata që kanë pasur pronat e tyre dhjetëra vite më parë. Këtu përfshihen dhe pronat e shqiptarëve në Çamëri. “Në Konventën e Hagës ‘Për konfliktet e ligjeve me formën e disponimeve testamentare’ janë palë 40 shtete, anëtare dhe jo anëtare, të Konferencës së Hagës, ndër të tjera vende fqinje dhe vende ku ka një komunitet të shtetasve tanë si: Itali, Greqi, Francë, Mbretëri e Bashkuar dhe Irlanda Veriut, Austri, Belgjikë, Gjermani, Mali i Zi, Spanjë, Serbi, Maqedoni, Turqi etj.”, thuhet në relacionin e projektligjit. Qëllimi i Konventës është zgjidhja e konflikteve ligjore të mundshme në lidhje me format e disponimit testamentar. “Konkretisht, neni 1 i konventës parashikon rastet e vlefshmërisë së disponimit testamentar në lidhje me formën, nëse forma e tij është në përputhje me ligjin e brendshëm: a) të vendit ku trashëgimlënësi e ka bërë atë; b) të vendit, shtetësinë e të cilit ka pasur trashëgimlënësi në kohën kur ka bërë disponimin testamentar, ose në kohën e vdekjes së tij; c) të vendit, në të cilin trashëgimlënësi ka pasur vendbanimin e tij, ose në kohën kur ka bërë disponimin, apo në kohën e vdekjes së tij; d) të vendit, në të cilin trashëgimlënësi ka pasur vendbanimin e tij të zakonshëm, si në kohën kur ka bërë disponimin, ose në kohën e vdekjes së tij; c) të vendit ku ndodhet pasuria e paluajtshme e disponuar me testament”, thuhet në relacion. Projektligji është shqyrtuar nga Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme. Në diskutimet e ndryshme, deputeti i PS-së, Namik Dokle, i ka kërkuar përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme se, nëse nga kjo mund të përfitojnë shqiptarët nga krahina e Çamërisë që kanë lënë pasuri të regjistruar në Greqi. Përgjigjja e përfaqësuesit të Ministrisë së Jashtme ishte një po e thjeshtë, duke shtuar se nëse për këtë ka testament të shkruar. Neni 2 i konventës parashikon që neni 1 të zbatohet për disponimet testamentare që revokojnë një disponim të mëparshëm testamentar. “Zbatimi i rregullave të konflikteve të përcaktuara në këtë konventë nuk është i varur nga ndonjë kërkesë reciprociteti. Konventa zbatohet edhe nëse shtetësia e personave të përfshirë apo ligji që duhet të zbatohet në bazë të neneve të mësipërme, nuk është ai i shtetit kontraktues. Kjo konventë zbatohet në të gjitha rastet kur trashëgimlënësi vdes pas hyrjes së saj në fuqi”, thuhet në nenet 6 dhe 9 të Konventës. Me miratimin e këtij drafti, Shqipëria do të jetë shteti i 41-të që njeh këtë Konventë.

 

Teksti i plotë i projektrezolutës

1.   Njeh, mbështet dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve.

2.   Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish-shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e së drejtës së riatdhesimit, njohjen e së drejtës së rimarrjes së shtetësisë dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3.   Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940 i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare.

4.   Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj.

5.   Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim.

6.   Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata.

7.   Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnë gratë, pleqtë e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve të kryera nga njësitë paramilitare greke.

8.   Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish-qytetarëve grekë, të vrarë gjatë gjenocidit grek.

9.   Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore.

10.  Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës t’i kërkojë ministrisë homologe të nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11.  Ngarkon qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem.

12.  Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13.  I rezervon vetes të drejtën që, në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adekuate.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore