Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Juliani u zhduk kur erdhi ekspertiza për Çopën

11 ditë hetime - Dosja "Isa Çopa" po hetohet në Prokurorinë e Durrësit, e cila ka marrë në dorë një provë të rëndësishme që e klasifikon ngjarjen e tetorit të vitit të kaluar si vrasje. Megjithëse në kohë dhe vende të ndryshme, kjo ngjarje mund të ketë lidhje me zhdukjen e Julian Çelës, djalit të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, i cili nuk ka të birin në shtëpi, pas ardhjes së ekspertizës për ish-vartësin e tij

Shtohet misteri për djalin 10-vjeçar të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH

Policia - Policia e Tiranës ka prova se Julian Çela është larguar me dëshirë nga banesa dhe ka dyshime se shoqërohet me kontingjent kriminal në zonë

Prokuroria - Drejtuesit e akuzës së kryeqytetit kanë marrë kontakt me babain e të zhdukurit, zyrtarin e SHISH, i cili u ka kërkuar vetëm që t?i gjejnë djalin

Familjarët  - Kanë ndërprerë kërkimet për gjetjen e Julit në Tiranë, ndërsa në një komunikim me gazetën "Shqip", Skënder Çela tha se "është mbyllur kjo punë!"

Julian CelaJulian Çela, djali i nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH është zhdukur ditët kur në Shqipëri ka ardhur ekspertiza gjermane për Isa Çopën, për të cilin po hetonte edhe babai i tij, Skënderi. Raporti flet për vrasjen e nëndrejtorit të SHISH-it në Durrës, i cili ishte vartës i Skënder Çelës. Ky i fundit, prej 11 ditësh, nuk ka asnjë informacion për djalin, që u largua pasditen e 30 nëntorit në Laprakë të Tiranës. Megjithëse nuk është një pistë zyrtare hetimore, informacionet flasin se ngjarjet mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën, që janë në kohë dhe vende të ndryshme. Burime nga Prokuroria e Durrësit pohojnë për gazetën "Shqip" se ekspertiza gjermane, të cilën e kërkoi grupi hetimor, për vdekjen e Isa Çopës, ka ardhur rreth dy javë më parë. Në të njëjtën kohë, djali i nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, i cili e kishte vartës Isa Çopën, humbet. Informacionet nga policia dhe prokuroria janë të pakta për këto dy ngjarje. Për rastin e 10-vjeçarit, pohojnë se mund të jetë largim me dëshirë nga banesa, ndërsa për Isa Çopën, thonë se presin zbardhjen e plotë të ekspertizës.

 

Sekretet hetimore

Ngjarjet kriminale, ku janë të përfshirë punonjës të SHISH, mbeten misterioze. Vrasja e dyshuar e Isa Çopës, tetorin e vitit të kaluar, vazhdon të jetë e pazbardhur, megjithëse ekspertiza gjermane hedh dyshimet për një ekzekutim, pasi i ndjeri nuk ka pasur mundësi që të kafshonte gjuhën, të godiste veten në kohë, të nxirrte pistoletën nga brezi dhe të vetëqëllohej dhe si përfundim të digjte automjetin. Ai mund të jetë shantazhuar dhe kërcënuar, para se të vritej brutalisht në periferi të Durrësit. Megjithatë, kur kanë kaluar më shumë se një vit, ngjarja nuk u klasifikua asnjëherë si vrasje, të cilën mund ta hetonte edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Policia shpejtoi në atë kohë ta cilësonte ngjarjen si vetëvrasje, pasi ishin edhe disa prova shtesë, si lënda djegëse e marrë në shtëpinë e së motrës dhe sms-ja që i ka mbërritur djalit të Isait, që i kërkonte të "bëhej i fortë dhe të mbështetej tek familja".

Në të njëjtën "rrugë" është edhe çështja e zhdukjes së 10-vjeçarit në Laprakë. Policia thotë se kemi të bëjmë me një largim me dëshirë nga banesa, pasi Juli është parë katër ditë pas zhdukjes në një fast-food. Agjentët e policisë dyshojnë se 10-vjeçari mund të fshihet te ndonjë shok në zonë, i cili është edhe kontingjent krimesh. Madje, policia i ka kërkuar edhe dëshmitarëve okularë të mos japin asnjë informacion në media, pasi çështja "është nën hetim e sipër". Enigmatike është edhe ndërprerja e komunikimit me median e familjes së 10-vjeçarit, të cilët pohojnë se kanë vetëm një apel: gjetjen e Julit sa më shpejt.

 

Hetimet

Çështja e Isa Çopës po hetohet nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka ngarkuar dy prokurorë për zbardhjen e ngjarjes enigmatike të tetorit të vitit të kaluar. Hetuesit kanë bërë një sërë ekspertizash dhe marrje provash, ku e fundit ishte ardhja e ekspertizës nga shteti gjerman. Ndërkohë, hetimet për zhdukjen e 10-vjeçarit vazhdojnë të jenë "në ajër". Policia e Tiranës pohon se verifikimet po i kryen Komisariati nr.3, ndërsa babai i të zhdukurit, Skënder Çela, ka komunikuar edhe me Prokurorinë e Tiranës, e cila thotë se nuk ka marrë asnjë material nga policia. Institucionet e drejtësisë ende nuk kanë bërë klasifikimin e kësaj ngjarjeje, e cila mund të jetë: largim nga banesa dhe rrëmbim. Mësohet se me ndryshimet e fundit në prokurori, dy ngjarjet do të riverifikohen dhe ndoshta mund të hetohen nga i njëjti grup hetimor. Red.Akt

 

 

 

 

Provat

Pas daljes nga qendra e internetit, askush nuk e ka parë

Familjarët, dyshimet tona për rrëmbimin

Policia dhe familjarët e 10-vjeçarit të zhdukur Jualian Çela, kanë prova dhe fakte të ndryshme, për ngjarjen e pasdites së 30 nëntorit. Provat e të afërmve flasin për një rrëmbim të mundshëm, pasi, pas daljes nga qendra e internetit, ku është parë nga shumë persona, Juliani ka hipur në një makinë. Familjarët kanë pyetur personat që qëndronin afër qendrës së internetit, në momentin që Juliani është parë për herë të fundit, madje edhe nga fëmijët e pranishëm në këtë qendër. Ata nuk e kanë parë me fytyrë djalin që e thirri, por pohojnë të gjithë nën një zë se ka qenë më i madh se Juli. Madje, dikush prej tyre, pohon se para qendrës së internetit ka qenë i parkuar edhe një automjet, që është larguar në momentin që doli edhe 10-vjeçari. Të gjitha këto të dhëna ngrenë dyshimin se Julianin mund ta kenë rrëmbyer. "Kemi dyshime se autorët mund të kenë përdorur ndonjë fëmijë të zonës për të thirrur Julianin. Më pas, ai ka dalë nga qendra e internetit dhe ndoshta ka hipur në këtë automjet", pohojnë familjarët, që shtojnë se gjithçka është e dyshimtë, pasi ata, gjatë këtyre ditëve, kanë dëgjuar shumë versione për largimin e Julianit. "Personat që ndodheshin në makinë ndoshta i kanë thënë se ishin të njohurit e babait të tij. Më pas, kemi dyshime se mund ta kenë gënjyer derisa ka hipur në makinë, e cila është larguar më pas, e paparë nga askush për tipin dhe ngjyrën", vijojnë familjarët.

Dyshimi i tyre konfirmohet pjesërisht edhe nga Policia e Tiranës, e cila tha për gazetën "Shqip" se dëshmitarët u kanë thënë hetuesve të çështjes për një automjet që ka qenë para qendrës së internetit, ku dyshohet se ka hipur më pas 10-vjeçari. "Kemi dëshmi që flasin për këtë makinë, por jo persona që të konfirmojnë plotësisht prezencën e makinës. Kemi këqyrur vendin e ngjarjes, por nuk kemi gjetur gjurmë të gomave. Nuk ka pasur xhirime gomash dhe për rrjedhojë as mbetje të tyre", pohojnë burimet policore, që ende nuk kanë vendosur se me çfarë akuze do ta hetojnë këtë ngjarje. "Pa asnjë pistë konkrete, apo me prova të sakta, nuk mund të përcaktojmë akuzën. Gjithçka është në fazë verifikimi dhe synimi ynë është gjetja fëmijës, por edhe e provave që mund të zbardhin çështjen", thanë burimet policore.

Megjithatë, e vetmja dëshmitare që pretendon se ka parë Julianin pasditen e 30 nëntorit është Roza, pronarja e qendrës së internetit. Në komunikim me familjarët, policinë, por edhe me gazetën "Shqip", ajo ka pohuar se Juliani tentoi të ulej në një kompjuter, por të lirë nuk kishte. Priti disa çaste dhe më pas dikush e thirri. Ishte më i madh se Juli, thotë Roza, ndërsa tregon se ka biseduar pak me djalin, i cili i ka ofruar edhe një flamur, pasi ishte një ditë pas festave të nëntorit. Sipas familjarëve, kjo është dëshmitarja më serioze, ndërsa të gjitha informacionet e tjera, se e kemi parë këtu dhe atje, janë të pavërteta.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore