Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Ina Rama i dorëzon detyrën Adriatik Llallës. Kreu i ri i akuzës premton të mos ndikohet nga politika

Adriatik Llalla ka marr sot zyrtarisht detyrën në krye të akuzës qendrore. Paraardhësja e tij, Ina Rama i ka dorëzuar detyrën në mënyrë simbolike në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Prokurisë së Përgjithshme. Duke dalë nga kornizat e fjalimeve zyrtare, Ina Rama, pasi i ka uruar suksese në detyrën e re Adriatik Llallës, ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtarorët e saj gjatë 5 viteve që ka qëndruar në krye të organit të akuzës, detyrë që sipas saj ka qenë e mbushur me emocione, sfida dhe përgjegjësi.

“Ajo që po kujtoja kur ngjita shkallët sot, ishte fakti, kur erdha për herë të parë në këtë sallë, dhe kur nuk e di këtë gjë, kjo të krijon problematikë në frymëmarrje, gjendesh në këtë tryezë me emocionet e një takimi të parë me prokurorët. Duhet të menaxhosh fjalët, emocionet, frymëmarrjen dhe mesazhet që duhet të japësh. Kur ngjisja shkallë në çdo kat derisa arrija këtu, gjithmonë ndalesha në hollin e katit të fundit për të menduar atë që doja të thosha. E bëra dhe sot këtë, dhe frymëmarrja po më mbahet sërish, dhe e kam nga ajo që do them. Nuk kam mesazhe për t’ju thënë, kam për t’ju falënderuar seriozisht për bashkëpunimin që kemi pasur gjithë këto vite, punën e madhe që kemi bërë. Gjykoj se keni qenë bashkëpunëtorë të mirë. Puna si gjithmonë ka problemet e saj vështirësitë. Për mua ka qenë kënaqësi të punoj me ju, ka qenë shkollë e madhe të punoj me disa prej jush, sfidë e ngarkesë dhe përgjegjësi, puna ime”, ka thënë Rama. Ajo e ka mbyllur fjalimin me urimin që prokuroria shqiptare të ruajë pavarësinë institucionale. “Besoj se puna e prokurorëve kanë treguar përgjegjshmëri, besoj se kemi arritur disa standarde. Uroj që prokuroria shqiptare të mbetet e pavarur me integritet profesional. Uroj të dëgjoj vetëm punë të mira nga ju”, ka thënë ajo.

Ndërsa kreu i ri i akuzës, Adriatik Llalla është treguar disi më i kursyer në fjalë. Ai premtoi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij do të marrë vendime të drejta dhe pandikuara politikisht.

“Më dhanë besimin për të drejtuar këtë institucion që do e drejtojmë së bashku duke dhënë secili kontribut në fushën e tij. Do përmbushim detyrat e parashikuara në ligj. Gjatë mandatit tim prioritete e mia do të jenë të motivoj prokurorët që përballen pa kompromis me krimin e korrupsionin, por edhe më tej duke marrë vendime të drejta, të pandikuara nga interesa të caktuara përfshi edhe ato politike, do jem garant i motivimit të atyre që do punojnë me përkushtim detyrën dhe do të përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze akuzën në emër të shtetit. Uroj punë të mbarë dhe besoj se së bashku do të vijojmë që prokuroria të ketë standardet e kërkuara në ligj”, tha kreu i ri i organit të akuzës. Adriatik Llalla u zgjodh në krye të Prokurorisë së Përgjithshme nga Presidenti Bujar Nishani më datën 3 dhjetor, përkundër debateve lidhur me mandatin e kryeprokurores Ina Rama.. Presidenti Nishani e përligji zgjedhjen e Llallës me arritjet dhe eksperiencën e gjatë të tij në strukturat e organit më të lartë të akuzës në vend, ku ai ka kryer detyra të ndryshme. Detyra më e fundit e Llallës ka qenë drejtimi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

10 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore