BASHKIMI KOMBËTAR…..KU NDAHEN STRATEGJISTËT NGA POLITIKANËT?

ALEKSANDËR ÇIPA 

Aleksander CipaBashkimi kombëtar i shqiptarëve është tashmë një çështje që u poq nga tejvonesa e gjatë historike. Në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë shtetërore, kjo çështje u kthye edhe zyrtarisht në rend të ditës. Në fakt nuk ka ngjarë diçka e posaçme, por thjesht politika ka mbërthyer një kazus për të qenë në tone të reja konkurimi për arsye të votës në raport me qytetarët shqiptarë. Dhe kazusi është gjetur i vetmjaftueshëm për seicilin. Eshtë thjesht një çështje politike e cila si e tillë do të vlojë përgjatë gjashtë muajve të ardhshëm të këtij sezoni elektoral. Matanë zgjedhjeve të 23 Qershorit të 2013-s, çështja rikthehet vetëm në formatin e një platform të premtuar, por jo në kuadër të një strategjie të përfunduar për proçess të mirëmenduar politik, juridik dhe administrativ.

Në këto kushte, përballja e strategjistëve të pazëshëm me politikën, është tashmë më eminente se kurrë.

Në fillim të viteve  ’90-të, kur u shemb përfundimisht Shqipëria komuniste dhe nisi epokën e vet Shqipëria e tranzicionit, frymuan publikisht nismat për sendërtimin e një strategjie dhe  platforme për bashkim Kombëtar. Kjo nismë u materializua edhe në një botim të posaçëm i çili vinte pas propozimeve shumëpalëshe për ngritjen e një këshilli Kombëtar për Bashkim Kombëtar. Në atë periudhë  spikati refuzimi i pasuar me debat dhe kontestime biografike mes mbështetësve të kryesuesit të PD-së, kryeministrit aktual Berisha dhe përfshirjes në këtë këshill të Akademikut Rexhep Qosja. Ndërkohë që  në këtë sipërmarrje idealistësh u përfshinë edhe shkrimtarët e shquar Ismail Kadare, Dritëro Agolli, akademiku, me vonë ish-President i Republikës, Rexhep Meidani etj., etj…

Ajo nismë u trajtua dhe u ndal thjesht për motive të sjelljes dhe interesit momental politik të partive politike në Shqipëri. Ishte një nismë e parakohshme, por tashmë mund të thuhet se rezultoi të quhet profetike. Sidoqoftë, koha rrodhi dhe e pakryera rishfaqet sërish si e domosdoshme në kohën e ardhme. Bashkimi Kombëtar shqiptar është proçesi që tashmë nuk ka nevojë për populizmin dhe përdorimin konjuktural politik, por për një ecuri mbi bazë prognozash dhe sipërmarrjesh strategjike shqiptare. Kjo duket se është lënë pas kuintave, në mëshirë të politikës dhe jo në duar të institucionalizmit përfaqësues në krejt hapësirën shqiptare. Për shkak të kësaj  ndërgjegjeje të munguar të organizimit institucional gjithëshqiptar, ky proçess po risillet në qendër të vëmendjes publike, jo për shkak të kapitullit në të cilin realisht gjendet ai, por për shkak të eminencës politike para së cilës gjenden palët politike dhe më së shumti kryeprotagonistët e politikëbërjes shqiptare, sidomos në Tiranë dhe Prishtinë.

Diferenca mes strategjistëve dhe politikanëve në raport me procesin e bashkimit kombëtar duhet të jetë vetëm përmbajtësore. Mes tyre, pala e politikës është mbartëse e pabesisë për shkak të interesit adekuat elektoral apo qeverisës, ndërsa te strategjistët, mençuria dhe inteligjenca e materializuar tek platforma konkrete e strategjisë, janë dhe duhet të jenë vetëm një detyrim themelor, I shenjtë dhe besnik i intreresit kombëtar.

Natyrisht, palët partiake kanë nisur të shpalosin patetikisht dhe retorikisht evokimin e platformës “klasike” të Rilindjes Kombëtare shqiptare, si bazën në të cilën do të mbështetet bashkimi ynë kombëtar. Por ky referim  i sjellë në kontekst me realitetin aktual shqiptar dhe europian, vlen për bazizmin e vet, por jo për rizbatim konkret. Principet janë ato, ndërsa zbatueshmëria është kryekëput në terren dhe rrethana të tjera. Deviza është ajo, por kriteret dhe rrethanat e  realizimit janë kryekëput sa të lehta, aq edhe komplekse. Këtë diferencë, prej kohësh duhet ta bëjnë evidente strategjistët tanë në të gjitha fushat. Askush në opinionin publik të hapësirës shqiptare dhe në diasporë, nuk e konsideron të pakryeshëm dhe të refuzuar këtë proces natyral të shqiptarëve. Mirëpo strategjistët janë ata që bëjnë të njohur dhe orientojnë qytetarët e së njëjtës kombësie, shtetasit e disa shteteve, entitetet  prezente, sidomos ato me prirje fanatike për hermetizimin e bashkësisë së tyre në raport me perimetrin e gjerë kombëtar, etj., etj., që të përvetësojnë platformën bashkuese dhe mekanizmin zbatues të saj. Mediat, biznesi dhe kultura në përgjithësi janë  dukshëm një hap para në këtë proces.Ndërsa politika dhe partitizmi janë të pasinqertë dhe mbartin një ndërgjegje apo hile malinje të pashfaqur publikisht, por të sendërtuar tinëzisht në marrëdhëniet e brendshme. E kemi fjalën për atë droje dhe konjukturë që investojnë pamvarësisht përkatësisë apo programit politik dhe ideologjik që kanë liderët e partive në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni etj. Kjo padyshim ka lidhje me rrezikun e zhbërjes në ecurinë e mëtejshme të procesit bashkues  të domeneve partiake që ato kanë krijuar gjatë periudhës së 22 vjetëshit të pluripartizmit në Shqipëri,  dhe po aq në Maqedoni si  dhe gjatë 11 vjetëshit të fundit të pavarësisë dhe shtetformimit në Kosovë. Këtë tinzarllëk të shprehur më së shumti si diversitet apo mospërputhje, e manifeston gjatë kësaj dekade të fundit gjithë rrjeti i institucioneve  të shkencave filologjike shqiptare dhe atyre historike. Kjo padyshim ka lidhje me shërbestarinë apo rekrutimin politik që politikat qeverisëse u kanë bërë këtyre institucioneve, që janë bazike në krijimin e platformës konkrete të bashkimit kombëtar kulturor, shkencor, historik dhe  albanologjik. Se sa të shëmtuara kanë qenë mospërputhjet dhe refuzimet mes Akademive të Shkencave në Tiranë dhe Prishtinë në këto 20 vjet, nuk ka nevojë të rithuhet. Por ajo që është e pafalshme në këtë dasi, shpesh edhe patologjike dhe krahiniste, në kuadër të procesit të domosdoshëm bashkues, ka lidhje me çorodinë zyrtare të shkaktuar, me qesharakësinë e shkaktuar ndërkombëtarisht nga vetë shqiptarët dhe institucionet tona të cilësuara në mos provinciale, të politizuara dhe të dogmatizuara nga koha në kohë.

Strategjistët shqiptarë, të munguar në shumicën e kohës, natyrisht janë të shfaqur tek-tuk nëpër  forume dhe konferenca ndërkombëtare. Individë të kësaj ekspertize nga hapësira shqiptare vijojnë të tërheqin vëmendjen e homologëve të tyre rajonalë dhe ndërkombëtarë, por ata janë  “të mirët” e padëgjueshëm në vendin e tyre. Ngjet tamam si në atë sentencën  biblike:”Profetët janë të injoruar në vendin e tyre”. Bashkimi Kombëtar shqiptar, tashmë është një ekuacion i lehtë në një pikëpamje, por po kaq problematik  bëhet nga këndvështrimi i një pale dhe i një grupi skeptikësh. Fqinjët kanë drojen e shumëshprehur të Shqipërisë etnike dhe nacionalizmit, ndërsa skeptikët, të cilët janë më të shumtit brenda hapësirës, i druhen  shproporcionit të përfaqësimit në perimetrin dhe strukturën e re poliarkike, që do të rezultojë nga procesi i afërt i Bashkimit Kombëtar. Në një prononcim për seksionin shqip të “Europës së lirë”, kolegu Artur Zheji me të drejtë dhe mprehtësisht sillte në vëmendje tezën kryesore gjeopolitike që shpërfaq komuniteti ndërkombëtar për rajonin e Ballkanit: ”Unë mendoj që teza kryesore gjeopolitike e komunitetit ndërkombëtar është thjeshtimi i ekuacioneve. Cila është kjo? Vendet të grupohen, kombet të grupohen sipas etnisë. Pra, shqiptarët në rajon duhet të rrinë bashkë, kroatët të rrinë bashkë, kjo e thjeshton ekuacionin, serbët të rrinë bashkë dhe në një lloj kuptimi të shkohet drejt shteteve etnike. Kjo ka qenë konsideruar e gabuar para 10 apo 15 vitesh. Por të gjitha tentativat për multi-etnicitet kanë dështuar, janë shumë të kushtueshme, realiteti politik nuk i pranon më”.

Klasa e munguar  e  strategjistëve të Bashkimit Kombëtar, duhet të lindë, sidomos tani. Ajo nuk mund të dalë nga “mitra” e keqpërdorur e politikës, por nga segmentet e shëndosha dhe kombdashëse të shoqërisë  shqiptare, nga ajo pjesë që modernitetin e ka tipar dhe që elitizmin e ka përmbajtje konkuruese në perimetrin global. Në periudhën e bashkimit të dy Gjermanive, Akademitë e Shkencave dhe laboratorët e studimeve strategjike gjermane, paradhanë formulat dhe publikuan konkurueshmërisht platformat  respektive, të cilat udhëheqësit e Gjermanisë së Bashkuar nuk i shpërfillën dhe nuk i injoruan dot. Shqiptarët, në nisje të shekullit të dytë të jetës së shtetit të tyre, e kanë fituar betejën me utopinë për bashkim kombëtar.  Por tashmë duhet t’i paraprijnë utopisë tjetër, asaj të kapërcimit të vetes së tyre. Në këtë mundësi, “kuruesit e parë”  janë strategjistët dhe ekspertët e interesit kombëtar.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

5 Comments
  1. Spartacus says

    Zoti Aleksander,
    ky eshte shkrimi me i mire, deri me tani, qe eshte bere per ceshtjen e bashkimit kombetar.Ju e shihni shume qarte dhe e trajtoni shume drejt kete problem.Nuk kam se c’te shtoj gje tjeter vecse t’ju them: JU LUMTE.

  2. Besho Krastafillaku says

    Ki eshte shkrimi me i dobet e i shpelare qe ben ky sarandiot!Don te beje analize dhe te paraqitet me strategjipori ka dale nje shkrim BITHE !
    Tashti CIPA me qe nuk eshte politikan don ta fuse vehten te strateget apo STRATEGJISTET (Fjale alla Cipa)

  3. mihal says

    …Duke pare sot ceremonine e radhes te cmimit Nobel per Paqe …duhet reflektim qofte per tezat e Zhejit & Cipes , ndryshe NUK do te kishim nje Merkel & Hollande te ngritur ne kembe ne ate ceremoni qe shifet nga miliona njerez (apo nje Zvicer me disa etni ..perfekte ne bashejetese)
    Baze kane Shtetesine tere personalitetet e botes ne Wikipedia …pertej orgjines qe thjesht permendet (ti thuash Sirian per hir te orgjines Steve Jobs-it !!!).., po Ajshtajni me sentencat e nje shtetari Amerikan ne bustin e tij ne Washington …nuk denjon te mbivleresoje etnine e tij Ebreje…
    Cipa eshte nje nga intelektualet me te respektuar dhe konciz …dhe eshte nga Piluri 100 % patriot …dhe JO te permedet ironikisht Sarandiot si ky parafolesi qe flet emocionalisht apo (?) ia fut kot – pune korofillaku !!!

  4. Besho says

    O Mihal mbi 90% te komentuesve ne kete gazete shajne kryeministrin me origjine si “shpellar” apo “malok” dhe se u permend Cipa si sarandiot ju thoni se nuk duhet te merremi me origjinen. Pra sipas jush socialsteve vetem duhen share verioret si malok e te paghenur ndersa banoret ne jug jo. Ko nuk eshte inlektualizem dhe respektim por antikulture

  5. Sabri Selmani, Gjermani says

    BASHKIMI GJITHKOMBËTAR!

    Sabri Selmani

    Bashkimi I popullit në një shtet kombëtar, është problemi ynë madhor që kërkon zgjidhje! Të kuptuarit dhe të përqafuarit e kësaj aspirate sot është obligim I të gjithë shqiptarëve. Kosova, djepi I vazhdueshëm I atdhetarisë shqiptare, e pavarur dhe sovrane, po bëhet dhe pikënisja e zgjidhjes praktike të Bashkimit Kombëtar.
    Nuk duhet të frikësohemi, as të katandisemi nga ideja dhe kërkesa e domosdoshme dhe e ligjshme e ribashkimit të Kosovës, të Anamoravës, të Iliridës, të Çamërisë dhe të Malësisë së Madhe me gjysmë Shqipërinë e sotme të lirë dhe të pavarur, sepse kjo do të ndodhë, mos sot, nesër
    Si pjesë e natyrshme gjeografike, historike, kulturore-shpirtërore e kontinentit të Evropës, e cila synon të jetë model I lirisë, demokracisë e prosperitetit, të mos pajtohemi më tej me eksperimente politiko-diplomatike, me lëshime, taktika e pazarllëqe, me zjarrfikje e arnime politike në Ballkan, – të cilat kanë qenë parimi I të kaluarës. Kjo vlen për dinjitetin e Evropës dhe tonin. Është koha të bëhemi pjesëtarë aktivë në lëvizjen e përgjithshme për liri, drejtësi, barazi e humanizëm, – atribute jetike këto, – të cilat kaq rëndë janë manipuluar në të kaluarën, për të cilat kaq keq jemi dhunuar e mashtruar.
    Nuk eshte as turp dhe as krim te flasesh per kete teme. Madje duhet te flasim dhe te bertasim fort qe te na degjojne te gjithe sepse shqiptaret nuk po kerkojne tokat e botes por tokat e tyre te cilet fqinjet me ndihmen e te medhenjeve ia kane zhvatur pak nga pak gjate shekujve. Me pavaresimin e Kosoves bashkimi I nje pjese te truallit kombetar do behet edhe me I shpejte. Pervec te mirave asgje e keqe nuk do na vije nga bashkimi I trojeve dhe kjo do jete ne te miren e te gjitheve ne, pasi faktori shqiptar do behet shume me I fuqishem se tani e do na degjohet me forte zeri ne arenen rajonale e me gjere.
    Ribashkimi kombëtare dhe kontributi rreth projektit për bashkim, aq sa është akt moral është edhe interes personal I secilit shqiptare veç e veç. Shkakun e prapambetjeve kaq të theksuara në trevave shqiptare sot duhet kërkuar në copëtimin dhe dezintegrimin Kombëtare. E vetmja rrugë për të mbijetuar është BASHKIMI GJITHKOMBËTAR!

Comments are closed.