AK, 100-vjetori i Pavarësisë: Policia malazeze dhunoi të rinjtë shqiptarë, qeveria të reagojë

Aleanca Kuq e Zi denoncoi dhunën që policia malazeze ushtroi mbi të rinjtë shqiptarë në Ulqin gjatë ditës së festimeve të festës së pavarësisë së Shqipërisë. Përmes një deklarate për mediat sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë i AK, Lisen Bashkurti tha se ky veprim i autoriteteve policore të Malit të Zi është shkelje flagrante e të drejtëve të njeriut.

“Me datën 28 Nëntor 2012, kur të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në rajon dhe në mbarë botën festonin 100-vjetorin e pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Komisiariati i Policisë së Ulqinit në Republikën e Malit të Zi ka keqtrajtuar të rinjtë shqiptar Egzon Ceka, Elmedin Velia, Armend Dushku dhe Albion Duraku, studentë të Shkollës “Bashkim Vëllazërim” të këtij qyteti shqiptar. Keqtrajtimi është bërë në ambientet e Komisariatit e Policisë së Ulqinit. Shkak i këtij keqtrajtimi ka qenë fakti se të rinjtë e mësipërm kanë mbajtur flamurin shqiptar, janë veshur kuq e zi dhe kanë kënduar këndën himn: “Xhamadani vija-vija, asht Kosova, asht Shqipëria”, është shprehur Lisen Bashkurti.

Sipas AK, deklaratat nga ana e shtetit dhe qeverisë shqiptare për mbrojtje të shqiptarëve kudo ndodhen janë retorike false dhe marketing politik  ndërsa i bëjnë thirrje të respektojë ligjin kushtetues.
“I kujtojmë pandërprerë Shtetit shqiptar, Presidentit, Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që të heqin dorë nga retorikat false dhe nga deklaratat për marketing politik dhe të ndërmarrin veprimet institucionale përkatëse në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen, në përputhje me “Nenin 8” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
I bëjmë me dije opinionit publik shqiptar kudo në botë, se politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare, duke mos respektuar “Nenin 8” të Kushtetutës së vëndit nuk veprojnë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodhen. Ky qëndrim i autoriteteve shqiptare nuk i kontribuon as lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, as forcimit të politikës së fqinjësisë së mirë mbi bazën e interesave dhe respektit reciprok dhe as paqes e stabilitetit në rajon”, thuhet në deklaratën e AK.





8 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)





Comments are closed.