Përurohet “Monumenti i Pavarësisë”, peshon 15 tonë

Rubens Shima: Është i kushtueshëm, duhet të ruhet

Oliverta Lila

Monumenti i Pavarësisë është përuruar dje në Tiranë. I vendosur në parkun “Rinia”, ky monument është realizuar nga arkitekti Visar Obrija (Kosova) dhe Kai Kiklas (Gjermani). Në ceremoninë zyrtare ka qenë i pranishëm Kryeministri Berisha dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi. Ky i fundit e cilësoi si të parin monument të dalë nga një konkurs ndërkombëtar që nga koha e monarkisë. Ministri Bumçi nënvizoi simbolikën e marrë nga kullat shqiptare dhe simbolikën e një shteti të hapur pas shumë viteve diktaturë. Monumenti është fabrikuar në Austri. Është i gjatë 6.5 metra dhe 5.5 m i gjerë dhe peshon 15 tonë. Sipas drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, e cila realizoi konkursin nga ky bocet doli fitues, ky është versioni i vogël dhe me disa ndryshime të vogla, monumenti është ai që ishte kërkuar. Sipas Shimës, skeleti i monumentit është material çeliku, ndërsa distanciatorët mes veshjes së lëkurës(e përbërë prej piramidash të vogla) janë material alumini. Në njërën pjesë të monumentit duket simboli i shqiponjës, e cila kur ndizet ndriçimi merr ngjyrën e zezë, kurse në pjesën tjetër me lazer është shkruar deklarata e pavarësisë. Ndryshe nga boceti, monumenti është më imponues. Sipas Shimës, kostoja e prodhimit ka kushtuar 355 mijë euro, ndryshe nga 500 mijë që ishin vënë në dispozicion. Në këtë shumë nuk përfshihet vlerësimi artistik i autorëve(35 mijë euro) dhe realizimi i bazamentit. Përveç ndriçimit të inkorporuar(i futur në brendësi të monumentit), është menduar të vihet edhe një ndriçim i jashtëm. Deri pak orë para përurimit, punonjësit kanë plotësuar detajet e fundit për të përshtatur ambientin ku është vendosur monumenti. “Është monument shumë i kushtueshëm, i cili realizohet për herë të parë në Shqipëri. Duke qenë se materialet janë të shtrenjta dhe lehtësisht të dëmtueshme, ky monument kërkon mbrojtje dhe vëzhgim të vazhdueshëm”, ka theksuar Shima. Sipas tij, ndoshta do të jetë Bashkia e Tiranës që do ta marrë në përkujdesje. Ky monument pati një sërë kundërshtimesh nga artistët, të cilët në tërësi kërkuan një cilësi më të lartë artistike nga konkursi i zhvilluar.





Comments are closed.