E fiksuar pas sportit

Varësia ndaj sportit, ose fiksimi patologjik për sportin prek si meshkujt edhe femrat. Ndoshta ju nuk e kuptoni, por në qoftë se e teproni, pasojat do të pasqyrohen te shëndeti juaj. Le t’i zbulojmë më poshtë

Orë të tëra që kalohen në palestër, pishinë ose duke bërë vrap. Nëse praktimi i aktivitetit fizik të bën mirë për shëndetin dhe mjekët e theksojnë vazhdimisht këtë, kur teprohet edhe aktiviteti fizik mund të jetë i dëmshëm për trupin. Me fjalë të tjera, të pasionuarit pas gjimnastikës janë më të rrezikuar që sporti të shndërrohet në një lloj fiksimi, që ndryshe mjekët e kanë quajtur varësi ndaj sportit ose fiksimi patologjik për sportin. Një specialist ka shpjeguar arsyet e këtij ndikimi.

Kur praktimi i sportit shndërrohet në sëmundje?

Kush bën sport në mënyrë të shëndetshme, e ndërthur aktivitetin fizik me jetën e përditshme. Kush është “i sëmurë” dhe e planifikon ekzistencën e vet në funksion të sportit, duke e rrotulluar gjithçka rreth sportit, atëherë mund të quhet lehtësisht një i fiksuar.

Sa i përhapur është ky fiksim?

Sipas llogaritjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 3-5% e popullsisë vuan nga varësia ndaj sportit. Megjithatë është shumë e vështirë të jepen shifra të sakta, sepse fenomeni ndryshon vazhdimisht.

Çfarë e nxit atë?

Arsyet kryesore janë dy: ushtrimi i tepruar mund të finalizohet me një përmirësim të vazhdueshëm të pamjes fizike dhe duke mos u kënaqur kurrë me rezultatet e arritura, të fiksuarit janë të prirur të kërkojnë më shumë. Më të prekur nga ky fenomen janë meshkujt. Për femrat pastaj qëllimi është mbajtja konstante e peshës trupore, ose rrëzimi i sa më shumë kileve. Megjithatë në thelb qëndron shmangia e shëndoshjes dhe mbajta e një forme të shëndetshme fizike. Te femrat, varësia ndaj sportit është më e përhapur mes anoreksikeve dhe vajzave që kanë probleme me ushqimin. Për rreth 50% të femrave që kanë probleme me ushqimin, ky çrregullim u vjen për shkak të fiksimit që kanë për sportin, e ndoshta edhe nga çrregullimet e tjera, siç është për shembull bërja pazar në mënyrë të pakontrolluar. Meshkujt që vuajnë nga varësia ndaj sportit, shpesh abuzojnë me alkoolin, duhanin e ndonjëherë edhe me ilaçet e ndaluara ose suplementet që përmirësojnë nivelin e performancës sportive.

Cilat janë shenjat konkrete?

Kush preket nga kjo lloj varësie shpesh ndjen një lloj paaftësie për të kontrolluar aktivitetin fizik, që duke u praktikuar pa kufi mund ta çojë trupin në kolaps. Kur nuk merren me sport, personat në fjalë nuk ndihen mirë me veten, prandaj shtojnë gradualisht numrin e ushtrimeve dhe kohëzgjatjen e stërvitjes. Në rastet më të rënda, praktikojnë edhe “boosting”, atë që është cilësuar si dopingu i dhimbjes.

Ç’duhet bërë për të shëruar këtë patologji?

Gjëja e parë që duhet të bëni është të kuptoni thelbin e shprehjes se kush merret me sport, i dhuron vetes disa vite jetë, ndërsa tejkalimi, ose teprimi mund t’i bëjë keq trupit. Problemet më të shpeshta janë dhimbjet e artikulacioneve, këmbëve, duarve, fillojnë problemet në sistemin kardiovaskular, sidomos në rastet kur trupi nuk bën asnjëherë pushim dhe ngarkesa është më e madhe se sa forca fizike. Gjithashtu në rastet kur teprohet, rrezikon të prishet edhe ekuilibri hormonal. Cikli menstrual te femrat mund të rregullohet kur bën ushtrime me karar ose të çrregullohet kur e teprojnë, sidomos në rastet kur ka humbje të madhe të peshës trupore, në një kohë shumë të shkurtër. Me pak fjalë mendja dhe trupi korrespondojnë me njëra-tjetrën dhe për këtë duhet të ecin në një linjë. Nëse nuk mund t’ia dilni dot mbanë vetë, atëherë drejtohuni te një specialist, i cili mund t’ju japë vërtet një dorë dhe do t’ju mësojë sesi të bashkëjetoni me sportin. Sigurisht që është e vështirë të shërosh një person që ka krijuar varësi ndaj sportit, por jo e pamundur. Nëse vetë nuk jeni në gjendje të kuptoni se keni krijuar varësi ndaj sportit, partneri ose personat që ju qëndrojnë pranë mund t’jua vënë në dukje dhe duhet t’ju ndihmojnë që ta kapërceni këtë moment të vështirë. Në këtë rast, bashkëpunimi është zgjidhja e gjithçkaje.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.