Lindsay Lohan

Aktorja 26-vjeçare, pas problemeve me burgun, alkoolin dhe drogën rikthehet në televizion me filmin “Liz & Dick”. Interpreton të madhen Elizabeth Taylor, ku thotë se i ngjan shumë asaj

Unë, si Liz Taylor, e shkatërruar nga gossip-et  

Duhet të kesh një kurajë të madhe për të punuar me Lindsay Lohan: kështu pohon dhe shumë pak mund ta kundërshtojnë, Larry Thompson, producenti i filmit televiziv “Liz&Dick”, për historinë legjendare të dashurisë mes Elizabeth Taylor dhe Richard Burton që pritet të transmetohet në 25 nëntor në kanalin amerikan “Lifetime”. “Të bësh një film me Lindsay Lohan nuk është për të sëmurët me zemër”, sipas Thompson. Dhe nuk flet vetëm për sjelljen e aktores në sheshin e xhirimeve: aksidente me makinë, arrestime dhe detyrimi për kontrolle të vazhdueshme, që i ka ndërprerë shumë herë punën. “Kishim një kontratë me dhjetëra klauzola”, shpjegon Thompson. “Aftësia e saj si aktore nuk vihej në diskutim, po kishte faqe e faqe të tëra ku thuhej ‘nëse ndodh kjo’ apo ‘nëse ndodh ajo’. Ka qenë aktorja më e siguruar që ka shkuar ndonjëherë në set. Duhet të merrnim masa që të evitonim të papriturat. Me këtë po them që ishte një Liz Taylor e pathyeshme”. Aktorja 26 vjeçe, në fillim të vitit 2012, kompletoi pesë vjet liri me kusht pas dy arrestimeve për drejtimin e makinës në gjendje të dehur në vitin 2007. Nga janari i atij viti ka kaluar 251 ditë në pesë institute të ndryshme të rehabilitimit për varësinë nga alkooli dhe drogat. Po ashtu ka kaluar gjashtë periudha të shkurtra në Burgun e Los Angelosit dhe 35 ditë në arrest shtëpie. Në këtë rikthim të sajin në ekran, Lindsay Lohan interpreton divën e madhe të kinemasë, Elizabeth Taylor, në krah të Grant Bojler, në rolin e Burton. Filmi drejtohet nga Lloyd Kramer. “Kam luftuar për rolin e Liz, sepse identifikohem me të për fiksimin e mediave ndaj saj dhe për 66 ulje-ngritjet e raporteve dhe jetës së saj”, thotë Lindsay. “Për më tepër edhe nga dashuria për diamantet që e kemi të dyja njëlloj. Më pëlqen të aktroj dhe është një mëkat që njerëzit kanë nisur të më shohin më shumë si ‘celebrity’ sesa si aktore. Shpresoj vetëm të rifitoj respektin e të gjithë atyre që më duan përmes punës sime”.

Në kohët e Elizabeth Taylor, pa internet, vëmendja e medias ishte e ndryshme?

Po, dhe në një farë mënyre ishte më e lehtë, por shohim se çfarë ka ndodhur me një tjetër yll si Merylin Monroe. Megjithatë, është e vërtetë që sot lajmet që qarkullojnë me internet dhe celularë të ngjallin frikën. Po jam me fat që mund t’i përdor këto eksperienca në ekran për t’i bërë të tjerët të kuptojnë se si mund të ndihesh kur lëndohesh në këtë mënyrë”.

Nuk ke pasur kurrë dëshirë për të ndryshuar jetën që ti bën?

Në një farë pike po. Ndihesha vërtet vetëm, kur më ndiqnin kudo dhe nuk dija ç’të bëja. Nuk doja të dëgjoja askënd. Isha kokëfortë si Elizabeth në sheshin e xhirimeve dhe në jetën private. Madje kam menduar: do ta bëj jetën më të lehtë. Nuk dua të jem më aktore. Por mua më pëlqen aktrimi dhe doja ta rifilloja sërish. Të qëndruarit në set mund të më shpëtojë jetën.

E ndien që nuk të kuptojnë?

Jo, jam e ndërgjegjshme që e kam futur veten në situata të gabuara dhe kam mësuar nga gabimet e mia. Të them se ata që më kanë rrethuar nuk më kanë kuptuar është njëlloj si të gjesh justifikime për veten.

Si e përballove personazhin e Liz Taylor?

Jam një fanse e madhe e saj që kur isha shumë e re dhe gjithmonë i kam dashur filmat e saj të vjetër. Po ashtu, miqtë e mi më thoshin shpesh se sa shumë u kujtoja Liz. Mendoj se jemi shumë të ngjashme në disa gjëra; mënyra se si ajo i përdorte dhe i lëvizte duart në “Kush ka frikë nga Virginia Wolf”, që është edhe filmi im i preferuar, dhe mënyra se si i lëviz unë. Elizabeth ishte shumë e lehtë për t’u kuptuar, shfaqej shumë hapur, gjë që unë e respektoj dhe vlerësoj. Mendoj se ndonjëherë gratë nuk arrijnë ta bëjnë, sepse kushtëzohen nga bukuria e tyre, ndërsa ajo nuk kishte frikë nga bukuria dhe sensualiteti i saj. Kishte një forcë të madhe vullneti, dhe tashmë besoj se ka kaluar shumë për të thënë të njëjtën gjë për mua.

Çfarë këshillash mund t’u japësh aktoreve të reja për të evituar të tilla situata?

Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të rrethohesh nga persona shumë të zotë. Personat me të cilët xhiron një film të bëhen si familjarë dhe kur puna përfundon trishtohesh dhe bie në depresion. Kur isha në universitet, jetoja për qejfin tim dhe nuk rrethohesha nga persona që më donin të mirën. Nëna ime dhe vëllezërit ma thoshin gjithmonë.

Çfarë ke mësuar nga Liz?

Kam mësuar se sa mirë është të dashurohesh dhe të vuash për dashurinë. Kam mësuar edhe se nuk duhet të jem me vonesë në sheshin e xhirimeve, edhe pse asaj i ndodhte shumë shpesh. Për më tepër që nuk duhet hequr dorë kurrë nga pasioni.

Elizabeth Taylor dhe Richard Burton urrenin që të thirreshin Liz e Dick, megjithatë ky është edhe titulli i filmit…

Ua thashë producentëve që nuk më pëlqente ky titull. Por më shpjeguan se është esenca e raportit të tyre në sytë e publikut. Në fund mendoj se ishe zgjedhja e duhur, sepse historia që tregojmë është e bazuar në gazetat rozë. Ashtu si e imja.

 

Telashet

Alkool dhe drogë – Në 26 maj të vitit 2007 pësoi një aksident rrugor. U fut në klinikë, u gjet me kokainë

Burgu – Ka përfunduar shumë herë në burg, pasi ka drejtuar makinën në gjendje të dehur. Në 2011-n u dënua katër muaj

Arresti – Në shtator shtypi, një kalimtar me “Porche” në Manhattan dhe nuk e çoi në urgjencë. U arrestua

Shpëtimi – Më pëlqen aktrimi dhe dua të rifitoj respektin e të gjithëve përmes punës time. Të qenët në sheshin e xhirimeve mund të më shpëtojë jetën.

Gabimet – Jam e ndërgjegjshme që jam futur në situata të gabuara dhe kam mësuar shumë nga gabimet. Nuk dua të gjej justifikime për veten

Puthja – Lindsay Lohan dhe Grant Bowler në filmin që tregon për jetën dhe historinë legjendare të dashurisë mes Liz Taylor dhe Richard Burton

Ylli – Lindsay Lohan, 26 vjeçe, në rolin e Liz Taylor në filmin “Liz and Dick” mbi historinë e dashurisë me Richard Burton

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.