Aksidentoi me vdekje policin rrugor, atentat 34-vjeçarit

Burrel

Policia ngre dyshimet edhe për ndonjë tentativë grabitjeje ndaj emigrantit Agim Hajdini

Pajtim Alstafa qe vdiq ne aksidentNëntorin e dy viteve më parë, ai aksidenti me vdekje policin rrugor, Pajtim Alstafa, i cili po ngrinte një postbllok në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa dy net më parë, teksa udhëtonte me të dashurën e tij, një person i maskuar e ka qëlluar me armë, me qëllim për ta vrarë. Ngjarja e rëndë, që solli plagosjen e 34-vjeçarit Agim Hajdini, ka ndodhur në rrugën nacionale Milot-Burrel, ndërkohë që policia po e heton në dy pista, atë të hakmarrjes dhe të një tentative grabitjeje.

Plagosja në atentat

Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22.00 në rrugën nacionale Milot–Burrel, në afërsi të fshatit Bushkash të Komunës Ulzë. Agim Hajdini, 34 vjeç, aktualisht emigrant në Itali, i kthyer për pushime, po udhëtonte me makinën e tij së bashku me të fejuarën, nga Tirana drejt vendlindjes, Burrelit. Sipas dëshmisë së tij, por edhe të fejuarës, që ka qenë prezente me të, në afërsi të fshatit Bushkash të Komunës Ulzë, ata kanë rënë në pritën e një personi të maskuar dhe me armë. Sipas policisë, prej tij është mësuar se një person i maskuar dhe i armatosur i ka zënë pritë, duke e sinjalizuar që të ndalonte. Hajdini është shprehur se nuk i është përgjigjur kërkesës së të maskuarit për ndalim, por për t’iu shmangur atij, ka vazhduar rrugën bashkë me të fejuarën, e cila ndodhej në makinë. Në këtë kohë, i maskuari, i cili ishte i armatosur, ka hapur zjarr me breshëri ndaj mjetit. Plumbat janë zbrazur drejt mjetit në krah të drejtuesit të tij, të cilët kanë thyer xhamat. Plumbat e lëshuar drejt makinës kanë goditur edhe 34-vjeçarin. Por nga frika, ai nuk është ndalur. Me plagë në trup ka vazhduar rrugën për rreth 12 km që të arrinte në spitalin e Burrelit për ndihmë mjekësore, por 4 km pa mbërritur, ai nuk ka mundur ta drejtojë më mjetin, kështu që ka njoftuar policinë.

Hetimet për ngjarjen

Menjëherë, uniformat blu të Komisariatit Mat kanë mbërritur në vendngjarje, duke i dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe më pas e kanë transportuar për në spitalin e qytetit. Më vonë ka mbërritur edhe grupi hetimor, i cili po merret me zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Fillimisht, ata kanë marrë në pyetje të plagosurin, në lidhje me vendin e ngjarjes, që nuk është gjetur ende, ndërkohë që janë pyetur edhe familjarët e tij. Familjarët e të plagosurit kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte me askënd. Në këto kushte, policia ka ngritur hetimet për dy pista mbi këtë krim. Pista e parë, sipas policisë ka të bëjë me një tentativë grabitjeje, duke marrë shkas nga personi i maskuar dhe zona, ku i ka dalë para çiftit. Sipas policisë, ai mund të ketë tentuar të ndalojë makinën, me qëllim për t’i grabitur, e ndoshta për të kryer ndonjë krim më të rëndë ndaj tyre. Ndërsa pista e dytë ka të bëjë me aksidentin e shkaktuar nga Hajdini dy vjet më parë, nga i cili mbeti i vdekur oficeri i policisë, Pajtim Alstafa, duke ngritur dyshime mbi familjen e viktimës së asaj kohe. Sipas të dhënave, natën e 10 nëntorit, rreth orës 19:30, një mjet ka ardhur me shpejtësi dhe pasi ka marrë përpara sinjalistikën e vendosur (konikët) dhe tabelën “ndal policia”, ka goditur punonjësin e policisë nënkomisar Pajtim Alstafa, 29 vjeç, me detyrë oficer në Njësinë për Kontrollin e Autostradave, i cili ishte edhe përgjegjës i kësaj pike kontrolli. Në atë kohë kanë ndërhyrë shërbimet e policisë në vendngjarje, duke bërë të mundur bllokimin e mjetit dhe kapjen e shoqërimin në ambientet e policisë të autorit të kësaj ngjarjeje shtetasin, Agim Ramazan Hajdini, banues në Burrel, i cili drejtonte automjetin tip BMW, me targa italiane, BY 470 MZ”. Ç. J.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.