“007 Skyfall” James Bond zbret në “Imperial”

Data 9 nëntor ka shënuar premierën botërore të “Skyfall” edhe në kinema “Imperial” për publikun shqiptar

Me 50 vite mbi shpatulla, i gjendur mes gotave të alkoolit dhe vesit të femrave të bukura, James Bond duket se ishte duke “shijuar vdekjen”. Personazhi i famshëm i 007 në serinë e 23 të këtij filmi, ishte më pranë se kurrë pensionit. Data 9 nëntor ka shënuar premierën botërore të “Skyfall” edhe në kinema “Imperial” për publikun shqiptar. Aventurat, shkuarja në prag të vdekjes, ringritja, skenat gjigante të aksionit, duket se kanë tërhequr në botën e tyre edhe shqiptarët, të cilët kishin mbushur të gjitha vendet e kinemasë. Daniel Craig i është përgjigjur ftesës së Sam Mendes për të veshur kostumin e agjentit sekret më të famshëm në botë. Përballë tij, këtë herë qëndron një i ngjashëm, një ish-agjent i MI6, i lënduar në krenari nga tradhtia e M. (Judi Dench) dhe i prekur që Bond thuajse e ka zëvendësuar. Raul Silva (Javier Bardem) po lan hesapet. Lista e agjentëve sekretë të infiltruar në organizatat më të mëdha terroriste të botës është vjedhur. MI6 është nën sulm. Në përpjekje për ta gjetur, në një duel me një të dyshuar, James Bond bëhet shënjestra e koleges së tij (Naomie Harris), e cila në mungesë të një pamje të qartë, e urdhëruar nga M., merr rrezikun të qëllojë. Viktima është Bond. Kartela e vdekjes plotësohet. Si një agjent pa familje, shtëpia e tij shitet. I zhytur në ujërat e thella ku bie pas plagosjes, Bond rishfaqet në një botë të përhumbur. Pa misione sekrete, pa identitet, me gotat e alkoolit në dorë. Por nuk do ta vazhdojë gjatë. E shkuara e thërret. Nuk ka komplote ndërkombëtare për tregti armësh bërthamore, as personazhe të fuqishme që rrezikojnë sigurinë kombëtare. Këtë herë historia është më intime. James Bond rikthehet për të luftuar të ngjashmin e tij. Lufta brenda llojit është e fortë. Silva ka programuar me kohë çdo hap për të arritur te M. E në fakt, në këtë episod Bardem është po aq protagonist sa edhe Craig. Ai është tipik personazh i keq, i zhgënjyer, i prekur në sedër, jo vetëm sepse Bond e ka zëvendësuar fizikisht, por edhe në zemrën e shefes së shërbimit sekret. Ai ka jetuar për t’u hakmarrë. Në fakt është deri në fund thuajse një hap para tij. Duke qenë një film aksion, i lindur i tillë që në fillimet e tij, nuk mund të mungonin skenat e ndjekjes me makina luksoze që kalojnë limitet e shpejtësisë, pistoletë e bërë posaçërisht e që komandohet vetëm nga dora e Bond, shpikje të fundit të teknologjisë si radio që sinjalizojnë për ndihmë, shpërthime gjigante e zhurma helikopterësh që të bëjnë ta ndiesh dridhjen edhe në sallën e kinemasë. Për t’u shijuar është kolona zanore e filmit, që siç është lajmëruar, është kënduar nga Adele. E megjithatë, ajo çka vihet re në këtë episod është vajza Bond. Këtë herë i është besuar Berenice Marlohe, por prania e saj ndoshta e lë të pakënaqur publikun, sepse shfaqet dhe zhduket shumë shpejt. Ka vetëm pak skena në kazino, si karrem për të shkuar te Silva, pak momente romantike nën dush e pastaj, personazhi i saj e mbyll misionin. Ndoshta krahasuar me seritë e shkuara, 007 duket paksa më shumë njerëzor, ndonëse nuk mungojnë skenat ku ai i shpëton si me mrekulli rrezikut. Përplasja e dyshes së agjentëve që mban gjallë ritmin gjatë gjithë filmit ka një fund fatal dhe ndoshta do të shënojë një linjë të re të zhvillimit në të ardhmen të këtij filmi. Mos mendoni për James Bond, ai ka tashmë një dosje të tërë sekrete për të ndjekur.









Comments are closed.