Mania e të mbajturit gjithçka

Nga veshët e lepurit te furnelat e vjetra me vajgur. Alarmi i ekspertëve: “Për t’u shëruar nga kjo sindromë jepuni më pak rëndësi sendeve”

Një roman shkencor 270 faqësh, që titullohet “Mbaj gjithçka”, është shkruar nga dy studiues amerikanë, Randy O. Frost dhe Gail Steketeen, të cilët kanë hedhur dritë mbi problemin e mijëvjeçarit, që përkon me nevojën për të grumbulluar, ose paaftësia për të hedhur sendet e vjetra, si libra, revista, gazeta, bileta autobusi etj. E jo vetëm, por edhe çadra, tuba, kuti, tasa plastikë, furnela, këpucë të vjetra, pjesë makinash, kavanoza qelqi, mbajtëse pikturash etj. Mos u çudisni, sepse ka edhe nga ata që kanë në shtëpi 4 piano rresht njëra pas tjetrës dhe nuk u kanë rënë asnjëherë. Libri “Mbaj gjithçka” është një përmbledhje kryesisht për personat që mbajnë gjithçka, që nuk u bën zemra të hedhin asgjë. Në fakt, pjesa e parë e librit është si një film i frikshëm, ndërsa pjesa e dytë i ngjan një manuali ngushëllues, megjithatë mund ta lexojnë të gjithë, sepse secili prej nesh është nga pak koleksionues. Por nëse dëshironi mund të shëroheni nga kjo mani, mjafton t’u jepni më pak rëndësi gjërave që ju rrethojnë dhe t’i përkushtoheni kulturës së riciklimit.

Të paktën një pjesë e mirë prej nesh kanë ruajtur letrat e dashurisë, fletoret e shkollës fillore dhe sende të tjera që i përkasin asaj periudhe. Por cili është kufiri që nuk duhet ta kapërcejmë, sepse në të kundërt rrezikojmë të krijojmë varësi? Andy Warhol, për shembull, krijuesi i artit pop, ai që i transformonte gjërat banale në art, në vitet ’70-’80 takoi dy tregtarë të famshëm të asaj kohe dhe ruajti çdo xhingël që ata i dhanë. Shtëpia e tij në Nju Jork, që ishte me pesë kate, ishte aq shumë e mbushur me gjëra, saqë ai mund të jetonte vetëm në dy dhoma. Në anë të makinës së shkrimit Warhol mbante një kuti kartoni dhe kur i ngrihej damari pastronte gjithçka dhe hidhte ç’t’i dilte përpara pa iu dridhur dora: sende me vlerë, para, arka me mollë, fatura dritash. Ai bënte çfarë i shkrepej papritur në kokë: ishte pikërisht kjo dhunti që e bënte t’i magazinonte gjërat. Andy i jepte jetë gjithçkaje, që në atë kohë ishte objekt i thjeshtë. Ai ka realizuar më shumë se 600 vepra arti.

Zoti Ralph, një prej njerëzve të takuar në seancat kolektive nga sy studiuesit amerikanë Frost dhe Steketeen, desh humbi shtëpinë për shkak të sendeve që grumbullonte. Personat që vuajnë nga ky çrregullim (5% e popullsisë së botës), që specialistët e kanë quajtur dispozofobia, i mbyllin familjarët e tyre në hapësira gjithnjë e më të vogla, i spostojnë në një korridor të gjatë e të ngushtë, deri sa dalëngadalë i përzënë fare nga shtëpia. Të gjithë ne, grumbullues mediokër, e kemi të fshehur këtë tendencë në zonat subkortikale të trurit. Sipas studiuesve, personat që vuajnë nga sindroma e dispozofobisë kanë një zgjuarsi më të madhe se mesatarja.

Kjo shoqëri, që deri dje ishte e fiksuar pas sendeve të vjetra (sepse tani kriza po e ndryshon sërish referimin), ka filluar ta studiojë sindromën e grumbullimit duke u përqendruar te një histori e viteve ’40: saktësisht te vëllezërit Collyer, Homer dhe Langly. Ata vdiqën në vilën e tyre në Harlem të varrosur nga 170 tonelata objekte, që me kalimin e kohës ishin shndërruar në kolona mbajtëse të shtëpisë. Sherlock Holmes ishte një dispozofobik, nuk mund të hidhte asnjë dokument, kështu që i grumbullonte nëpër mure. Ai mendonte gjithmonë me veten se pa ato gjëra nuk ishte asgjë. Gjysma e të mbijetuarve të “World Trade Center” mblidhnin sendet e tyre para se të largoheshin nga puna, edhe pse u lëvizte toka nën këmbë.

 

Som

Shtëpia pesëkatëshe e Andy Warhol ishte e mbushur me lloj-lloj sendesh. Ai mund të jetonte vetëm në dy dhoma

 

Sherlock Holmes nuk ishte i aftë të hidhte një dokument, sepse mendonte se pa to nuk kishte vlerë, prandaj i ngjiste në mur

 

Dispozofobia

5% në SHBA

 

Studimet mbi fenomenin në fjalë kanë nisur më 1993-shin

 

Sot në botë janë ngritur 12 grupe kërkimi

 

Vetëm në San Francisko dëmet e shkaktuara nga grumbullimi i kotë i sendeve të ndryshme arrijnë në 6,4 milionë dollarë

 

Çfarë ruajnë

Libra

Vizatime komike

Rroba

Fotografi

Postera

Sende të ndryshme

 

Identikiti

 

A je edhe ti një person që grumbullon ç’gjen përpara?

1) Je koleksionues që anon te rrëmuja

2) Ruan gjithçka që të duhet, apo edhe gjërat e kota

3) Ke aftësinë e rregullit viziv, por e ke vështirë të gjesh gjërat që kërkon

4) Bën pazar në mënyrë të pakontrolluar, për shembull blen 10 këmisha të të njëjtit lloj

5) Te njerëzit pëlqen kryesisht sendet, sepse të japin më shumë siguri

6) E mbani të fshehtë këtë mani, sepse ju vjen turp nga të tjerët

7) E përjetoni ndarjen nga objektet si zi

8) Shtëpia juaj është shndërruar në bunker

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.