Haxhinasto: Takim me ministrin azer për gazsjellësin

Zv.kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim ministrin për Zhvillimin Ekonomik të Azerbajxhanit, z. Shahin Mustafayev.

Ministri Haxhinasto theksoi gjatë takimit se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit po zhvillohen në një klimë të përshtatshme bashkëpunimi dhe kjo vizitë do t’i shërbejë krijimit të partneriteteve të reja në sektorin ekonomik mes dy vendeve.

Një ndër temat kryesore të diskutimit mes ministrit Haxhinasto dhe ministrit Mustafayev ishte dhe projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), ku të dy bashkëbiseduesit u shprehën në mbështetje të tij. “Tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri”, tha Haxhinasto. Ministri i METE-s prezantoi disa nga sektorët e ekonomisë shqiptare, me mjaft interes për investitorët azerë, si sektori energjetik, turizmi, infrastruktura, etj. Haxhinasto i ftoi investitorët e Azerbajxhanit të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve, duke përmendur se shumë shpejt do të hapet tenderi për ndërtimin e hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Vjosë dhe tenderi për hidrocentralin e Skavicës. Mustafayev tha se Azerbajxhani e sheh Shqipërinë si një vend që paraqet shumë mundësi për të investuar dhe shprehu interes për investime në fusha si energjetika, infrastruktura, bujqësia, tregtia etj.



©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.