Triller me “pronarin e ri”, pas largimit të CEZ fshihen turqit?!

Kreu i ERE-s, vizitë në Izmir. Balla: Është “Çalik Enerji”

ARD KOLA

CEZ linjatSa më shumë kalojnë ditët, aq më tepër shtohen “trillimet” mbi pronarin e ri të mundshëm të OSSH-së, në rast se CEZ largohet përfundimisht nga Shqipëria. Informacionet që qarkullojnë janë të ndryshme, të habitshme, por mbartin mbi vete logjikën ekonomike.

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, postoi dje në rrjetin social faktin që, sipas tij, qeveria po negocion me turqit për t’i shitur OSSH-në (‘CEZ Shpërndarje’). “Sali Berisha po negocion me ‘Çalik Enerji’ për fatin e sektorit të energjisë, pas largimit të CEZ”, shprehet deputeti Balla. Aktualisht shteti shqiptar zotëron 24 për qind të aksioneve dhe synon t’i shtetëzojë, duke i vlerësuar aksionet e çekëve me çmim simbolik. Sikurse është bërë e ditur, Ministria e Drejtësisë ka autorizuar Ministrinë e Ekonomisë dhe ERE-n të gjejnë zyrë avokatore për gjyqin ndaj CEZ, pas refuzimit të Kryeministrit Berisha për të pranuar kushtet e kompanisë. Pra, arbitrazhi duket proces i pashmangshëm, kurse largimi përfundimtar do të vendoset deri në fund të vitit, sikurse ka deklaruar bordi drejtues në Pragë.


Duhet thënë se interesat e grupit turk “Çalik Enerji” janë të konsiderueshme në vendin tonë, pasi zotëron banka, kompani telekomunikacioni, etj. Së fundmi, kompania turke bleu sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë, për rreth 26 milionë euro, privatizim ky që po shoqërohet me protesta dhe akuza të forta nga opozita.

Tjetër element shtesë rreth çështjes në fjalë ka të bëjë me vizitën e kreut të ERE-s në Izmir, tri javë më parë. Udhëtimi dhe qëllimi nuk u publikua nga institucioni, ndoshta mund të jetë rastësi, por “Shqip” mëson se kryetari i institucionit, Sokol Ramadani ka zhvilluar një takim (urgjent dhe të rëndësishëm) me shefin e lartë të USAID për çështjen e CEZ. Amerikanët e USAID asistojnë prej kohësh ERE-n dhe kanë disa projekte të përbashkëta, ndërsa roli i tyre në privatizimin e OSSH-së dhe largimin e CEZ-it, është themelor.

Bashkë me turqit, interes për sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike ka shprehur edhe biznesmeni i njohur i naftës, Rezart Taçi. Me prezantimin e strategjisë së zhvillimit, pas privatizimit të “Albpetrol”, Taçi thotë se synimet arrijnë në shpërndarjen e gazit dhe të energjisë elektrike. Faktet bëhen interesante po të kemi parasysh se për privatizimin e “Albpetrol” shprehu interes edhe grupi turk, “Çalik Enerji”, në partneritet me rusët naftës “Rusneft”, por çuditërisht nuk u paraqit asnjë ofertë, edhe pse kishin tërhequr dokumentacionin për të marrë pjesë në ankand.

Sipas kreut të ERE-s, me largimin e CEZ, skenarët për menaxhimin janë të ndryshëm. “Ka disa opsione, kalimi me administrator, dhënia te një kompani e tretë, ka edhe opsionin e dhënies nga paketa kontrolluese të një kompanie tjetër, që mund të jetë shitje apo blerje. Praktikisht nëse kalon në kompetencat e ERE-s, për mua do të ishte më e mirë vendosja e një administratori”, thotë Ramadani. Vendosja e një administratori nga Enti, nënkupton rikthimin e kompanisë së privatizuar tre vjet më parë në pronësi dhe menaxhim tërësisht shtetëror. Skenari paraprak i ERE tregon për kalim aksionesh, ku shteti zotëron 51 për qind dhe CEZ 49 për qind. Këta të fundit tashmë menaxhohen juridikisht nga një kompani britanike, e njohur për zgjidhjen e konflikteve dhe negociator për krizat.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. n says

    Salehi po ua jep të gjithë pasuritë kombëtare vëllezërve të tij turq!

Comments are closed.