Mitt Romney: Unë di çfarë është biznesi

Republikani i kuq

“Eksperienca jote me rregulloren për pluhurin më intereson”, i tha Mitt Romney një fermeri me një ton bindës. Ishte pasdreke e tetorit të vonë në Trejnor, Ioua, në një aktivitet të fushatës të dizenjuar që kandidati për president të shijojë një kontakt me njerëzit e zakonshëm, në dukje të rastësishëm, por që në fakt janë aktivitete të mirorganizuara që transmetohen gjerësisht në mediat vendore e kombëtare. Në këtë rast, Romney po merrte pjesë në një tryezë të rrumbullakët me disa dhjetëra biznesmenë vendës – pra me llojin e njerëzve si ai vetë – dhe e kapi rastin për të treguar aftësitë e tij sipërmarrëse.

Ai i ngopi pjesëmarrësit me pyetje. Për një prodhues energjie, ai tha: “Ka përmbajtje të lartë apo të ulët squfuri? Sa i pastër është sistemi që po përdor? A keni një sistem tregtie elektronike SOx apo Nox”. Për një mbarështues kafshësh, ai pyeti se sa krerë kishte. Për një prodhues etanoli, ai tha: Kur isha fëmijë, qenë disa lloje numrash që i fiksoja mirë: një akër tokë prodhon 60 buxhelë misër. Tashmë prodhohen 160 bushelë apo jo?”.

Guvernator, më falni, por po na ngushtohet koha”, i tha një nga këshilltarët e tij. “Në rregull, do të flas më shkurt”, premtoi kandidati. Por nëse dikujt mund t’i duken të pakuptimta këto diskutime, në fakt e ka gabim. Romney po punon për të dhënë një mesazh dhe mesazhi është ky: “Unë dhe vetëm unë mund ta them këtë nga eksperienca ime 25-vjeçare: unë e kuptoj biznesin”.

Fushata e tij është përqendruar tek ekonomia dhe jo siç kanë bërë shumë republikanë të tjerë të përqendruar te familja. Edhe pesë fëmijët e tij, të cilët kanë qenë gjerësisht të pranishëm në fushatat e shkuara, kësaj here kanë qenë shumë pak të pranishëm.

Fushata e Mitt Romney ka marrë një drejtim disi të ri në llojin e fushatave që synojnë presidencën. Ai ka marrë pozicionin e një njeriu të shumëkualifikuar, por gjerësisht pa nerv. Ai mund të jetë sot heroi më i mërzitshëm i botës. Romney, një mormon me kredenciale të forta konservatore dhe me pasuri që sipas vlerësimeve, varion nga 190 në 250 milionë dollarë, i ka vënë të gjitha bastet tek ekonomia. Strategu i tij kryesor Stuart Stevens, thotë: Ekonomia është çështja më e rëndësishme. E gjithë fushata është bazuar në idenë se po bëjmë një referendum kundër Obamës, ekonomia është e rrënuar dhe se Obama në mënyrë unike ka ndaluar rimëkëmbjen e saj”.

Romney ka sjellë në garën presidenciale pasuri, eksperiencë biznesi, një profil kombëtar dhe një rrjet të gjerë për mbledhjen e fondeve e mbështetjes, të cilën e krijoi fillimisht më 2008-n, kur konkurroi pa sukses për të fituar postin e kandidatit republikan për president.

Ai është martuar me të dashurën e tij të gjimnazit Ann Romney që nga viti 1969. Ai shpreson se e shkuara e tij si biznesmen do t’i bindë votuesit se ai dhe jo Obama është njeriu i duhur për të menaxhuar ekonominë amerikane në kohë të vështira. Gjatë zgjedhjeve brenda partisë së tij, atij iu desh të bindë republikanët për karakterin e tij thellësisht konservator dhe të kapërcente mosbesimin e shumë republikanëve protestantë ndaj besimit të tij Mormon.

Por, pasi fitoi garën brenda republikanëve, ai u përpoq të zhvendoset në qendër. Ai e ka bazuar fatin e vet te bindja e popullatës se Obama është i paaftë të rimëkëmbë ekonominë dhe se nuk ka këllqet e nevojshme të menaxhojë politikën e jashtme. Ai e nisi fushatën me disa probleme të rënda, përfshirë komente të shumëkritikuara mbi amerikanët e varfër, por ia doli të përmbysë situatën dhe t’i afrohet Shtëpisë së Bardhë. Ai është djali i një politikani republikan që ka qenë guvernator dhe kandidat për president më 1968. Romney ka shërbyer si misionar mormon në Francë për dy vjet para se të shkonte në Universitetin e Harvardit.

Ai ka marrë një pozicion të lartë në kishën Mormone dhe ka qenë i suksesshëm në biznes. Kompanitë e tij e bënë njeri shumë të pasur, por qenë pikërisht bilancet e këtyre kompanive që u bënë argumenti kryesor i Obamës kundër tij. Më 1999-n, ai drejtoi komisionin për olimpiadën dimërore që u zhvillua në qendrën historike të mormonëve në Salt Lake. Përgatitjet qenë të përmbushura me skandale dhe organizatorët e punësuar nga Romney kishin lidhje të fuqishme me kishën Mormone dhe me bizneset e saj. Por vetë Lojërat Olimpike qenë një sukses i madh. Dhe këtu filloi rrugëtimi i tij drejt pozicionit aktual, ku një grusht votash kudo në Amerikë mund ta bëjnë presidentin e 45 ose mund ta lënë në rolin e sfidantit të pafat.

 

Skeda

Emri: Mitt Romney

Ditëlindja: 12 mars 1947

Familja: I martuar Ann Romney nga viti 1969, ka pesë fëmijë

E ka shtëpinë në Masaçusets

Arsimuar në Harvard

 

Çështjet më të debatuara

Ekonomia

Obama firmosi Aktin e Rimëkëmbjes dhe Riinvestimit të Amerikës, e njohur si paketa e stimulit, me vlerë 768 miliardë dollar në ulje taksash dhe në rritje investimesh në arsim, infrastrukturë, kërkim për energjinë, shëndetësi dhe programe të tjera; mbështeti shpëtimin financiar me fonde shtetërore të industrisë së makinave, nënshkroi marrëveshje tregtie me Kolumbinë, Panamanë dhe Korenë e Jugut.

Romney synon të ulë taksat, të anulojë programin e Obamës për kujdes shëndetësor universal, si dhe të anulojë rregullat e reja kufizuese për bankat dhe bursat. Ai beson se shumë rregulla pengojnë rritjen ekonomike, kundërshton shpëtimin e industrisë së makinave me fonde shtetërore dhe premton të ulë shpenzimet e qeverisë federale në mënyrë masive, por nuk jep detaje se çfarë programesh do të anulojë për uljen e shpenzimeve.

Taksat

Obama i ka ulur taksat për shumicën e amerikanëve, por premton se do të anulojë reduktimin e taksave të imponuara gjatë kohës së ish-presidentit Bush për familjet që fitojnë më shumë se 250 mijë dollarë në vit; ai ka propozuar “ligjin Buffet”, të emëruar sipas miliarderit me të njëjtin emër, që do të rrisë normën e taksimit të paguar nga miliarderët.

Romney dëshiron t’i bëjë uljet e taksave të kohës së Bushit të përhershme, të heqë taksën mbi fitimet nga investimet si dhe taksën për pronat e patundshme. Deklaron se do të reduktojë tatimin mbi fitimet e korporatave. Sipas një studimi të një grupi jopartizan, taksapaguesit me të ardhura të larta do të jenë përfituesit kryesorë nga ky plan. Ai nuk jep shpjegime se si do t’i kompensojë.

Irani

Obama thonë se është i vendosur të ndalojë Iranin të prodhojë armë bërthamore. Kundërshton përdorimin e bombardimeve tani për tani, këmbëngul për të gjetur një zgjidhje diplomatike por paralajmëron se mundësitë po pakësohen dhe se të gjitha opsionet janë në tryezën e diskutimit. Vendosi sanksione të reja mbi Iranin.

Romney thotë se është e papranueshme që Irani të ketë armë bërthamore dhe se lufta “mbetet në diskutim”. Analistët thonë se ai përfaqëson një kërcënim më të qartë kundër Iranit. Ai ka kërkuar të dërgohen më shumë anije patrullimi në Gjirin Persik dhe Mesdhe dhe se mund të fillojë të mbështesë publikisht grupimet e opozitës politike në Iran

Siguria kombëtare

Obama vrau udhëheqësit kryesorë të “Al Kaedës”, përfshirë edhe Osama Bin Ladenin. Ka tërhequr trupat amerikane nga Iraku dhe ka firmosur planin e shkurtimit të shpenzimeve të mbrojtjes me mbi 500 miliardë dollarë në dhjetë vitet e ardhshme.

Romney beson se duhet të rriten shpenzimet e mbrojtjes, veçanërisht në teknologjinë e raketave dhe deklaron se do të shtojë 100 miliardë dollarë në buxhetin e Pentagonit, ndërkohë që premton reduktim të burokracisë së mbrojtjes civile.

Afganistan

Obama fillimisht e rriti numrin e trupave në Afganistan ndërsa tani ka nisur tërheqjen dhe shpreson që do të ndalojë operacionet e luftimit më 2014.

Romney deklaron se do ta rishikojë planin në bazë të situatës që paraqitet në terren dhe se qëllimi i tij është një tranzicion i suksesshëm tek ushtria vendëse

Kujdesi Shëndetësor

Obama kreu reformën më të rëndësishme në shëndetësi në historinë e Amerikës, duke siguruar kujdes shëndetësor për të gjithë. SHBA-ja ishte vendi i vetëm mes vendeve të zhvilluara pa kujdes shëndetësor universal.

Romney deklaroi se do ta rrëzojë ligjin, megjithëse ai vetë pati miratuar një ligj të tillë për shtetin e Masaçusetsit kur ishte guvernator. Thotë se do t’ia transferojë problemin qeverive të shteteve për zgjidhje.

Emigrimi ilegal

Obama lejoi emigrantët e rinj të marrin leje qëndrimi duke përdorur fuqitë presidenciale dhe duke shmangur republikanët në Kongres. Por deportimet janë rritur dramatikisht gjatë kohës së tij.

Romney kritikon Obamën për politikën e dyfishtë të legalizimit dhe ekstradimit, por nuk thonë nëse do ta rrëzojë ligjin aktual. Sipas tij, SHBA-ja duhet të nxisë emigrantët “të largohen vetë” duke ia vështirësuar jetesën.

Aborti

Obama mbështet të drejtat për abort dhe ka emëruar dy gjykatës në Gjykatën Supreme që duket se mbështesin të drejtat e grave për të zgjedhur abortin.

Romney thotë se presidenca e tij do të jetë “pro jetës” megjithëse mbështeti të drejtat e abortit kur konkurroi si guvernator i Masaçusetsit në vitin 2002. Mbështet rrëzimin e vendimit që legalizoi abortin, duke propozuar që shtetet të kenë të drejtë të zgjedhin vetë.

Energjia

Obama mbështet investimet në energjinë e rinovueshme dhe kërkon të rrisë eficencën e konsumit të karburantit për makinat. Bllokoi zhvillimin e një naftësjellësi për mbrojtje të ambientit.

Romney do të pakësojë rregulloret për termocentralet me qymyr, kërkimin dhe nxjerrjen e naftës dhe zhvillimin e centraleve bërthamore.

 





Comments are closed.