Bangladeshi dhe zhvillimi

Bangladeshi nga një politikë disfunksionale që e ka rrënuar sektorin privat. Megjithatë, ka qenë shumë e aftë të përmirësojë jetët e të varfërve

Suksesi surprizues ekonomik i një vendi

The Economist

Në rrethinat e fshatit Shibaloi, përtej mureve të fabrikës, makina ndalon për të lejuar kalimin e një lope. Kjo është një shenjë e mirë. Njëzet vjet më parë nuk kishte fabrikë tullash këtu, dhe as ndonjë lloj tjetër industrie në këtë fshat 60 kilometra në perëndim të kryeqytetit Daka; kishte shumë pak lopë dhe asnjë makinë. Rruga qe një shteg i ngritur, tepër e ngushtë për asgjë tjetër përveç biçikletës.

Tashmë, Shibaloi sapo ka hapur shkollën e vet të parë fillore; këtu po instalohet një rrjet ujësjellësi dhe fëmijët e fshatit i tregojnë njëri-tjetrit motorët e tyre në lokalin e fshatit. “Kam qenë klient i mikrokredisë për 17 vjet”, thotë Romeja, matriarkja e një familjeje të madhe. “Kur fillova, shtëpia ime qe e rrënuar; flija në rrugë. Tashmë, kam tri lopë, gjysmë dynymi tokë, panele diellore në çati dhe 75 mijë taka (920 dollarë) në një depozitë kursimi”.

Bangladeshi qe origjina e termit “arka e ndihmave”, një term i përdorur nga Henry Kissinger i Departamentit amerikan të Shtetit për të cilësuar vendet që do të varen përgjithmonë nga ndihmat ndërkombëtare. Populli i këtij vendi popullon një fushë që përmbytet dhe që shumë shpesh goditet nga ciklonet, nuk ka burime natyrore të rëndësishme. Një vend i mbipopulluar, Bangladeshi vuajti nga uria më 1834 dhe më 1971, kur shumë vëzhgues besonin se nuk do të mund të mbijetonte si një vend i pavarur.

Në shumë mënyra, ata që dyshonin te mbijetesa e këtij vendi, kishin të drejtë. Rritja ekonomike që nga vitet ’70 ka qenë e dobët; politika e këtij vendi ka qenë shumë jofunksionale. Megjithatë, gjatë njëzet viteve të fundit, Bangladeshi ka realizuar arritjet më të mëdha në përmirësimin e jetës së popullit të vet që janë parë në planet. Mes viteve 1990 dhe 2010, pritshmëria për jetëgjatësi në lindje është rritur me dhjetë vjet, nga 59 në 69 vjeç. Ky vend tashmë ka jetëgjatësi më të madhe sesa indianët, të cilët janë në fakt dy herë më të pasur.

Bangladeshi ka realizuar edhe arritje të mëdha në arsim e shëndetësi. Më shumë se 90 për qind e vajzave ndjekin shkollat fillore, ndërkohë që djemtë kanë pjesëmarrje më të ulët. Vetëm dhjetë vite më parë, më shumë se gjysma e fëmijëve nuk shkonin në shkollë. Norma e vdekshmërisë foshnjore ka rënë nga 97 për mijë në 37 për mijë gjatë njëzet viteve të fundit. Periudha më dramatike e përmirësimeve në shëndetin njerëzor në historinë tonë, shpesh konsiderohet fundi i shekullit 19 në Japoni, gjatë periudhës modernizuese Meiji. Suksesi i Bangladeshit në vdekshmërinë foshnjore sot, është i krahasueshëm me të.

Këto përmirësime nuk janë thjesht rezultat i rritjes së të ardhurave të njerëzve. Bangladeshi mbetet një vend i varfër me PBB për frymë prej vetëm 1900 dollarësh. Gjatë dekadave të para të historisë së vet si vend i pavarur, ekonomia këtu u rrit me vetëm 2 për qind në vit, por pas viteve ’90, rritja ka qenë e respektueshme, rreth 5 për qind në vit. Kjo ka ndihmuar në uljen e popullsisë në varfëri ekstreme nga 49 në 32 për qind. Megjithatë, rritja e Bangladeshit ka qenë më e ngadaltë sesa ajo e Indisë, e cila është rritur me mesatarisht 8 për qind në vit. Por këtu rritja ekonomike është përkthyer më shumë në përmirësim të jetës.

Në botë ekziston një koncept që quhet “konsensusi i Uashingtonit”, sipas të cilit, demokracia dhe rritja ekonomike shkojnë bashkë dhe gjithmonë sjellin reduktim të varfërisë. Disa e kritikojnë këtë duke argumentuar se ka shumë raste në botë ku rritja ekonomike shkon për një pjesë të popullsisë dhe varfëria nuk ulet. Bangladeshi është një shembull që e vërteton këtë. Varfëria këtu është reduktuar shumë më shpejt sesa është rritur ekonomia.

Çfarë ka ndodhur këtu?

Katër faktorë kryesorë e shpjegojnë këtë sukses surprizues. E para, planifikimi familjar ka fuqizuar gratë. Nëse lë mënjanë qytet-shtetet, Bangladeshi është vendi më i mbipopulluar i botës. Në kohën e pavarësisë, udhëheqësit vendosën se duhej të kufizonin rritjen e mëtejshme të popullsisë (siç bëri Kina me politikën një fëmijë për familje apo India me sterilizim të detyruar).

Për fat të mirë, qeveria e re e Bangladeshit nuk kishte fuqi për t’u bërë e dhunshme. Këtu, kontrolli mbi lindjet u krye me vullnet të lirë dhe zyrtarët e qeverisë apo vullnetarët shkuan në të gjithë vendin për të shpërndarë //////////////////////////popula dhe këshilla. Që herët në vitin 1975, tetë për qind e grave përdornin kontraceptivë. Më 2010, më shumë se 60 për qind e tyre qenë përdoruese të rregullta. Numri mesatar i fëmijëve ra nga 6.3 në vetëm 2.3 që është aktualisht. Në vitin 1971, kur Bangladeshi u nda nga Pakistani, të dyja kishin përkatësisht 65 milionë banorë secila. Deri më sot, popullata e Pakistanit është trefishuar duke arritur në 180 milionë, ndërsa Bangladeshi ka 150 milionë banorë. Kjo gjë ka bërë që Bangladeshi të vjelë “frytet demografike”; për shkak se numri i fëmijëve të lindur është i vogël, numri i njerëzve që hyjnë në moshë pune rritet, gjë që sjell edhe përmirësim të jetesës.

Nëse gratë marrin më shumë shëndet dhe autonomi, planifikimi familjar funksionon dhe jeta përmirësohet. Përhapja e arsimimit masiv është një mekanizëm tjetër ndihmës. Vajzat duket se priren shumë më tepër se djemtë për të mësuar. Dhe bumi i industrisë së tekstileve, shoqëruar me mbërritjen e mikrokreditit, i ka bërë gratë fituese të jetesës dhe kryetare të vërteta të familjeve të tyre.

Problemet mbeten gjithsesi të mëdha. Teknikat më të mira bujqësore kanë sjellë rritjen e shpejtë të prodhimit të ushqimeve, por sërish një e pesta e popullsisë është e kequshqyer. Habia tjetër është se prodhimi i grurit është rritur aq shpejt, sa tashmë Bangladeshi mund të konsiderohet edhe një vend me vetëmjaftueshmëri në drithëra.

Rritja e rendimentit nuk është e gjithë historia. Llojet e reja të orizit u ka mundësuar fermerëve në këtë vend të mbjellin tokën dy herë në vit. Një lloj orizi i quajtur boro dhe që mbillet në dimër, ka sjellë edhe reduktimin e rrezikut të dështimit të prodhimit. Mes viteve 2007 dhe 2012, Bangladeshi përjetoi ciklin botëror të rritjes së çmimeve të ushqimeve, si dhe u prek nga dy ciklone. Pothuajse të gjithë prisnin që numri i të varfërve të rritej sërish. Por kjo gjë nuk ndodhi.

Fshatarët këtu kanë gjetur burime të tjera përveç bujqësisë dhe në fakt, kanë gjetur burime edhe jashtë vendit. Rreth 6 milionë banorë punojnë jashtë vendit, shumica në Lindje të Mesme, dhe i kthejnë fitimet në shtëpi. Vitin e fundit ata kthyen në atdhe 13 miliardë dollarë, rreth 14 për qind të PBB-së së vendit. Tendenca është që familjet me gjendje ekonomike më të mirë, kanë mundësi të dërgojnë emigrantë, por të ardhurat nga emigracioni kanë efekt zinxhir, pasi ato shpenzohen dhe nga ato përfitojnë edhe familjet e varfra që nuk kanë emigrantë.

Banka Botërore vlerëson se mes vitit 2000 dhe 2010, pagat reale në bujqësi janë rritur me 59 për qind më shumë sesa rritja e pagave në të gjithë ekonominë. Shumica e vendeve kanë parë rënie të standardeve të jetesës në zonat rurale dhe rritje të varfërisë ekstreme. Në Bangladesh kjo nuk ka ndodhur. Remitancat dhe planifikimi familjar nuk e kanë goditur varfërinë ekstreme në mënyrë të drejtpërdrejtë. Dhe këtu hyn roli i qeverisë.

Bangladeshi zë vendin e 120 nga 183 vende në “indeksin e perceptimit të korrupsionit. Vendi ka përjetuar episode të sundimit të ushtarakëve që kanë ndërprerë periudha të demokracisë të karakterizuara nga luftëra të ashpra për pushtet.

Megjithatë, pavarësisht cirkut politik, elita e vendit ka ruajtur mirëkuptimin në favor të programeve të ndihmës për të varfrit. Bangladeshi shpenzon pak më shumë sesa vendet e tjera të varfra, rreth 12 për qind të buxhetit (ose 1.8 për qind të PBB-së) për mbrojtje sociale. Ushqim në këmbim të punës, pagesa kesh dhe programe të ushqimit popullor janë në të gjithë territorin. Ndërsa shpenzon më shumë para për të varfrit, shteti përqendrohet edhe në fuqizimin e rolit të grave.

Shpenzimet për arsimin arrijnë në 2.2 për qind të PBB-së, ndërsa ato të shëndetësisë në 3.5 për qind të PBB-së, të cilat në fakt janë poshtë mesatares së vendeve me të ardhura të ulëta. Rehman Sobhan, kreu i Qendrës për Dialog Politikash, një grup konsulence vendës, thotë se organizatat joqeveritare kanë një rol të jashtëzakonshëm këtu dhe kjo është karakteristika unike në luftën kundër varfërisë që ka Bangladeshi.

BRAC, (Komiteti për Ndihmën për Rehabilitimin e Bangladeshit), shpiku idenë e mikrokreditit, pra kredi shumë të vogla për njerëzit në vështirësi. Kur një OJQ tjetër, Grameen Bank, arriti t’i bëjë të suksesshme duke ua ofruar grave, skema shpërtheu në sukses. Grameen ka 8.4 milionë kredimarrës me portofol krejtësisht prej 1 miliard dollarësh. BRAC ka 5 milionë kredimarrës dhe 725 milionë dollarë portofol.

Që nga themelimi i tyre në këtë vend, mikrokredia është shpërndarë në të gjithë botën. Përfitimet nga kjo skemë kanë qenë njëkohësisht të ekzagjeruara dhe të kritikuara. Kritikët thonë se mikrokredia nuk ka sjellë një rritje të fortë të aktivitetit sipërmarrës. Në shumë raste ajo i ka lënë kredimarrësit në gjendje edhe më të vështirë nga sa ishin. Por në vendin ku mikrokredia lindi, rezultati ka qenë më së shumti pozitiv.

Ingredienti magjik

Magjia e vërtetë në Bangladesh, në fakt nuk qe vetë mikrofinanca, por OJQ-të në tërësi. Qeveria e Bangladeshit ka qenë veçanërisht miqësore me organizatat joqeveritare, gjë që nuk ndodh në shumë vende.

BRAC e filloi aktivitetin duke shpërndarë ndihma emergjente në një cep në Bangladeshin lindor pas Luftës për Pavarësi. Ajo tashmë është OJQ-ja më e madhe e botës për nga numri i të punësuarve dhe nga numri i njerëzve që ka ndihmuar (tri të katërtat e të gjithë popullsisë kanë përfituar në një mënyrë a një tjetër). Ndryshe nga Grameen, e cila kryen më së shumti operacione mikrokredie dhe kursimesh, BRAC bën praktikisht gjithçka. Në vitet ’80 dërgoi vullnetarë shtëpi më shtëpi për t’u treguar nënave se si të përzienin kripë, sheqer dhe ujë në përbërjen e duhur për të rihidratuar një fëmijë në rastet e diarresë. Ka gjasa që kjo qe ajo që e uli vdekshmërinë foshnjore në vend më shumë se çdo gjë tjetër. BRAC dhe qeveria në bashkëpunim drejtuan një program të stërmadh për të imunizuar popullatën ndaj tuberkulozit. Shkollat fillore të drejtuara nga BRAC janë kryesisht rrjetë shpëtuese për fëmijët që përjashtohen nga shkollat shtetërore. BRAC disponon edhe programin më të madh të botës për ndihmë ligjore falas. Në Bangladesh ka aktualisht më shumë qendra këshillimi ligjor të BRAC se sa ka stacione policore.

Shkalla është përgjigjja për një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit: zgjidhja e një problemi krijon probleme të tjera. Kjo ndodh në zhvillimin ekonomik, si dhe në ndihmën shoqërore. Në vitet ’50 në Korenë e Jugut, “Samsungu” pati një fabrikë të madhe leshi; zbuloi se për t’u zgjeruar, duhej të bënte makinerinë e vet të tekstilit; pastaj, për ta eksportuar makinerinë, ndërtoi anijet e veta, e kështu me radhë. “Samsung” ka tashmë 80 kompani dhe është kompania më e madhe e botës në teknologjinë e informacionit. BRAC është një lloj konglomerati i ngjashëm. Filloi me mikrokredi, por zbuloi se klientët e saj nuk kishin se ku të shisnin qumështin dhe vezët që prodhonin me kafshët e blera përmes kredisë. Kështu BRAC filloi përpunimin ushqimor. Kur zbuloi se më të varfrit qenë tepër të varfër edhe për mikrokredi, atëherë filloi një program që u jepte atyre kafshë. Tashmë ajo drejton fabrika bulmeti, biznes paketimi, prodhues të farërave hibride, fabrika tekstili, dyqanet e veta, si dhe shkolla, klinika e qendra shëndetësore.

OQJ-ja inovative tashmë ka 100 mijë vullnetarë për shëndetësinë me telefona celularë. Kur një vullnetare zbulon se një grua është shtatzënë, ajo i jep këshilla me celular për periudhën e shtatzënisë dhe pas lindjes.

BRAC e bën këtë punë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kur ajo krijon një program për të ndihmuar familjet më të varfra të një fshati, i gjithë fshati ftohet të diskutojë dhe të vendosë se kush duhet të jetë në listën e përfituesve.

Një bilanc

Bangladeshi ka ende probleme të jashtëzakonshme. Standardet ushqimore këtu janë të ulëta dhe kanë ndaluar për shumë vite. Ndërsa qeveria ia arriti të rrisë pjesëmarrjen në shkolla, cilësia e arsimit mbetet e dobët dhe numri i fëmijëve që nuk e mbyllin shkollën fillore është shumë i lartë. Vetëm një e katërta e fëmijëve arrijnë nivele të pranueshme në shkrim dhe në aritmetikë.

Shumica e përmirësimeve kanë ndodhur në zonat rurale, por Bangladeshi po përjeton edhe një urbanizim të shpejtë, gjë që ka krijuar shumë probleme. Daka është një nga dhjetë qytetet më të mëdha të botës, por ka infrastrukturën e një qyteze të vogël.

Dhe sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, qeveria duket se i ka vënë vetes synim të vrasë pulën që ka bërë më shumë vezë të arta. E zemëruar nga fakti që themeluesi i Grameen Bank, Muhammad Yunus, pati dëshirën për të filluar një parti politike, Kryeministri Sheikh Hasina, ka vendosur ta përzë atë nga drejtimi i bankës duke e zëvendësuar me një njeri të pëlqyer prej saj, duke përmbytur raportin e interesave mes pronarëve dhe kredimarrësve. Kjo u ka dhënë edhe OJQ-ve të tjera një sinjal negativ.

Por rezultatet e Bangladeshit, në tërësi, janë pozitive. Ky vend ka treguar se kur gratë bëhen të rëndësishme në zhvillim, përfitimet janë të mëdha. Suksesi tregon se emigrimi nuk është thjesht pasojë e dështimit të sigurimit të punëve në shtëpi, por mund të jetë edhe motor i zhvillimit ekonomik. Ministri i Zhvillimit Rural të Indisë, Jairam Rameshm, tha së fundmi se “eksperienca e Bangladeshit tregon se ne nuk kemi nevojë për të pritur për rritje të shpejtë ekonomike për të krijuar ndryshime në shoqëri. Institucione të shëndosha popullore mund të arrijnë shumë më tepër nga sa mund të blihet me para”.

Bangladeshi është ende i varfër dhe i mbipopulluar. Me koston më të ulët të punës në planet (punonjësit e tekstileve fitojnë vetëm 35 dollarë në muaj), ajo mund të rritet edhe më shpejt se Kina. Është i keqqeverisur dhe përballet me probleme të rënda mjedisore. Por lëvizja e saj popullore e zhvillimit përbën një leksion të vlefshëm për të gjithë botën.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.