Sandy, qindra foto të falsifikuara

Njerëzit shpërndanë foto të frikshme në internet pa u menduar gjatë për vërtetësinë e tyre

Ndërsa uragani Sandy goditi bregun lindor të SHBA-së, skena të jashtëzakonshme shkatërrimi u publikuan në të gjitha anët e botës. Por krahas tyre, disa nga fotot më të frikshme të shpërndara nëpër rrjetet shoqërore, qenë në fakt, të falsifikuara. Njerëzit në të gjithë botën shpërndanë foto në “Facebook” apo “Twitter”, duke prezantuar peshkaqenë që lëviznin nëpër rrugët e Nju Jorkut apo Statuja e Lirisë e goditur nga një dallgë deti e stërmadhe. Të gjitha këto foto nuk qenë të vërteta. Shumë prej tyre besohet se janë fotomontazhe ndërsa të tjera, janë marrë nga filmat apokaliptikë të prodhuar në Hollivud.

Por ndërsa uragani kaloi përtej metropolit më të madh të botës, njerëzit filluan të analizojnë më me gjakftohtësi fotot e para dhe të shpërndara. Këtu po japim disa nga fotot që qenë më të goditura si krijime të fantazisë.

Uragani Sandy qe ashtu siç qe, mjaftueshëm i frikshëm dhe shkaktoi dëme prej dhjetëra miliardë dollarësh. Por për njerëzit e zakonshëm, që janë rritur me epokën e filmave të apokalipseve natyrore të prodhuara gjatë dy dekadave të fundit, duket se realiteti qe shumë larg asaj që mund të konsiderohet me të vërtetë e frikshme. Kështu iu drejtuan fotove false, të cilat i shpërndanë me bollëk pa menduar gjatë se sa reale qenë. Ja disa nga fotot false që qarkulluan më shumë.

Foto 1

Peshkaqeni vetmitar dhe i frikshëm që noton përmes rrugëve të lagjes “Brigantine” të Nju Xhersit qe një nga të shumtat foto false që shfaqën peshkaqenë në rrugë. Njëra prej tyre arriti deri aty sa të paraqesë jo vetëm peshkaqenin, por edhe një peshk që po fluturonte mbi ujë për t’i shpëtuar dhëmbëve të tij.

 

Foto 2

Kjo qe një foto tjetër e montuar. Qendra e një superstuhie e vendosur mbi kryet e Statujës së Lirisë. BBC thotë se në fakt fotoja e superstuhisë qe kapur në Nebraska shumë vite më parë.

 

Foto 3

Kjo foto në fakt qe kapur në prill 2011 gjatë një stuhie të zakonshme që goditi qytetin e Nju Jorkut dhe nuk kishte lidhje me uraganin e frikshëm Sandy.

 

Fotoja 4

Fotoja që paraqet Statujën e Lirisë duke u gllabëruar nga një dallgë gjigante qarkulloi me bollëk këto ditë si një foto aktuale. Në fakt ajo është marrë nga filmi i vitit 2004 “Dita pas të Nesërmes”, film që flet për ngrirjen apokaliptike të botës dhe mbulimit të Amerikës së Veriut nga Epoka e Akullit.

 

Fotoja 5

Taksitë e përmbytura është një nga të paktat të vërteta që qarkulluan nëpër rrjetet shoqërore dhe që u pranuan nga përdoruesit si një foto mjaftueshëm e frikshme nga uragani Sandy.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.