Nju Jorku, qyteti që di të ringrihet

Terrorizmi, kriza dhe uragani

Natham Englander u prek nga uragani në mes të provave “Njeriu i 27”-të, spektakli teatral i nxjerrë nga tregimi me të njëjtin titull, që do të ketë debutimin në ditët e ardhshme në Nju Jork. Shkrimtari jeton në “Brooklyn”, në një nga zonat e prekura më shumë nga uragani Sandy dhe “Public theatre” aty ku do të zhvillohet spektakli ndodhet në një nga zonat ku uji nëpër rrugë ngjason me Venecian, ndërsa dritat mungojnë. “Do të jemi në skenë pas dhjetë ditësh”, thotë disi i shqetësuar, dhe vazhdoj të pyes veten nëse kjo do të ndodhë apo jo. E di që përpara një situate të tillë me kaq shumë dëme dhe vdekje shqetësimi im mund të duket i kotë, por mua nuk më kishte ndodhur kurrë që të gjendesha në një situatë apokaliptike në vendin ku jetoj dhe punoj. Kjo është një nga katastrofat më të mëdha natyrore me të cilat jemi përballuar këto vitet e fundit në Nju Jork”.

Si të duket se ka reaguar qyteti?

Nga pikëpamja njerëzore Nju Jorku ka reaguar më së miri duke treguar një shpirt të shkëlqyer solidariteti: që kur Sandy u përplas në qytet jam mbytur nga mesazhet e njerëzve që më ofronin ndihmë dhe mbështetje. Kam parë me sytë e mi fqinjët e mi që ndihmonin njëri-tjetrin. Jam shumë krenar për Nju Jorkun dhe mendoj se plagët që ka marrë së fundmi, ato të shkaktuara nga terrorizmi, apo kriza ekonomike i kanë nxjerrë më në pah anën humane të qytetit.

Çfarë u ka mësuar kjo katastrofë natyrore?

Se ideja që jemi padronë të ekzistencës sonë është thjesht një iluzion. Se jemi zogj, gati të fluturojmë në qiell në çdo moment. Dhe se e vetmja përgjigje është ajo të dish të ofrosh dashuri dhe të ndihmosh atë që vuan.

Dhimbja, rreziqet dhe katastrofat janë bërë të zakonshme?

Në përgjithësi gjithmonë kanë qenë, por ne përpiqemi t’i harrojmë.

Pse Nju Jorku e ka këtë kapacitet të reagojë kaq i bashkuar përballë tragjedive?

Sepse vetë ky qytet është unik: është formuar nga burra dhe gra që kanë ardhur këtu për një premtim, duke ndjekur ëndrrën e duke u arratisur nga dhimbja dhe varfëria.

Si i jetove orët e uraganit?

I mbyllur në shtëpi teksa dëgjoja erën që frynte si e çmendur me një forcë që më dukej e çmendur. Po ashtu duke parë se si fluturonin objektet nga dritarja. Për fat të mirë në lagjen time nuk ikën dritat kështu që u vendosa para televizorit për të ndjekur lajmet  katastrofike që transmetonin të gjitha kanalet. Ndjeva se sa i pafuqishëm isha përballë kësaj dhe ende jam duke reflektuar për këtë.

Si mendon se reagoi administrata duke nisur nga kryetari Bloomberg?

Bloomberg akoma po paguan pasojat që nuk e lajmëroi qytetin aq sa duhej për stuhinë e fundit të botës: në atë kohë u sulmua dhe u tallën. Mendoj se në këtë rast bëri mirë që vuri alarmin, madje edhe në marrjen e masave ekstreme si mbyllja e metrosë që nga momenti që meteorologët paralajmëruan një katastrofë të tillë. Faktet i dhanë të drejtë dhe mendoj se kushdo të qeveriste gjendet gjithmonë në një situatë shumë të vështirë: edhe pse sido që të përfundojë do të kritikohet. Unë lutem gjithmonë se kushdo që të fitojë zgjedhjet të mos shkurtojë fondet për emergjenca si këto, sepse gjatë fushatës elektorale qarkulluan edhe propozime të tilla. Obama ka reaguar shumë mirë duke treguar sinqeritet për ata që vuajnë e duke u përpjekur të përçojë imazhin e komandantit në detyrë: kjo u vlerësua nga të gjithë, madje edhe nga ata që nuk do të votojnë.

Mendon se uragani do të ketë ndonjë efekt edhe në planin elektoral?

Nuk jam në gjendje të them këtë: e di që për Obamën situata është në rrezik dhe nuk e di nëse kjo sjellje fisnike dhe serioze mund të ketë ndikuar pozitivisht te votuesit. Di që kjo tragjedi e bëri të humbiste disa nga ditët e tij më të rëndësishme në mbyllje të një fushate kaq të rëndësishme.

Cili është imazhi i Nju Jorkut nën uraganin?

Ka dy lloj imazhesh: ato që pash në tv dhe në internet dhe atë që pashë me sytë e mi teksa nxora xhiro qenin tim: lagjen time komplet të shkretë, me pemë të rrëzuara dhe erën që frynte si e çmendur duke marrë me vete çdo objekt që gjente në ajër. Më dukej si një qytet fantazmë nga ata që shihen në filmat horror. Por pashë që ata pak banorë që gjendeshin jashtë komunikonin si të ndihmonin njëri-tjetrin për të dalë nga kjo tragjedi ky realitet përfaqëson shpirtin e vërtetë njujorkez.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.