Kisha dhe shteti në Rusi shkrihen me njëra-tjetrën

At Tikhon, 54 vjeç, mori drejtimin e këtij manastiri, një nga më të vjetrit në Rusi, në vitin 1995. Që nga ajo kohë e ka transformuar strukturën, e cila në kohën e Stalinit përdorej si një vend për vrasjen e njerëzve, duke e prezantuar atë si një imazh të kuruar me mjeshtëri deri në detaje mbi Ortodoksinë

Si autor i librit “Shenjtorë pa shenjtëri dhe histori të tjetra”, një libër mbi jetën në manastir dhe rrugën drejt besimit, At Tikhoni dhe lidhjet e tij me Kremlinin shfaqen edhe më të forta

At Tikhon është një mbështetës i fortë i Putinit. Ai thotë se Presidenti e shpëtoi Rusinë nga “liberalët vulgarë”, të cilët gati sa nuk e shkatërruan në vitet ’90

SOPHIA KISHKOVSKY, NYT

Moskë – Ndërsa Kisha Ortodokse e Rusisë vijon ngjitjen e saj si një forcë politike e fuqishme, arkimandriti Tikhon Shevkunov është aktualisht në qendër të një debati mbi pushtetin e kishës dhe ndikimin e mundshëm të priftërinjve mbi Presidentin Vladimir V. Putin.

At Tikhon, një ish-student filmi, drejton një manastir të shekullit të katërmbëdhjetë me emrin Sretenski, që gjendet shumë pranë selisë qendrore të ish-KGB-së, ku Putin punonte gjatë kohës sovjetike. Një figurë shumë e dashur për median, At Tikhoni ka publikuar një libër që i habiti të gjithë me popullaritetin e vet mbi jetën në manastir dhe është cilësuar si “babai shpirtëror i Putinit” – një cilësim që Putini me delikatesë as nuk e përgënjeshtron dhe as nuk e pranon.

“Do të ishte barbare nga ana ime t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, të thosha po apo jo dhe rrjedhimisht t’u hiqja bukën gazetarëve”, tha ai së fundmi në një intervistë që dha në dhomën e tij të pritjes, një dhomë e zbukuruar me portretet e shenjtorëve dhe carëve. “Megjithëse, natyrisht, askush nuk mund t’i përgjigjej një pyetjeje të tillë”, shtoi ai.

Këtë javë, At Tikhon doli sërish në lajme pas raportimeve që ai menjëherë i mohoi, se policia ka mbyllur një bordello që ishte krijuar në ambientet e manastirit të tij. Ai e cilësoi lajmin “një shpifje të papërgjegjshme” dhe “një shembull të gjallë të një lufte informative kundër Kishës”. E vërteta, tha ai, është se bordelloja qe në ndërtesën pranë manastirit dhe se vetë manastiri pati kërkuar mbylljen e saj.

At Tikhon, 54 vjeç, mori drejtimin e këtij manastiri, një nga më të vjetrit në Rusi, në vitin 1995. Që nga ajo kohë e ka transformuar strukturën, e cila në kohën e Stalinit përdorej si një vend për vrasjen e njerëzve, duke e prezantuar atë si një imazh të kuruar me mjeshtëri deri në detaje mbi Ortodoksinë.

Disa ditë më vonë, në një mbrëmje idilike vjeshte, rrobat e tij të zeza prej murgu po valëviteshin në erë, ndërsa muzika e korit po luante në ajër dhe një rresht me gra të mbuluara po prisnin bekimin e tij.

Disa kritikë e vlerësojnë At Tikhonin si një shpikje reklame mashtruese. Por të tjerë, e shohin se si apo po rritet si një ndërmjetësues në korridoret e pushtetit dhe thonë se ai po promovon një fondamentalizëm Ortodoks. Kjo është një akuzë që vetë prifti e hedh poshtë si “të pakuptimtë”.

Debati i vjetër mbi rolin e Kishës Ortodokse dhe marrëdhëniet e saj me shtetin u rihapën së fundmi pas dënimit të bandës muzikore pank “Pussy Riot” për shkak se kënduan një këngë në katedrale ku i luteshin Zotit të hiqte nga pushteti Putinin. Performanca, e cila u filmua dhe qarkulloi gjerësisht në internet, tallej si me Putinin, ashtu edhe me Patriarkun Kiril I, kreun e Kishës Ortodokse.

Në këtë pikë, lidhjet e priftit Tikhon me Putinin u vendosën nën analizë publike. Ato patën tërhequr vëmendjen e medias edhe më herët më 2008, kur prifti shkroi skenarin e një dokumentari ku rënia e Bizantit raportohej si një situatë e krahasueshme dhe po aq e rëndë sa edhe rreziqet që i shfaqen Rusisë moderne. Filmi u kritikua nga liberalët, të cilët thanë se Putini po portretizohej si një udhëheqës i virtytshëm i Rusisë së kërcënuar nga forcat e huaja.

Tani, si autor i librit “Shenjtorë pa shenjtëri dhe histori të tjetra”, një libër mbi jetën në manastir dhe rrugën drejt besimit, At Tikhoni dhe lidhjet e tij me Kremlinin shfaqen edhe më të forta. Libri përqendrohet mbi një manastir tjetër të famshëm që Putini e vizitoi shpejt pasi mori pushtetin në vitin 2000.

Një nga pyetjet pa përgjigje është nëse At Tikhon është, në të vërtetë, udhëheqësi shpirtëror i Putinit. Në traditën e Rusisë ortodokse, ky pozicion është ai i priftit udhëheqës drejt shpëtimit.

“Unë e njoh Arkimandritin Tikhon personalisht dhe ai më ka thënë drejtpërsëdrejti se nuk është babai shpirtëror i Putinit”, shpjegon At Georgi Mitrofanov, një prift i rëndësishëm në Shën Petersburg. “Unë mendoj se udhëheqësi kryesor shpirtëror i Presidentit tonë është ai vetë”.

Kur pyetja iu shtrua për herë të dytë, At Tikhoni e ndryshoi temën e diskutimit dhe foli për shalqinjtë kinezë që po mbillen te ferma e drejtuar nga manastiri i tij.

Mbi të gjitha, At Tikhon është një mbështetës i fortë i Putinit. Ai thotë se Presidenti e shpëtoi Rusinë nga “liberalët vulgarë”, të cilët gati sa nuk e shkatërruan në vitet ’90. Gjatë kohës së intervistës, ai vazhdimisht shikonte orën për të qenë i sigurt se nuk do të vonohej në një takim në Kremlin me komisionin e kulturës së Putinit.

Në këtë takim, sipas faqes së internetit të Kremlinit, Putini e kritikoi murgun për krahasimin që u kishte bërë të grave të sotme të Rusisë me “vajzat e dehura që qëndrojnë pranë një stacioni autobusi”.

“At, ju e keni ekzagjeruar”, raportohet të ketë thënë Putini.

Më 2007, Putini dhe At Tikhoni qenë ndërmjetësit që sollën ribashkimin e Kishës Ortodokse të Rusisë me Kishën Ortodokse të krijuar jashtë Rusisë dhe që e ka selinë në Nju Jork. Ribashkimi është një pjesë e rëndësishme e axhendës së Putinit për të bashkuar historinë e të shkuarës cariste me të shkuarën sovjetike të Rusisë. Për të festuar pesëvjetorin e ribashkimit dhe për të promovuar variantin në anglisht të librit të tij, At Tikhon vizitoi Shtetet e Bashkuara së bashku me korin e manastirit të tij.

Libri i tij ka 640 faqe dhe është shitur me më shumë se 1.1 milionë kopje. Miliona kopje të tjera janë shkarkuar në internet. OLMA, shtëpia botuese që e publikoi librin më 2011, njoftoi në gusht se ky është libri më i shumëshitur në historinë postsovjetike të vendit. Fitimet do t’i jepen manastirit Sretensku, për të ndërtuar një katedrale në përkujtim të njerëzve që u vranë për arsye të besimit gjatë kohës sovjetike.

Libri është një portret i vendit më të shenjtë për Kishën Ortodokse, Manastirit Pskovo-Perceski në Rusinë Veriperëndimore. Manastiri qëndroi i hapur gjatë kohës sovjetike, ku fillimisht mbijetoi në Estoninë e pavarur mes dy luftërave botërore dhe më pas nga këmbëngulja dhe vullneti i murgjve pas luftës, kur territori u përthith nga Bashkimi Sovjetik.

Georgi Shevkunov, siç e kishte emrin At Tikhoni para se të bëhej murg, u bë rishtar menjëherë pasi u pagëzua më 1982, një ndryshim i fortë nga studimet që kishte kryer në një nga shkollat më prestigjioze të filmit në Bashkimin Sovjetik. Në manastir, shkruan ai, “një botë e re papritur u hap, me bukuri të pakrahasueshme”.

Putini vizitoi manastirin në gusht 2000. Faqja e internetit të kishës thotë se ai kaloi më shumë se një orë në një bisedë private me Arkimantritin Ioan Krestiankin, një murg të nderuar që vdiq më 2006 dhe që qe udhëheqësi shpirtëror i At Tikhonit.

Në librin e miqve të manastirit, Putini shkroi: “Rigjallërimi i Rusisë dhe rritja e fuqive të saj nuk mund të bëhen pa forcuar themelet morale të shoqërisë. Roli dhe rëndësia e Kishës Ortodokse të Rusisë janë të stërmëdha. Zoti ju mbrojttë!”

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.