Futbolli francez

Katari bleu vitin e kaluar një nga klubet më të rëndësishme të futbollit në vendin europian ku për këtë sport shpenzohet më pak se kudo tjetër. Francezët e fiksuar me proteksionizmin, u ankuan, por tashmë po shijojnë golat e Ibrahimoviç

A do të preken yjet nga taksa për të pasurit?

Kur Katari bleu vitin e kaluar klubin e Paris Saint Germain (PSG), klubin më të rëndësishëm të futbollit në kryeqytetin e Francës, ai preku një nerv të rrezikshëm. Franca është një vend, ku, në fund të fundit, dikur ka shpallur prodhimin e kosit një industri strategjike duke mos lejuar blerjen nga të huajt.

“Libération”, një gazetë e majtë, e denoncoi “urinë e pangopur për pushtet dhe ndikim” të shtetit të vogël të Gjirit Persik dhe paralajmëroi se kjo po ndodh në të gjithë Europën. Pothuaj 18 muaj më pas, ankthet e francezëve mbi pasurinë, taksat, kapitalizmin apo tregtisë së lirë janë shfaqur në mënyrë simbolike te fati i PSG.

Futbolli francez ka qenë gjithmonë shumë më i varfër sesa kampionatet e vendeve të tjera europiane. Talentet e këtij vendi pothuajse gjithmonë janë eksportuar, shumë shpesh në kampionatin anglez. Stadiumet këtu shumë rrallë mbushen plotësisht; asnjë klub francez nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve të Europës për gati 20 vjet.

Por pas gjithë kësaj, Franca po bëhet edhe importuese talentesh. Furnizuar me një çek të bollshëm nga Autoriteti i Investimeve të Katarit, një fond menaxhimi të pasurive sovrane, PSG ka filluar një fushatë të gjerë blerjesh. Pasi blenë një menaxher italian, shpërthyen duke marrë dy brazilianë, një argjentinas, një italian si dhe Zlatan Ibrahimoviçin, një sulmues suedez i cili e ka të atin mysliman nga Bosnja dhe të ëmën kroate.

Paga vjetore e tij është raportuar të jetë diku te 14 milionë euro sipas medias franceze në gusht, ndërsa raportime të tjera flasin për pagë diku te 9 milionë euro në vit. Për sytë e francezëve, kjo është tronditëse.

Francezët e pëlqejnë pasurinë vetëm kur të pasurit janë diskretë dhe nuk interesohen shumë për makinat e shpejta dhe jetën e natës luksoze, e cila duket se shkon shumë me futbollin e klasit të lartë. Presidenti i tyre i ri, François Hollande, një socialist që dikur deklaroi se nuk i pëlqen të pasurit, premtoi gjatë fushatës së tij se do të taksojë ata që fitojnë më shumë se 1 milion euro në vit në masën 75 për qind. Siç qe lehtësisht e pritshme, politikanët u ankuan për pagat ekstravagante të futbollistëve.

“Janë të turpshme”, deklaroi Jérôme Cahuzac, ministri i Buxhetit, duke komentuar mbi pagat e futbollistëve në këto kohë krizash ekonomike.

Tashmë, Parlamenti i Francës e ka miratuar taksën super të lartë për të ardhurat super të larta. Biznesi francez është i zhgënjyer. Por kjo duket se nuk do të pengojë futbollistët të marrin në shtëpi pagat e veta: katarasit e kanë garantuar Ibrahimoviçin se paga e tij do të mbetet e paprekur. Por nëse francezët do të arrijnë të kapërdijnë shijen e hidhur që kanë krijuar nga vulgarizimi i sportit dhe pabarazisë së krijuar nga paga të tilla, kjo do të varet para së gjithash nga çfarë ndodh në fushë. Deri më tani, Ibrahimoviç ka shënuar nëntë gola në tetë ndeshje të kategorisë së parë; PSG është në krye. Dhe në rast se këmba e tij dështon, suedezi mund të gjejë një mënyrë tjetër për të magjepsur francezët. Më 22 tetor, autobiografia e tij është vënë në listë si kandidat për një çmim të rëndësishëm letrar në Suedi dhe ky është lloji i suksesit që u pëlqen francezëve.

 

Skeda
Emri: Zlatan Ibrahimoviç

Ditëlindja: 3 tetor 1981

Vendlindja: Malmo, Suedi

Gjatësia 1.95 m

Pozicioni: Sulmues

Klubi aktual: Paris Saint-Germain

Numri i fanellës: 18

 

Karriera   Skuadra    Ndeshje    Gola

1999–2001  Malmö FF   40   (16)

2001–2004  Ajax 74   (35)

2004–2006  Juventus   70   (23)

2006–2009  Internazionale  88   (57)

2009–2011  Barcelona  29   (16)

2010–2011  → Milan (loan)  29   (14)

2011–2012  Milan 32   (28)

2012– Paris Saint-Germain  8    (10)

Kombëtarja e Suedisë 84   (35)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.