Leo Mesi: Te PSG? S’më josh askush, dua vetëm Barcelonën

Talenti

Argjentinasi thekson se nuk e tundon askush dhe do ta mbyllë karrierën te Barça

Ylli argjentinas ka përsëritur dëshirën e tij për të qëndruar në klubin aktual, ndërsa ndjen se PSG do të luftojë për t’i sfiduar ekipet e mëdha në Ligën e Kampionëve. Lionel Mesi deklaron sërish se ëndërron të qëndrojë deri në fund të karrierës së tij te Barcelona, ndërkohë që asnjë ofertë joshëse nga gjigandët e Ligue 1, Paris SG, nuk do ta provokojë atë të lëvizë gjetiu. “A më josh projekti i Paris SG? Jo, jo, unë jam pjesë e ekipit më të mirë në botë, Barcelona. Ne luftojmë për trofe çdo sezon, – citohet Mesi nga “France Football”. – Barcelona është një qytet i bukur, pastaj Barça është klubi ku unë u rrita. Nuk mund ta imagjinoj dot, jua them me shumë sinqeritet, që ta lë Barcelonën”

PSG ka joshur lojtarë si Zlatan Ibrahimoviç, Tiago Silva, Ezekiel Lavezi dhe Gregori van der Viel në kryeqytetin francez, duke i blerë në merkaton e verës, por Mesi është i sigurt se vetë nuk do ta ndjekë kurrsesi këtë rrugë. Megjithatë, argjentinasi shton se parizienët mund të konkurrojnë me ekipet e mëdha në Europë në këtë sezon, në Ligën e Kampioneve. “Unë nuk e di nëse PSG tashmë i ka mjetet për t’i sfiduar ekipet e mëdha në Ligën e Kampionëve këtë sezon, – vazhdoi ai. – Mendoj se ata mund të fitojnë titullin e “Ligue 1”, sepse ka në përbërje të gjithë lojtarët e duhur, që mund të jenë vendimtarë. Por futbolli të merr kohë për të ndërtuar një ekip. Gjendja e tyre më kujton mua një grimë Mançester Sitin. Nuk është e lehtë për të ndërtuar një ekip, kur ke të bësh me lojtarë që vijnë nga të gjitha qoshet e botës”. “Les Parisiens” aktualisht janë në krye të “Ligue 1” dhe të dytët në grupin e tyre në “Champions League”.

 

Arsyet

“Jam pjesë e ekipit më të mirë në botë, Barcelona. Ne luftojmë për trofe çdo sezon. Barça është klubi ku unë u rrita. Nuk mund ta imagjinoj dot, që ta lë Barcelonën”

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.