Lajme sportive shkurt

Anjeli: Jemi të rrethuar. Morati: Shpresoj vetëm një gabim

Fjalët e presidentëve ndezin Juventus-Inter të së shtunës

Juvetus-Inter, e programuar për të shtunën, ka filluar tashmë, edhe pse dy skuadrat do të përballen nesër përkatësisht me Sampdorian dhe Bolonjën për javën e 10 të Serisë A. Ata që janë përplasur ishin dy presidentët, Andrea Anjeli dhe Masimo Morati, të cilët i janë referuar gjykimit të Juventus-Katania. “Para, gjatë dhe pas ndeshjes në Katania kishte një tension absolut përreth Juventusit, denoncoi dje Anjeli. Fyerje nga tribuna kanë detyruar drejtuesit tanë të largohen që aty. Në konferencën për shtyp ndodhën gjëra të papranueshme në dëm të Alesios. Edhe në emisionet televizive dukej sikur ishim të rrethuar, që është një gjë absolutisht anormale dhe jotipike. E dënoj këtë sjellje ndaj nesh dhe e konsideroj të papërshtatshme që për një gabim të gjyqtarit është tërhequr në valle edhe shefi i gjyqtarëve Braski”. “Ndeshja në Katania më ka bërë pak përshtypje, ka thumbuar dje presidenti i Interit, Masimo Morati.  Por nuk do të doja të shkonim në ndeshjen e së shtunës duke e acaruar mungesën e madhe të simpatisë mes tifozerive të Interit dhe të Juves. Nuk besoj se është nevoja të nënvizojmë atë që gazetat e kanë thënë në mënyrën më perfekte. Është një situatë absurde ajo e së dielës, por duhet të urojmë gjithmonë që të jetë vetëm një gabim dhe duhet vetëm të shpresojmë që të mos përsëriten gabime kaq të rënda”.

 

Gjykimi

Dy drejtuesit e lartë flasin për gjykimin në Juve-Katania

Iran

Sukaj, tjetër gol në fitoren e Sepahanit

Xhevahir Sukaj është shndërruar në një protagonist i padiskutueshëm në kampionatin iranian. Në takimin e djeshëm në transfertë ndaj Naft Teheran, skuadra e tij Sepahan ka fituar me rezultatin 4-3, sulmuesi shqiptar ka shënuar një gol në minutën e 37, duke ngushtuar në 2-1 rezultatin, pas dy golave të shpejtë të vendasve. Lufta në fushë ishte e fortë, por më në fund miqtë mundën të fitojnë me rezultatin 3-4. Ky gol konfirmon vazhdimësinë e shkodranit, i cili deri tani ka shënuar 6 gola në këtë sezon në kampionatin iranian.

 

Vendimi

Çani përjashtohet nga Polonia e Varshavës

Edgar Çani është përjashtuar nga skuadra e parë e Polonia Varshavës, ndërsa do të luajë për ekipin e të rinjve deri në merkaton e janarit, kur edhe do të shitet. Lajmi për sulmuesin e kombëtares shqiptare është bërë i ditur në faqen zyrtare të skuadrës polake. Vendimi që thuhet në komunikatën për shtyp është marrë nga trajneri i parë pas ndeshjes së fundit ndaj Gks Belshatov. Çani në minutën e 90-të debatoi ashpër me lojtarin Brzyskim, se kush do ta gjuante penalltinë dhe tani akuzohet për prishje të atmosferës.

 

Ndryshimi

Ai do të duhet të futet në lojë nëse skuadra po humbet 4-0

Një lojtar i 12-të në fushë, një ide që vjen nga Norvegjia

Kjo ka qenë një javë e karakterizuar nga debate e polemika të shumta në futbollin ndërkombëtar. Por dje ka bërë bujë edhe një lajm i shumë debatueshëm. Nëse ndeshja shkon 4-0, skuadra që po pëson humbjen e thellë mund të fusë në fushë lojtarin e 12-të. Nuk është çudi, por një risi e padëgjuar më parë që po diskutohet në Federatën Norvegjeze të Futbollit. Një ligj i ri i marrë në shqyrtim kohët e fundit dhe që ka lënë pa fjalë të gjithë, mbështetet në dëshirën që shikueshmëria dhe interesi i ndeshjeve të jetë gjithmonë i lartë. Lojtari i 12, në rastet kur humbja është e thellë, do të shërbejë për të përforcuar formacionin dhe për të shtuar rivalitetin në fushë. “Nuk është bukur të fitosh 17-0 dhe po ashtu nuk është bukur të humbësh 17 me 0”, komenton idenë e rrallë ish-mbrojtësi i Kombëtares norvegjeze, Henning Berg. Por kjo nismë ka hasur edhe kundërshtime. “Mund të jetë pozitive të krijosh mundësi ku të luajnë të gjithë, por mund të jetë edhe negative të dënosh ose të shkatërrosh në njëfarë mënyre më të mirët”, thotë tekniku i Alesund, Kjetil Rekdal. Federata Norvegjeze është fazën e anketimit të opinionit të gjerë dhe të specialistëve të futbollit. Gjithsesi miratimi i këtij ligji duket ende shumë larg, pasi duket se nuk përkrahet nga të gjithë, edhe për faktin se një ndërhyrje e tillë në botën e futbollit nuk është bërë kurrë më parë.

Debati – Ideja mund të bëhet ligj në Federatën Norvegjeze

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.