Tirana, ikën Lekbello, emërohet Tafaji

“Tushe” sqaron: Ika nga rezultatet e dobëta, ndoshta një tjetër mund ta bëjë më mirë

Altin Manallari

Vetëm 42 ditë ka zgjatur aventura e Artur Lekbellos në drejtimin e skuadrës së Tiranës. Vendin e tij tashmë e ka zënë drejtori teknik, Alban Tafaji, i cili është emëruar përfundimisht në postin e trajnerit.

Dy humbjet e fundit ndaj Kukësit 4-0 në Kupën e Shqipërisë dhe 2-0 ndaj Skënderbeut në Kategorinë Superiore kanë rezultuar fatale për ish-ikonën e viteve ’80 te bardheblutë, i cili dje ka marrë përsipër përgjegjësitë dhe ka dhënë dorëheqjen. Motivimi i kësaj zgjedhjeje të tij kanë qenë rezultatet e dobëta në krye të skuadrës rekordmene për titujt e fituara në futbollin shqiptar, ato rezultate që duket se tashmë e kanë larguar shumë nga lufta për titull. Dorëheqja e dhënë gjatë një mbledhjeje të gjatë në ambientet e klubit mes tashmë ish-trajnerit dhe administratorit Salih Tagani dhe drejtorit teknik, Alban Tafaji, është pranuar menjëherë. Klubi i futbollit Tirana, nëpërmjet një komunikate për shtyp ka falënderuar “Lekbellon për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tij, duke i uruar suksese të mëtejshme në punën e tij”. Në fakt, largimi i Lekbellos u duk se u paralajmërua që përpara kësaj mbledhjeje, pasi tekniku nuk u paraqit në stërvitjen e skuadrës. Menjëherë pas dorëheqjes vetë Lekbello është shprehur para mediave se “duke parë rezultatet e ndeshjeve të fundit, mendova se për të mirë të Tiranës të jap dorëheqjen, me qëllimin që t’ia lë ekipin dikujt tjetër, i cili të mund ta çojë në rrugën e duhur drejt fitimit të trofeve”. Lekbello u emërua si trajner i skuadrës 24 herë kampione të Shqipërisë më 17 shtator dhe e drejtoi ekipin e tij të zemrës në vetëm 9 ndeshje, 6 në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë. Trajneri pati bilanc prej 1 fitoreje, 4 barazimesh dhe 1 humbjeje në Superiore dhe 2 fitoresh e 1 humbjeje në Kupë. Në vendin e tij, bordi drejtues i klubit ka caktuar si trajner drejtorin teknik, Alban Tafaj, njeriun që drejtoi ekipin edhe pas largimit të Hulian Rubio Sançezit. Drejtori teknik i bardhebluve emërohet në këtë detyrë jo përkohësisht, por deri në fund të sezonit. Të paktën kështu serviret nga klubi, që mund të ofrojë skenarë të rinj në ditët në vazhdim. Së bashku me Ernest Gjokën (që dha dorëheqjen po dje nga drejtimi i Apolonisë), Lekbello bëhet trajneri i 9-të, që largohet në këto 8 javë të para të Superiores, duke fiksuar kështu një mesatare të frikshme, që e bën këtë fenomen të duket si një epidemi.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.