Lajme sportive shkurt

Dorëheqja

Ernest Gjoka nuk mundet më, largohet nga Apolonia

Ernest Gjoka nuk do të jetë më trajneri i Apolonisë. Një lajm i tillë është bërë i ditur mesditën e djeshme, kur edhe është mësuar se tekniku i skuadrës fierake ka vendosur ta mbyllë bashkëpunimin e tij me klubin, duke e zyrtarizuar këtë me kërkesën për dorëheqje. 42-vjeçari arriti në këtë përfundim pas rezultateve të dobëta që ekipi ka koleksionuar në këto 8 javë të para të kampionatit, ku ende nuk ka mundur të marrë as edhe një fitore të vetme. Në 8 javët e para Apolonia ka koleksionuar vetëm 4 barazime dhe 4 humbje në kampionat. Gjoka e mori drejtimin e Apolonisë në fillimin e këtij sezoni, ndërkohë që në sezonin e kaluar kishte drejtuar Kamzën në fazën e parë dhe Tomorin në fazën e dytë.

FIFA & France Football

 

“Topi i Artë”, Mesi, Iniesta e Ronaldo në listë 23-she

FIFA dhe “France Football” publikuan listën e 23 finalistëve të parë për fitimin e “Topit të Artë” për vitin 2012, ku pretendentë kryesorë janë Kristiano Ronaldo, Mesi dhe Andres Iniesta, që sigurisht nuk mund të mungonin në këtë përzgjedhje paraprake. Mes 23 emrave të parë, bie në sy valanga spanjolle, që ka plot 7 futbollistë të kombëtares, pasojë dhe e suksesit në kampionatin europian, ku përveç Iniestës dhe Xavit, gjendjen gjithashtu dhe Kasijas, Buskets, Pike, Serxho Ramos dhe Ksabi Alonso. Klubi që ka më shumë përfaqësime është Reali i Madridit me gjashtë lojtarë në listë, ndërsa ndiqet nga Barcelona me pesë futbollistë. Italia është në garë ndërkohë me tre futbollistë, Pirlo, Bufon dhe Baloteli. Gjithashtu në listë janë edhe Nejmar, Drogba dhe Ibrahimoviç.

 

 

Çelsi

Abramoviç, gati një “çmenduri”: 20 mln sterlina për Guardiolën

Emri i Pep Guardiolës ka dalë sërish në skenë, por tani nuk bëhet fjalë vetëm për një “scoop” mediatik, ku trajneri është mësuar të shohë veten që pas largimit të tij nga Barcelona. Pas Milanit dhe Mançester Siti, tani është Çelsi që interesohet për shërbimet e teknikut 41-vjeçar, i cili vazhdon të shijojë pushimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Blutë e Londrës e kanë marrë seriozisht operacionin për transferimin e tij në kryeqytetin anglez, duke hedhur hapa konkretë dhe duke bërë edhe ofertën e parë financiare. Nëse ofertat e skuadrave të tjera janë refuzuar nga Gurdiola, ky i fundit nuk mund të bëjë të njëjtën gjë me 20 milionë sterlina në sezon, që është gati t’i japë padroni i Çelsea, Roman Abramoviç. Ndërkohë që do t’i plotësohen të gjitha dëshirat në merkato.

 

Emërimi

Edi Martini, trajneri i ri i Luftëtarit

Edi Martini do të jetë trajneri i ri i Luftëtarit për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Pas largimit përfundimtar të Nevil Dedes, drejtuesit e skuadrës gjirokastrite kanë gjetur te shkodrani njeriun e duhur për t’i besuar timonin e ekipit. Ish-lojtari i Vllaznisë ka drejtuar më parë në karrierën e tij si trajner Vllazninë, Teutën, Laçin dhe Adën. Momentalisht, Luftëtari është në vendin e 11 me 7 pikë duke qenë në zonën e ftohtë që të çon një kategori më poshtë. Edi Martini pritet të debutojë në stolin e gjirokastritëve në transfertën e Laçit, aty ku e njeh mjaft mirë ambientin, pasi dikur e ka drejtuar këtë skuadër.

 

Presidenti i FSHF-së

Duka: Skënderbeu? Sezoni ende i gjatë

Gjatë ceremonisë së startit të kampionatit të ekipeve të moshave të vogla, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka gjetur kohën që të flasë edhe për Kategorinë Superiore dhe rivalitetin në luftën për titull: “Kampionati vërtet ka nisur mirë dhe me shumë rivalitet mes skuadrave pretendente. Është e vërtetë që Skënderbeu është shkëputur 5 pikë nga ndjekësit pas 8 javëve të para, por duhet të kemi parasysh që kampionati është i gjatë dhe në futboll nuk përjashtohet asgjë. Kështu që nuk përjashtohet që skuadrat e tjera të rikthehen në garë. Uroj që deri në fund gara të shkojë kështu. Për ne është e rëndësishme që të fitojë loja e bukur dhe e pastër. Sepse nga kjo dalin të fituar të gjithë”.

 

Tenis

Serena Uilliams fiton finalen e Stambollit

Serena Uilliams ka mposhtur Maria Sharapovën me rezultatin 6-4 6-3 në finalen WTA të Stambollit, duke fituar titullin e shtatë individual për këtë vit. Me një paraqitje thuajse perfekte, 15 herë fituesja e turneve “grand slam” nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren. Madje, Uilliams arriti të fitonte pikë edhe në momentet kur Sharapova provonte ta vendoste në vështirësi. Në këtë mënyrë, tenistja 31-vjeçare amerikane konfirmon vitin e shkëlqyer, pasi më parë ka triumfuar edhe në “Uimbëlldon”, “U.S. Open”, Olimpiadën “Londër 2012”, Madrid, Çarleston dhe në Stenford.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.