Fryhen polemikat, Katania akuzon, Juventus mohon: Gabime arbitrale

Çështje

E rrallë, kompania e basteve ka rimbursuar të gjitha bastet për “1”, “X” ose “2”

Presidenti i Katanias, Antonio Pulvirenti, akuzon ashpër gjyqtarët që i anuluan një gol më se të rregullt skuadrës së tij ndaj Juventusit. Për numrin 1 të klubit sicilian gabimi i anësorit Maxhani nuk është i paqëllimshëm, pasi ai e ka treguar hapur në rrjetet sociale që është tifoz i bardhezinjve. “Në profilin e Maxhanit në “Facebook” ndodhet titulli i fituar nga Juventusi. Të gjithë mund të bëjnë tifozllëk për skuadrën që duan, por pas asaj që ndodhi kundër nesh çfarë mund të mendojmë tjetër?”. Më tej ai vijon: “Gabimin e pranojmë të gjithë, por për fat të keq ka ndodhur diçka më shumë. Nënshtrimi psikologjik i gjyqtarëve, pas presionit të stolit të Juventusit është evident”. Dhe vjen menjëherë kundërpërgjigjja e Bepe Marotës, administratorit të Juventusit, i cili në mënyrë kategorike nuk e pranon se pjesëtarë të ekipit të tij kanë ndikuar në vendimin e trupës së gjyqtarëve. “Nëse flasim për gabim të gjyqtarëve, thjesht duhet të pajtohem me këtë, sepse gabime të tilla ndodhën në shumë ndeshje të kësaj jave, në javët paraardhëse, apo në kampionatin e sezonit të kaluar, ku Juventusi shpesh është penalizuar. Por nuk mund të pranoj që Juventusi ka kushtëzuar vendimet e gjyqtarëve. Flamuri i Maxhanit u ngrit lart në momentin e shënimit të golit, më pas u ul poshtë. Askush nuk mund të të sigurojë që nëse ai gol do të konsiderohej i rregullt Juventusi nuk do ta kishte fituar ndeshjen”. Marota në këtë rast e bën mirë detyrën e tij, mbron interesat e Juventusit, edhe pse u pa qartë që vendimet e gjyqtarëve, edhe në rastin e golit të Vidal, ishin të gabuara dhe kushtëzuan rezultatin final, me apo pa presionin psikologjik të pankinës bardhezi. Ndërkohë që ka ndodhur edhe diçka e çuditshme. Kompania irlandeze e basteve, “Paddy Power”, ka vendosur të aplikojë “Justice Payout”, ose ndryshe “drejtësinë në pagesë”. Në këtë mënyrë, ajo ka paguar si fituese të gjitha bastet teke të vendosura në Itali për ndeshjen Katania-Juventus, që zyrtarisht u fitua 1-0 nga bardhezinjtë. Në këtë mënyrë, fitues nuk kanë qenë vetëm ata që kishin vendosur bast për fitoren e Juventusit, por edhe ata më të guximshmit, që kuotonin fitoren e Katanias apo barazimin.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.