Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Aktualiteti

Spanja rrezikon të humbasë shkencëtarët më të mirë

Artikuj në publikime shkencore po paralajmërojnë për të ashtuquajturën ‘tharje të trurit’ në Spanjë, si rezultat i shkurtimeve qeveritare të programeve kërkimore dhe atyre të zhvillimit. Caroline Arbour njofton se studiuesit spanjollë thonë se përballen me një të ardhme të pasigurt.

Në fund të nëntorit, Bashkimi Europian do të zhvillojë bisedime mbi buxhetin për periudhën 2014-2020. Në një letër të hapur të publikuar të martën, 47 fitues të çmimit “Nobel” të Paqes dhe të Medaljeve Profesioniste u bënë thirrje vendeve të BE-së që të mos braktisin angazhimet e tyre financiare për programet kërkimore dhe ato të zhvillimit.

Para 12 vjetësh, vendet anëtare të BE-së caktuan një objektiv për t’u përkushtuar këtyre programeve 3 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Sipas Komisionit Europian, këto vende kanë bërë shumë pak përparim. Si pasojë e krizës ekonomike, shkenca është goditur rëndë në Greqi dhe veçanërisht në Spanjë. Matematicieni Carlos Andradas Heranz i Universitetit Complutense të Madridit, është president i Konfederatës së Shoqatave Shkencore të Spanjës.

“Kufizimet buxhetore po rrezikojnë të gjithë sistemin, veçanërisht sistemin publik. Ekzistojnë kushte thuajse të pamundura për të mbijetuar”.

Komisioni Europian njofton se Spanja bëri përpjekje gjatë dekadës së fundit për të përmbushur objektivin, por që prej vitit 2009 qeveria ka shkurtuar me më shumë se 35 për qind buxhetin për programet kërkimore dhe novatore.

Zoti Andradas thotë se miliarda euro të ndara nga Madridi për hua të ndryshme nuk janë shpenzuar, sepse institucionet publike nuk lejohen të aplikojnë për këto fonde si pasojë e recesionit, madje kompanitë private nuk i shikojnë të favorshme kushtet e huave.

Këtë vit do të ketë më pak vende në programin “Ramón y Cajal”, i cili siguron kontrata 5-vjeçare për aplikantët më të mirë me doktoratë. Për ata individë në këtë program, e ardhmja është e zymtë, thotë astrofizikani, Amaya Moro-Martín, anëtar i programit “Ramón y Cajal”.

“Këta njerëz, pasi shpenzojnë 5 vjet në këtë program, thjesht largohen, madje kemi pasur kolegë që kanë vendosur të largohen, kolegë me dijeni të shumta, që i kanë demonstruar në publikime si revista Natyra dhe Shkenca”.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore