Lajme sportive shkurt

Ndeshja

Juventusi, fitore dhe polemika ndaj Katanias

Juventusi i Antonio Kontes ka marrë një tjetër fitore kontraverse, të diskutueshme, përballë Katanias, me rezultatin 1-0. Në pjesën e parë, skuadrës vendase të Katanias iu anulua një gol, nga pamjet televizive padrejtësisht, për pozicion jashtë loje, gjë që shkaktoi nervozizëm te trajneri dhe lojtarët vendas. Me të nisur pjesa e dytë, përsëri gjendet në pozicion të dyshimtë Arturo Vidal, i cili i vetëm përballë portës së Katanias, nuk gabon dhe shënon për 1-0, rezultat i cili nuk ndryshoi deri në fund, ndaj i sjell Juventusit tri pikë të tjera. Edhe pas javës së 9, bardhezinjtë e Kontes mbeten të vetëm në vendin e parë të Serisë A, me 25 pikë.

 

Interi

Strama, më shumë fitore radhazi se Murinjo

Ky Inter duket i pandalshëm. Fiton 3-1 në transfertë ndaj Bolonjës. Ndërsa Andrea Stramaçoni po krahasohet me Zhoze Murinjon për nga idetë që ka sjellë në lojën zikaltër, por ndërkohë atij i kanë mjaftuar pak javë të sezonit për të thyer rekordin e ish-trajnerit portugez. Me suksesin e fundit kundër Partizanit të Beogradit, Strama festoi fitoren e 6 radhazi, duke thyer “Special One” dhe Interin e tij të tripletës, me 5 fitore radhazi. Tani, me triumfin në Bolonja, trajneri 36-vjeçar është vënë në ndjekje të Klaudio Ranierit në sezonin 2011-2012 me 8 fitore radhazi, ndërkohë që rekordi absolut është ai i Roberto Mançinit në 2007-2008 me 13 triumfe.

 

Dorëheqja

Dede ikën nga Luftëtari, këtë herë përfundimisht

Luftëtari do të duhet të gjejë një trajner të ri, sepse Nevil Dede dje ka dhënë për të dytën herë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës, por këtë radhë pa kthim pas. Trajneri tiranas e mori këtë vendim të dytë pas humbjes në shtëpi, 2-3 ndaj Flamurtarit, ku 3 golat e miqve u shënuan nga Migen Memelli. Këtë, Dede e kishte bërë edhe pas humbjes po në shtëpi 0-2 ndaj Besës së Kavajës, por më pas u bind nga drejtuesit të rikthehej. Dorëheqja e Nevil Dedes mund të nxisë një ndryshim tjetër në stolat e Kategorisë Superiore, pasi tek Tirana, trajneri Artur Lekbello është në pozita të lëkundura dhe rrezikon largimin. Ndërkohë që Dede përflitet se mund të jetë zëvendësuesi i tij në stolin bardheblu.

 

Talenti

Rekordi i Lionel Mesit: 301 gola në karrierë

Më dopjetën e shënuar në fitoren 5-0 të Barcelonës ndaj Rajo Valekanos, Lionel Messi kalon kuotën e 300 golave në ndeshjet zyrtare. Fituesi i tre “Topave të Artë” e arrin këtë sukses në moshën 25 vjeç dhe konsolidon vendin e parë si golashënuesi më i mirë në La Ligën e këtij sezoni me 13 gola. Mesi ka shënuar 301 gola, 270 me Barcelonën (182 në Liga, 53 në Champions League, 20 në Kupën e Mbretit e 15 mes Superkupës dhe Botërorit të Klubeve) dhe 31 me Kombëtaren e Argjentinës. Mesi, me 73 gola të shënuar në 2012 dhe tani dy muaj para ardhjes të 2013-s, është vetëm dy gola larg Peles, i cili në 1959-n realizoi 75 dhe 12 nga rekordi absolut i Gerd Mylerit me 85 gola të shënuar mes Bajernit të Mynihut dhe kombëtares gjermane.

 

Milani

Galiani: Në janar ikën një, por jo revolucion

“Kurat për të cilat flet presidenti Berluskoni gjithmonë i kanë bërë mirë Milanit dhe për shumë vite madje. Gjithsesi, unë kam zgjedhur prej 26 vitesh me radhë që të mos i komentoj kurrë deklaratat e presidentit”. Ky ka qenë reagimi Adriano Galianit, për deklaratat “tradhtare” të Berluskonit ndaj skuadrës. Gjithsesi, ai kërkon t’i sqarojë tifozët: “Të jeni të sigurt se Berluskoni kurrë nuk është larguar dhe kurrë nuk do të largohet nga skuadra. Thjesht ai po kalon një moment delikat, të cilin ne do tentojmë t’ia bëjmë sa më të lehtë që të jetë e mundur, gjithmonë nëse skuadra nis të lëvizë. Në janar priten largime? Besoj se lëvizje në skuadër do të ketë, një, dy, disa, por si gjithmonë kushdo që largohet, do të zëvendësohet kokë më kokë, por nuk do të ketë revolucion”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.