Dopjeta e Pejiç thellon krizën e Tiranës

Bardheblutë shkatërrohen në ndeshjen vendimtare. Flamurtari fiton në transfertë

Skënderbeu kryesues nuk ndalet as nga Tirana, ndaj së cilës u shfaq me të gjithë potencialin e tij, me një Pero Pejiç në superformë, që shënoi dopjetë, duke i dhënë një fitore më se të merituar skuadrës korçare. Nga ana tjetër, Tirana, që tashmë nuk di të mbajë as nervat, futet në krizë të thellë rezultatesh dhe për rrjedhojë largohet më shumë nga objektivat sezonalë.

Atmosfera e krijuar në stadiumin e Korçës paralajmëronte një 90 minutësh me shumë emocione dhe mjaft të luftuar, pasi përplaseshin dy skuadrat më të forta në vend, por duhet pranuar se në fushën e blertë Tirana ishte larg emrit që përfaqëson në futbollin shqiptar.

Skënderbeu u shfaq dominant që në minutat e para, zotëroi mesin e fushës, si dhe e qarkulloi më mirë topin. Tomiç dha shkëndijën e parë në minutën e 21 me një krosim të rrezikshëm nga e djathta, më pas vijnë tentativat e Bicit me kokë, Lilajt nga distanca, për të ardhur te rasti flagrant i Sebino Plakut, që përballë Ilion Likës nuk arrin ta përcjellë topin në rrjetë. Në pjesën e parë, tentativat e Tiranës ishin sporadike dhe pa shumë rrezikshmëri.

Pjesa e dytë nis sërish më mirë për Skënderbeun, që arrin të zhbllokojë rezultatin në minutën e 49 me Pero Pejiç, i cili pasi përfiton nga një pasiguri e Pishës, lëshon një të djathtë jo shumë të fortë me të brendshmen, por tepër të saktë, duke befasuar Likën që nuk arrin ta devijojë topin. Entuziazmi i shfrenuar në stadiumin Skënderbeu ndikon edhe më tej në psikologjinë e futbollistëve të Tiranës, që nuk dinë të mbajnë nervat. Muçollari, në minutën e 53, bën një veprim të tepruar ndaj Orelesit, dhe detyrohet të lërë fushën me karton të kuq.

Fitorja e Skënderbeut sigurohet në minutën e 77 sërish me Pero Pejiç, që i shpëton mbrojtjes, duke shndërruar në gol një krosim të saktë nga e djathta nga Tomiç.

Në minutat e fundit, bardheblutë e kanë të pamundur për ta rrezikuar portën e Shehit, madje Skënderbeu në limitet e kohës shtesë, për pak sa shënon edhe golin e tretë me Kulin. Kjo fitore e ngjit Skënderbeun në kuotën e 20 pikëve dhe tashmë korçarët presin të qetë takimin e Besës me Kastriotin në Krujë.

Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, mendon se çështja e titullit mbetet e hapur, duke përfshirë në garë edhe Flamurtarin. Tepër i zhgënjyer nga kjo humbje, Artur Lekbello pranoi se Tirana tashmë është larguar nga titulli për gabime trashanike, që nuk duhet të bëhen nga futbollistët.

Ndërkohë, Flamurtari arriti dje një fitore dramatike në fushën e Luftëtarit falë sulmuesit Migen Memelli, i cili realizoi një tregolësh, që në këtë rast vlen më shumë se tri pikë. Edhe pse u ndodh dy herë në dizavantazh, skuadra vlonjate diti të reagonte, madje besoi deri në fund te fitorja të cilën e arriti në minutën e katërt shtesë.

Në Fier, Apolonia shpërdoroi një tjetër mundësi për të marrë fitoren e parë në kampionat, pasi barazoi 1-1 me Tomorin në ndeshjen që zgjati shumë më tepër se 90 minuta, pasi pjesën e dytë e nisi me vonesë, për shkak të reshjeve të shiut.

s.s.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.