Josa: Ndeshje e madhe, por jo vendimtare

Atmosferë madhështore në Korçë, të gjitha biletat e shitura dhe një flamur gjigant

Altin Manallari

Tirana është një emër i madh i futbollit shqiptar. Dhe sigurisht në Korçë askush nuk dëshiron të tregohet mendjelehtë dhe të mendoj se do të ketë përballë atë “skuadër” e cila u turpërua në Kukës të mërkurën në turin e dytë të Kupës, ku u mund me rezultatin 4-0. Nesër në orën 17:00 në Korçë do të luhet një klasike e viteve të fundit të futbollit shqiptar. Dhe për këtë arsye interesi i vendasve për këtë supersfidë është i madh. Sikurse është mësuar dje, në treg nuk ka më asnjë biletë për ndeshjen e sotme, pasi ato janë shitur të gjitha. Gjë që demonstron se stadiumi do të jetë plot. Kjo garanton se atmosfera në stadium do të jetë një ferr për Tiranën. Prej ditësh është paralajmëruar se në Korçë po punohet për një koreografi të mrekullueshme nga ana e tifozëve në tribuna. Dje është zbuluar një detaj interesant. Fansat e “Ujqërve të Dëborës” do shpalosin në stadium një flamur gjigant. Burime pranë klubit bardheblu theksojnë se rreth 200 tifozë fanatikë do të jenë në mbështetje të skuadrës në stadiumin e qytetit të Korçës. Marrëdhënia mes dy tifozerive në fakt nuk është dhe aq e mirë, dhe për këtë arsye, forcat e rendit i kanë marrë të gjitha masat për të shmangur çdo incident mes tyre. Megjithatë ndeshja që vlen më shumë, është ajo që do të luhet në fushë. Trajneri Josa gjatë gjithë kësaj jave është përpjekur që skuadrës t’i transmetojë skuadrës besimin te vetja, por edhe mosnënvlerësimin e një kundërshtari si Tirana, e cila është e paparashikueshme. Por megjithatë ka menduar edhe të për ta shtensionuar disi këtë ndeshje, e cila po ngarkohet shumë emocionalisht, ndoshta e ndikuar edhe nga domosdoshmëria e Tiranës për një fitore, që do të shërbente si ilaçi i krizës aktuale. “Nuk bëhet fjalë për hakmarrje, bëhet fjalë për tri pikë. Nuk do të thotë nëse fiton Skënderbeu këtë ndeshje kanë mbaruar të gjitha problemet e ekipit, ka përfunduar kampionati, pasi kjo nuk është një ndeshje vendimtare, shprehet tekniku Josa. Para se të themi se është e vështirë, duhet të themi se është e rëndësishme. Kemi përballë një skuadër që pavarësisht nga rezultatet e fundit që ka, është skuadra që di të shndërrohet nga momenti në moment”, u shpreh tekniku, i cili do të ketë një mungesë në mbrojtje, ku vendin e Radas të padisponueshëm mendohet se do ta zërë Vrapi.

 

Artur Lekbello

“Fitorja, ilaçi i problemeve te Tirana”

Tirana shpreson të bëjë kthesën pas rezultateve negative të javëve të fundit. Humbja ndaj Kukësit duhet hedhur pas me çdo kusht, pasi sot rrezikon të dalë edhe jashtë luftës për objektivin kryesor të saj në këtë sezon, titullin kampion. Atmosfera në klub vazhdon të mbetet e tensionuar, ndërkohë trajneri akuzon lojtarët. “Ndaj Kukësit kishte një mosimpenjim të futbollistëve tanë, u shpreh dje Lekbello, i cili gjithsesi kërkon me çdo kusht fitoren e të tijve ndaj Skënderbeut, e cila do të sheshonte disi problemet në klub. “Është një ndeshje e vështirë, siç ishte ajo me Flamurtarin, pohoi Lekbello. Por besoj se lojtarët që kemi në dispozicion, janë të aftë për ta përballuar këtë ndeshje dhe për të dalë fitimtare. Fitorja nesër (sot) ka një rëndësi madhe për klasifikimin. Çdo rezultat tjetër na mban larg luftës për titull. Nuk duhet ta humbim këtë rast, shkojmë me besimin për të marrë maksimumin e pikëve në Korçë”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. tifozi real says

    Gjergj Kastrioti Skenderbeu fiton mbi tiranistanin.

Comments are closed.