Taçi: Pas naftës, dua edhe energjinë

Strategjia

Pronari i “Albpetrol” shpalos plan-biznesin: Interes, gazi dhe shpërndarja

ARD KOLA

Rezart TaciKur u pyet nga gazetarët se si mundi të ofronte 850 milionë euro për të blerë vetëm 5 për qind të puseve të mbetura të “Albpetrol”, pasi pjesa tjetër zotërohet nga koncesionarët, Rezart Taçi, pronari me 51 për qind të aksioneve, tha se: nuk është vetëm nafta, por edhe tregu i gazit, si dhe energjia elektrike. Plani i zbardhur i biznesit për 5 vitet e ardhshme, nga ku detajohet investimi 220 milionë dollarë, qartëson më shumë ambicien e “Vetro Energy”, koncesionari fitues i “Albpetrol”, për tregun energjetik në vend. Kompania e naftës prodhon rreth 60 mijë tonë në vit, por siguron rreth 150 mijë të tjera nga marrëveshjet hidrokarbure, me vlerë afro 50 milionë dollarë në vit, a ndoshta diçka më shumë, në varësi të çmimeve të bursës. Pas ofertës 850 milionë euro fshihen të tjera plane, që nga gazi azer e deri te tregu energjetik në vend.

Në strategjinë e publikuar së fundmi, “Vetro Energy”, ku Taçi zotëron 51 për qind aksione dhe amerikanët e “Silk Road” 49 për qind, jepen me detaje planet e operacionit, jo vetëm në naftë dhe gaz, por edhe në sektorin energjetik, sidomos në atë të shpërndarjes, aktualisht monopol absolut i kompanisë çeke, CEZ.

Katër janë shtyllat nga ku bazohet vizioni i “Vetro”-s për 5 vitet e ardhshme dhe pika e fundit është pikërisht “shpërndarja e energjisë elektrike”, licencë e cila menaxhohet nga kompania CEZ, aktualisht në diskutim me qeverinë nëse do të qëndrojë apo do të ikë.

Një pjesë e vizionit strategjik është modernizimi i infrastrukturave ekzistuese. Kandidati (fituesi, “Vetro Energy”) ka për qëllim të vazhdojë kryerjen e operacioneve në fushat ku “Albpetrol”-i kryen aktivitet; të menaxhojë dhe të zbatojë në mënyrë më efikase marrëveshjet hidrokarbure; të eksplorojë dhe të zhvillojë blloqet e reja të naftës, që i janë dhënë rishtazi “Albpetrol”-it në mënyrë rritjen e prodhimit; dhe të eksplorojë mundësitë e lidhura me licencën e gazit natyror dhe me licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pra, pronari i “Albpetrol” nuk do të mjaftohet vetëm me prodhimin dhe tregtimin e naftës, me shpërndarjen e gazit që do të rrjedhë nga tubacionet e TAP nga burimet e Azerbajxhanit, por edhe atë të shpërndarjes së energjisë. Ndoshta është synim apo ambicie paksa e nxituar, pasi “Albpetrol” ka licencë për tregtim energjie elektrike, të dhënë pak ditë para hapjes së ofertave, dhe jo për shpërndarje.

Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, zyrtarë të ERE-s thonë se licencën e vetme të shpërndarjes së energjisë elektrike e ka CEZ-i dhe askush tjetër, ndërsa për planin e “Vetro Energy”, enti saktëson se koncesionari ka të drejtë vetëm tregtimin, mundësuar nga TEC-et që ka pronësi, etj. Tregu i shpërndarjes së energjisë elektrike gjeneron rreth 300 milionë euro të ardhura në vit dhe plani për liberalizimin e këtij shërbimi, aktualisht monopol i CEZ, diskutohet prej dy vitesh nga Ministria e Ekonomisë.

Aktualisht “Albpetrol” ka në zotërim rreth 1050 puse, gjendja e të cilëve konsiderohet tejet e amortizuar. “Vetro Energy” ka paraqitur të dhëna vërtet të detajuara mbi ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, bazuar në një studim të Universitetit të Tiranës. Sipas tij, ndotja është shkaktuar nga teknologjia e papërshtatshme, amortizimi domethënës i makinerive të përdorura dhe nivelet e ulëta të disiplinës teknike të përdorur gjatë operacioneve.

Kandidati ka propozuar një plan-veprim, i cili trajton sfidën e rritjes së prodhimit, duke mbajtur në të njëjtën kohë, në të njëjtin nivel, rezervat e naftës. Ato synojnë kontraktimin e një konsulenti të respektuar për të kryer studimin e të gjitha puseve të “Albpetrol”-it dhe vlerësimin e rezervave të tyre. “Në gjashtë muajt e parë do të vlerësohet situata teknike e çdo pusi aktiv, kapaciteti i pusit, numri i ndërprerjeve etj. Ky vlerësim do të jetë i dobishëm për vendimet e drejtuesve në lidhje me programin e rehabilitimit të puseve”, thotë “Vetro Energy”. Koncesionari fitues ka për qëllim të rinovojë 50 për qind të rrjetit të tubacioneve dhe të mbajë në gjendje të mirë pune 50 për qind të mbetur gjatë dy viteve të para pas blerjes. Të përfshira në programin e rinovimit janë lidhjet me dy rafineritë shqiptare dhe Portin e Vlorës. Është gjithashtu në plan rinovimi i depozitave.

Koncesionari fitues ka për qëllim të rinovojë 50 për qind të rrjetit të tubacioneve

Rafineria – Të përfshira në programin e rinovimit janë lidhjet me dy rafineritë shqiptare dhe Portin e Vlorës

 

 

Katër planet

1. Të vazhdojë kryerjen e operacioneve në fushat ku “Albpetrol”-i kryen aktivitet;

2. Të menaxhojë dhe të zbatojë në mënyrë më efikase marrëveshjet hidrokarbure;

3. Të eksplorojë dhe të zhvillojë blloqet e reja të naftës, që i janë dhënë rishtazi “Albpetrol”-it në mënyrë rritjen e prodhimit;

4. Të eksplorojë mundësitë e lidhura me licencën e gazit natyror dhe me licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Privatizimi METE-Vetro, nisin zyrtarisht negociatat

Edhe pse Rezart Taçi u prezantua në media rreth tri javë më parë, si pronari me 51 për qind aksione tek “Albpetrol”, për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zyrtarisht ai nuk njihej ende si i tillë, pasi në të gjithë dokumentacionet, emri i tij nuk figuronte gjëkundi. Është ironike të thuhet, por Taçi është prezantuar me METE-n, si pronar i “Albpetrol”, vetëm tri ditë më parë, kur kanë nisur edhe negociatat. Në takim kanë marrë pjesë tre aktorët kryesorë, zv/ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, avokati David Farber i “Patton Boggs”, si dhe Rezart Taçi, pronar i “Albpetrol”. Të pranishëm ishin edhe drejtues të ERE-s, për shkak të dy licencave, gazit dhe energjisë, si dhe zyrtarë të tjerë. “Takimi ishte i shkurtër, pa shumë emocion dhe u mbyll për 20 minuta, duke u mjaftuar vetëm me disa prezantime palësh dhe urim për marrëveshje të frytshme”, thanë për “Shqip” burime pranë takimit, të realizuar të martën, nga ky zyrtarisht kanë nisur edhe negociatat.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.