Emigrantët në Greqi, protestë për pasaportat biometrike të fëmijëve

Selanik

Shqiptarët kanë kërkuar takim me përfaqësuesit e konsullatës, por nuk janë pritur nga askush

Për fëmijët e lindur në Greqi, pala greke kërkon që në pasaportat shqiptare të shënohen emrat në greqisht

Përfaqësues të Partisë Socialiste dega Selanik, të Shoqatës së Vllehëve dhe të “Omonias” së këtij qyteti kanë protestuar mëngjesin e së martës para ndërtesës së Qendrës Tregtare, në katin e tretë të së cilës ndodhet Konsullata Shqiptare e Selanikut, për problemin e madh që hasin me certifikatat dhe pasaportat shqiptare, fëmijët e emigrantëve të lindur në Greqi. Pas një takimi të mëparshëm që kanë pasur me konsullin e përgjithshëm, të cilit i kanë shprehur shqetësimin e tyre për indiferencën e shtetit shqiptar në zgjidhjen e këtij problemi, ata kanë dashur të bllokojnë në mënyrë simbolike punën e kësaj konsullate për një orë, por nuk janë lejuar nga forcat e policisë. Gjithashtu, atyre u është refuzuar edhe kërkesa që një përfaqësi e tyre të takohej me Konsullin e Përgjithshëm.





“Ky është një problem madhor që kanë emigrantët shqiptarë në Selanik. Mosnjohja e certifikatave nga ambasada greke në Tiranë dhe mungesa e ndjeshmërisë së shtetit shqiptar për këtë situatë, nuk po gjen zgjidhje. Për fat të keq, konsulli tregon fytyrën e shtetit shqiptar sot, duke mos na pritur në zyrën e tij për këtë problem”, thotë Spiro Janaqi, kryetar i PS-së, dega e Selanikut. Ka më shumë se një vit që për gati 12 mijë familje shqiptare vetëm në Selanik, problemi i emërtimeve në shqip të emrit të shtetit grek dhe të qyteteve në pasaportat e reja biometrike dhe në certifikatat e lindjes, i mban peng ata shpeshherë në doganat greke, apo nuk i lejon që të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat greke.

Athina zyrtare, megjithëse për gati dy dekada ka njohur certifikatat shqiptare me emërtimet e deritanishme, ka rreth 15 muaj që u ka bërë thirrje organeve shqiptare të njohin emërtimet e qyteteve greke si Follorina, Kosturi, Selaniku, sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare të Konferencës për Standardizimin e Emrave Gjeografikë, të miratuar në New York, në vitin 1998, ku theksohet se këto qytete quhen dhe shkruhen në pasaporta si Thesaloniki, Kastoria, Florina. Shumë peticione të dërguara drejt ministrive shqiptare përkatëse, sipas përfaqësuesve të emigrantëve kanë rënë në vesh të shurdhët dhe ekziston mosbesimi ndaj premtimeve se ky problem do të përballohet shumë shpejt nga një komision dypalësh.





2 Comments
  1. flavio@luca-hotmail.al says

    keshtu jemi ne shqiptaret jemi me afat skadimi per 12 dite

  2. Nexhmie says

    shpresojme se shpejti te mendoj shteti shqiptar ta zgjidhi kete problem se ndoshta ata zoterinj qeveritare sarijne ta kuptojne se si ndjehemi ne prinderit e ketyre femijve . as librat e shendetsise sna vulosin se kane bllokuar lejen e qendrimit te ketyre femijeve .me ne fund te vendosin nje zgjidhje

Comments are closed.